Personat me nevoja të veçanta nga Tetova edhe këtë vit mbetën pa asistentë personal

Pasi vitin e kaluar Tetova nuk hyri në pilot programin për asistentë personalë edhe këtë vit personat me nevoja të veçanta nga ky qytet s’do të mund të shfrytëzojnë këtë shërbim të paraparë me zgjidhjet e reja ligjore të Ministrisë për punë dhe politikë sociale. Këtë vit Tetova, bashkë me Velesin, kanë qenë të përfshirë në programin për asistentë personal, transmeton SKD.mk. Shoqata “Hendimak” nga Tetova fitoi licencë për dhënie të këtyre shërbimeve, pasi Agjencia për punësim shpalli konkurs për paraqitje të personave të cilët dëshirojnë të aftësohen për asistentë personalë, por mosmarrëveshjet që u paraqiten ndërmjet këtyre dy subjekteve mbase do të jenë shkak që edhe këtë vit në këtë qytet të mos ketë asistentë të nevojshëm personal.

Adem Idrizi nga “Hendimak” thotë që vështirësitë kanë filluar pasi është publikuar konkursi për paraqitje të personave të cilët dëshirojnë të aftësohen për asistentë personalë. Konkursi në Agjencinë për punësim në Tetovë është publikuar më 6 maj të këtij viti, ndërsa së shpejtë pas kësaj, para se t’i skadojë afati, është mbyllur me arsyetimin nga Agjencia në Tetovë s’ka provajder të licencuar për trajnim.

“Menjëherë komunikuam me Ministrinë dhe sqaruam që ndonëse Tetova s’ka provajder për trajnim, personave nga Tetova duhet t’u mundësohet trajnim, për shkak se këtë vit edhe Tetova ka hyrë në programin të ketë asistentë personal dhe ka provajder të licencuar për administrim me asistentët personal, e kjo është Shoqata jonë. Për këtë morëm përgjigje që nga 13 maj të gjithë të interesuarit mund sërish të paraqiten edhe në Agjencinë për punësim në Tetovë me vërejtje që trajnimin do t’i ndjekin në Gostivar ose në Shkup ku ka provajder të licencuar për trajnim. Ne bëmë agjitim tek të rinjtë dhe i animuam të paraqiten në konkursin me ç’rast, sipas informatave tona, deri në ditën e fundit të konkursit në Tetovë janë paraqitur 14 kandidatë. Për fat të keq, këta kandidatë të interesuar s’kanë qenë të ftuar për të nënshkruar marrëveshje me Agjencinë për punësim dhe t’i ndjekin trajnimet përsëri me arsyetimin që në Tetovë s’ka provajder për trajnim, ndërsa në Shkup dhe Gostivar numri ka qenë I plotësuar. Sipas informatave që i kam, vetëm dy persona nga Tetova kanë qenë të pranuar në trajnimin dhe atë një në Gostivar, ndërsa tjetri në Shkup, derisa të tjerët kanë mbetur askund”, thotë Idrizi.

Nga Agjencia për punësim e Maqedonisë nëpërmjet komunikatës me shkrim njoftojnë që askujt nuk i është shkurtuar e drejta për konkurrim dhe për aftësim për asistent personal.

“Trajnimi i asistentëve personal zgjat nga maji deri në gusht të këtij viti dhe i njëjti mbahet tek provajderë të autorizuar të cilët kanë licencë për të kryer këso trajnime. Ndër vendet tjera, trajnimet mbahen edhe në Shkup dhe në Kryqin e Kuq në Gostivar. Pasi këta persona të përfundojnë trajnimin dhe të japin provimin, nga shtatori do të mund të angazhohen nëpërmjet provajderëve për të dhënë shërbime si asistentë personalë. Në trajnimet në Shkup dhe në Gostivar ka persona të paraqitur nga Tetova të cilët kanë nënshkruar marrëveshje për trajnim dhe e vizitojnë. Kemi bërë vend për edhe dy persona nga Tetova të cilët e vizitojnë trajnimin në Shkup, por ata kanë refuzuar të marrin pjesë. Donë të thotë që provajderi nga Tetova duhet të pret deri në gusht kur të mbaron trajnimi i personave për asistentë personal, të lidhet me provajderët të cilët e kanë kryer trajnimin për ta marrë prej tyre listën e asistentëve të aftësuar personal dhe t’i angazhojë për nevojat e personave me nevoja të veçanta nga Tetova”, shkruan në përgjigjen nga Agjencia për punësim.

Idrizi thotë që të njëjtën përgjigje nga Agjencia për punësim e dëgjon tash më disa herë dhe pyet përse nuk janë pranuar më tepër persona nga Tetova për trajnim në Gostivar dhe Shkup. Sipas programit Tetova është dashur të ketë 20 asistentë personal që shërbimi i provajderëve  të mund të funksionojë në mënyrë efikase dhe efektive.

“Pas gjithë kësaj, kam kërkuar që personalisht të takohem edhe me ministren Milla Carovska që të mund më hollësisht t’ia arsyetojë problemin, por kam hasur në rezistencë të madhe, nuk kam mund të realizojë kontakt me ministren, ndërkaq kam pranuar edhe kërcënim nga shefi i kabinetit të saj, prej nga haptazi më thanë që do të jem i ‘bllokuar’ nëse vazhdoj të reagoj. Ne me të vërtetë nuk mund të ndërmarrim obligim aq të madh, të jemi provajder për një ose dy asistentë personale dhe nuk besoj që do të mund t’i angazhojmë asistentët personalë nga Shkupi dhe Gostivari të punojnë edhe në Tetovë, siç propozon Agjencia për punësim, për shkak se ata tërësisht do të jenë të angazhuar në qytetet e tyre. Për këtë arsye, do ta kthejmë pëlqimin si provajderë për asistentë personal. Kemi dërguar parashtresë tek Avokati i Popullit dhe e kemi ndër mend të dërgojmë parashtresë edhe në Komisionin për diskriminim, e mbase do të drejtohemi edhe tek Banka Botërore, që është donator i projektit. Doemos duhet ta tregojmë të vërtetën, pasi bëhet fjalë për persona me nevoja të veçanta të cilëve u është shkurtuar një shërbim për të cilin ka nevojë të madhe”, thotë Idrizi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button