8372 nuk është një numër i zakonshëm…

Kur dikush përmend fjalën gjenocid fitohet përshtypja se kjo është diçka që ka ndodhur diku larg nesh në kohë dhe hapësirë, dikur moti në histori, në ndonjë vend të largët. Ndonjëherë gjërat përshkruhen në mënyrë aq iluzore sa ka njerëz që kanë guxim edhe të thonë se ato që thuhen nuk janë krejtësisht të vërteta, si për shembull, ka prej tyre që kontestojnë faktin se Holokausti ka ndodhur.

Ndonjëherë pritet aq gjatë për t’u përmbushur standardi i “numrit relevant” sa që bota vonohet për të parandaluar katastrofën, ashtu si që pritej të rritet numri i vrasjeve në Ruanda para se të ndërhyhet në konflikt. Kur ndërhyrja u bë, gjenocidi kishte ndodhur: më shumë se 800.000 njerëz të shfarosur për më pak se 100 ditë, vetëm sepse ishin etnikisht të ndryshëm nga të tjerët.

Edhe në Srebrenicë vonesa e pa-arsyetueshme e intervenimit ndërkombëtar kontribuoi në mënyrë direkte në vdekjen e 8372 personave. Viktima nuk janë vetëm të vrarët, janë të gjithë ata që mbetën pas tyre, të traumatizuar, viktima të përhershme të një dhimbjeje pa fund. 8372 nuk është një numër i thjeshtë. Srebrenica nuk është një qytet i largët dhe abstrakt, ata që u vranë atje nuk ishin të tjerë, të panjohur, ishin njerëz të këtij rajoni, njerëz si ne. Ajo që ndodhi në Potoçare ishte e përmasave marramendëse, por ngjarje të tilla ndodhën edhe në vende tjera, ende më të afërta, si në Kosovë, edhe pse aty masakrat që ndodhën asnjëherë nuk u karakterizuan ndërkombëtarisht si gjenocid.

Gjenocidi ndodh kur një grup etnik, fetar, nacional ose racor shfaroset me qëllim, pikërisht për shkak të identitetit të tij. 8372 njerëz u shfarosën në Srebrenicë brenda vetëm pak ditëve vetëm për shkak se ishin myslymanë. Potoçare është shembull klasik i veprimit gjenocidal, dhe megjithatë, nga shumë njerëz ende ky shembull trajtohet si një aksident historik, si një problem lokal i cili me kalimin e kohës edhe mund të harrohet.

Si ndodh një gjenocid? A thua ndodh vërtet në mënyrë stihike dhe aksidentale, ku njerëzit brenda natës kujtohen të shfarosin një grup të tërë njerëzish vetëm për shkak të ndonjë karakteristike identitare të tyre? A thua bëhet padashtazi dhe pa u menduar, në mënyre emocionale e në afekt e pastaj njerëzit nuk kujtohen dhe nuk kuptojnë se çfarë kanë bërë?

Gjenocidi është vepra më komplekse dhe më e rrezikshme që mund t’i ndodhë një grupi. Ajo asnjëherë nuk është një vepër stihike, por një komplot i menduar mirë, i organizuar në detaje dhe i zbatuar në mënyrë të përpiktë, duke pasur kujdes për secilin hap që i paraprin tjetrit. Gjenocidi nuk është një vepër çasti, ku kryersi vepron në mënyrë emocionale dhe në afekt. Kur kryhet gjenocid secili i involvuar te pala kryerse e di shumë mirë se çfarë është duke bërë, dhe veprimin gjenocidal e kryen me përpikshmëri dhe saktësi të plotë, me gjakftohtësi dhe me planifikimi afatgjatë.

I gjithë ky proces fillon me një hap kyç, me dehumanizimin e tjetrit. Jorastësisht dy fazat e para të gjenocidit janë klasifikimi dhe dehumanizimi. Të gjitha shoqëritë kanë njëfarë shkalle ndasish ndërkulturore që në ndonjë shtet vijnë në shprehje më shumë dhe potencohen e stimulohen, ndërsa në shtete më liberale dhe demokratike këto ndasi menaxhohen përmes koncepteve inkluzive dhe multikulturore. Por është fakt që në çdo shoqëri mund të vërehen ndasi të tilla ku në bisedat e përditshme njerëzit flasin për “ne” dhe “ata”. Faza e parë e gjenocidit është pikërisht klasifikimi i qëllimshëm i njerëzve në “ne” dhe “ata”.

Kjo është fazë lehtësisht e realizueshme sepse në çdo shoqëri mund të gjinden paragjykime dhe steriotipe që këtë ndasi dhe klasifikim e bëjnë të mundur. Kjo do të thotë praktikisht që çdo shoqëri e përmbush kushtin e parë që nëse ndonjë “i çmendur” vjen në krye, të mundet me kohë të zhvillojë një proces që në fund do të përfundojë me gjenocid. Çdo shoqërie mund t’i ndodhë kjo, sado e përparuar që të jetë. Ja Gjermanisë i ka ndodhur, kur në krye ka ardhur një nacisti i cili e ka marrë pushtetin përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Faza e dytë ka të bëjë me dehumanizimin. Kryersit e gjenocidit fillojnë një proces propagandues të demonizimit të “atyre”. Grupi që ata kërkojnë ta shfarosin fillon të paraqitet në bisedat e përditshme si grup pjesëtarët e të cilit nuk janë njerëz si të tjerët, “ata” janë të ndytë, të poshtër, pa karakter, rrenacakë, ngjasojë si minj apo insekte, dhe shpërndajnë sëmundje ngjitëse e vdekjeprurëse.

“Ata” nuk paguajnë taksa, dhe e shtrydhin dhe vjedhin ekonominë e vendit, “ata” janë parazitët e shoqërisë që jetojnë në krahun “tonë”, të mos ishin “ata” bota do të ishte më e bukur, shteti do ishte më i pasur dhe “ne” do përparonim më shumë. Çfarë qëllimi ka kjo fazë e dehumanizimit? Ka për qëllim që shfarosjen që do të ndodhë më vonë ta pasqyrojë si diçka të pranueshme, të natyrshme dhe normale, si një veprim konsekuent që duhet të sjellë dobi për të gjithë. Sepse në një shoqëri të shëndoshë ku njerëzit respektojnë vlerat bazike njerëzore, shfarosja e një grupi të ndryshëm për nga identiteti do të ishte tërësisht e papranueshme dhe e pamundur.

Pasi dehumanizimi të ketë ndodhur me sukses pasojnë fazat tjera vendimtare si identifikimi i grupit të targetuar mes simboleve përkatëse, organizimi i grupeve që do të marrin pjesë në shfarosjen direkte, polarizimi i popullatës përmes propagandës trularëse, dhe përgatitja deri në detaje e operacionit të shfarosjes. Të gjitha këto faza marrin kohë, sepse gjenocidi është diçka që nuk ndodh brenda natës, por përgatitet për një kohë të gjatë. Kështu gjashtë fazat e para të kryerjes së gjenocidit janë faza latente përgatitore, faza kur pjesëtarët e grupit nuk sulmohen në mënyrë direkte por gradualisht ndërtohet armiqësia ndaj tyre, kryesisht përmes proceseve propaganduese, gjuhës së urrejtjes dhe përdorimit të mediave për shpëlarje të trurit.

Gjatë gjithë këtyre gjashtë fazave organizatorët e gjenocidit me përpikshmëri ndjekin çdo hap dhe shfrytëzojnë çdo mundësi që aktin final ta bëjnë të pranueshëm për masën më të gjerë. Këtë e ka arritur për shembull edhe Hitleri kur shoqëria dhe qytetarët e Gjermanisë janë bërë aq të topitur nga propaganda sa që nuk kanë reaguar ndaj tymit që del nga oxhaqet e furrave të kampeve të përqendrimit. Të gjitha këto kampe janë ndërtuar dhe kanë operuar në afërsi ose brenda vendbanimeve ku njerëzit e zakonshëm janë ngritur në mëngjes, kanë shkuar në punë, kanë lozur me fëmijët e tyre… kanë jetuar… derisa para syve të tyre njerëz tjerë janë shfarosur në mënyrat më makabre të mundshme.

Faza e shtatë e gjenocidit është shfarosja: sulmi direkt fizik mbi grupin e targetuar me qëllim që të shkaktohet zhdukja e tij. Ajo që ka ndodhur në Potoçare me 11 Korrik 1995 ka qenë pikërisht kjo fazë, shfarosja fizike, vrasja dhe masakrimi një nga një i të gjithë atyre të cilët paraprakisht janë klasifikuar si “ata” dhe janë dehumanizuar si të pavlefshëm për shoqërinë.

Shfarosja fizike është vetëm një akt i gjithë kësaj tragjedie. Akti i parafundit. Akti i fundit është faza përfundimtare e gjenocidit: mohimi. Asnjë gjenocid nuk është i plotë pa fazën përfundimtare, pa përpjekjen për të arsyetuar atë që ka ndodhur. Në mos arsyetim, injorim, vendosje nën qilim i faktit të cilit as emrin nuk ia përmendim. Shteti serb sot e kësaj dite nuk pranon se ajo që ka ndodhur në Potoçare është gjenocid. Shtetarët serb ende nuk kërkojnë falje publike për këtë tragjedi, edhe tani pas 24 vitesh.

Përgjegjësi individuale për këtë rast vendosi Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë, një institucion ndërkombëtar, por përgjegjësi kolektive, shtetërore nuk mbajti askush. Sot e kësaj dite grupet e tifozëve serbë brohorasin “Nož, žica, Srebrenica” në ndeshjet sportive. Mohimi i gjenocidit është krim i urrejtjes dhe vepër penale ndërkombëtare por rallë ndodh të dënohen njerëz për këtë. Sepse njerëzit nuk i kanë qef këto mësime, u duken të rënda. U duket se është barë e madhe që një shtet të përballet me përgjegjësi për atë që e ka bërë në një moment historik. U duket e padrejtë të bartin fajin e dikujt tjetër dhe me këtë bëhen edhe vet fajtorë. Fajtorë propagues që ose injorojnë ose arsyetojnë ose promovojnë një veprim klasik gjenocidal.

Kjo nuk guxon të ndodhë sepse historia e harruar përsëritet, gjithmonë më dhimbshëm dhe gjithmonë më rëndë se më parë. Prandaj në raste të tilla, ripajtimi është i rëndësishëm, por ende më i rëndësishëm është procesi i bartjes së përgjegjësisë pa të cilin ripajtimi thjesht nuk ka kuptim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button