Kryetari i shoqatës së gazetarëve në RMV: Reformat në mediat e vendit kanë ngecur

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski dhe Drejtori Dragan Sekullovski, këto ditë marrin pjesë në Konferencën globale për lirinë e mediave në Londër, transmeton Portalb.mk. Gjatë konferencës qëndrimet e tyre do t’i prezantojnë përfaqësues të shumtë të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, si dhe gazetarë dhe politikanë nga rajoni.

Në panelin për Ballkanin Perëndimor, me të cilin u hap Konferenca globale për lirinë e mediave u drejtua edhe Kryetari i SHGM-së, Çadikovski i cili në fjalimin e tij shpjegoi gjendjen e mediave dhe lirinë e shprehjes në Maqedoninë e Veriut.

Si problem kryesor me të cilin përballohen gazetarët në vend dhe që pengon lirinë e shprehjes Çadikovski veçoi mosndëshkimin e sulmeve mbi gazetarët. “Ky është një problem i cili është duke vazhduar dhe kemi frikë se mund të nxisë sulme të mëtutjeshme mbi kolegët tanë”, tha Çadikovski duke përkujtuar sulmin mbi gazetarët e TV21 në Haraçinë, për të cilin Prokuroria nuk gjeti arsye për të filluar proces hetimor.

Pika e dytë për të cilën foli Çadikovski ishte moszbatimi i reformave në media. “Një pjesë e proceseve më të rëndësishme siç janë zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe Këshilli programor i RTVM-së ende janë të bllokuara në Kuvend, ndërsa ato paraqesin dy parakushte themelore për reformimin e këtyre dy institucioneve” tha ai.

Çadikovski foli edhe për ndërprerjen e lidhjeve korruptive mes partive politike dhe pronarët e mediave si parakusht për pavarësi financiare, politike dhe redaktuese. Sipas tij, qeveria e kaluar nëpërmjet të shpenzimit të mjeteve të mëdha nga buxheti shtetëror në mediat private ka arritur të blejë simpatitë e tyre dhe vuri mediat në funksion të propagandës, ndërsa kjo rezultoi me censurë dhe vetë-censurë tek gazetarët.

“Për momentin kemi një nivel të caktuar të lirisë së shprehjes ku të gjithë flasin lirisht, por duhet të theksoj se pavarësia e mediave është ende në pikëpyetje për shkak të faktit se kemi një treg të vogël të korruptuar medial. Në një vend prej 2 milion banorësh, ka rreth 150 media që ekzistojnë në treg, më pak se 10 media të shtypura dhe qindra media në online. Të gjitha këto media funksionojnë në tregun e medias, që nuk vlen më shumë se 25 milionë euro në vit. Në një mjedis të tillë, është thjesht e pamundur të flitet për qëndrueshmërinë dhe lirinë e mediave,” tha Çadikovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button