Shpërndahen libra për 37 Komuna të Kosovës dhe për bibliotekat komunale shqiptare jashtë Kosovës

Në një ceremoni të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë shpërndarjen e librave të botuar dhe të blerë nga Ministria, donacion për 37 Komuna të Kosovës dhe për bibliotekat komunale shqiptare jashtë kufijve të Kosovës, raporton Koha.net.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht tha se përmes formave të ndryshme të subvencionit në vazhdimësi është punuar që tu dilet në përkrahje bibliotekave komunale dhe institucioneve tjera komunale të kulturës.

“Donacioni që ne po e dorëzojmë sot është jo i vogël dhe vlerësojmë se është tejet cilësor, meqë librat që ne sot po i japim janë librat më të mirë që janë botuar gjatë vitit 2018, dhe këtë vlerësim e ka bërë një trup profesionale siç është Këshilli i Librit, si organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës”, tha ministri Gashi.

Ai gjithashtu tha se shpërndarja e librave tek bibliotekat komunale është një politikë e rëndësishme.

Ndërkaq kryetarja e Këshillit të Librit, Sabile Keçmezi- Basha tha se ministri Gashi po bën një punë të mirë me grumbullimin e përfaqësueseve të bibliotekave të Kosovës për të shpërndarë librat.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes Këshillit të Librit ka botuar libra të autorëve shqiptarë e të komuniteteve të të gjitha trevave, orientimeve politike, fetare, gjinore, letrare e estetike duke u treguar e hapur nda prirjeve e preferencave të ndryshme stilistike etj. si dhe letërsi botërore të vendeve e gjuhëve të ndryshme të të gjitha periudhave letrare, nga antikitekti e deri më sot”, theksoi Basha.

Ajo gjithashtu përmendi se në vitin 2018 Ministria ka financuar 11 revista me karakter kombëtar dhe regjional, botimin 53 librave të autorëve të ndryshëm, ka bërë blerjen e 56 librave të autorëve kombëtarë e të huaj ku totali i investimeve ka qenë 158 mijë e 522 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button