RMV, me Ligjin për arsim mësimdhënësit do të kenë pagë varësisht avancimit në punë

Nëse deri tash një mësimdhënës me 10 vjet përvojë pune ka pasur pagë të njëjtë dhe titull të njëjtë me një mësimdhënës me 4 vjet përvojë pune, kështu nuk do të jetë prej shtatori, siç parashikon ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi pasi që dje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i dha dritë jeshile Ligjit për arsim fillor, transmeton Portalb.mk.
Tash radhën për miratim do ta ketë Kuvendi i RMV-së.

“Janë paraparë shkallë konkrete për avancim dhe do të vlerësohet sipas arritjeve të tyre dhe rezultateve, dhe kjo do të ndikojë edhe në aspekt financiar të mësimdhënësve, kështu që me çdo avancim të ri, është paraparë edhe pagë më e madhe”, tha Ademi.

Titujt janë:

  • Arsimtar fillestar,
  • Arsimtar,
  • Arsimtar mentor dhe
  • Arsimtar këshilltar.

Sipas Ademit, Ligji për arsim fillor do të ndihmojë edhe në departizimin e arsimit.

“Ligji për arsimin fillor fokusohet në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe në përgjithësi të procesit edukativo-arsimor, në përforcimin e vlerave themelore kushtetuese në arsim, duke siguruar mundësi të reja për nxënësit – që në fokus kanë nxënësit me aftësi të kufizuara (nxënësit me nevoja të posaçme arsimore). Po ashtu, në fokus janë: organizimi i nxënësve, eliminimi i ndikimeve politike në shkolla, si dhe sigurimi i më shumë mundësive për stafin e mësimdhënësve dhe stafin profesional në shkolla”, tha Ademi.

Zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së, Muhamed Hodha dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi

Këto janë ndryshimet rrënjësore që u propozuan për arsimin fillor:

  • Nuk do të lejohet zhvillimi i mësimit ditëve të shtuna. Në situatat e humbjes së ditëve të mësimit për arsye të ndryshme, ditët e humbura do të plotësohen pas 10 qershorit.
  • Numrit i nxënësve nëpër paralele, si prag minimal përcaktohet numri 20 nxënës, ndërsa pragu maksimal do të jetë 30 nxënës në klasë.
  • Këshilli i shkollës do të përbëhet prej shtatë anëtarëve, në vend nëntë anëtarëve, edhe atë: tre përfaqësues nga mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë të shkollës, tre përfaqësues nga prindërit e nxënësve dhe një përfaqësues nga themeluesi. Deri tani themeluesi (komuna) përfaqësohej me dy anëtarë.
  • Përzgjedhja e drejtorit. Këshilli i shkollës, i propozon kryetarit të komunës respektivisht ministrit një kandidat, gjegjësisht atë që ka fituar shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Shkollës në zgjedhjen për drejtor. Pra, kufizohet ndikimi i ministrit/kryetarit të komunës sepse do të kenë vetëm emrin e një kandidati dhe jo të dy kandidatëve si deri tani. Largohet kufizimi prej dy mandateve radhazi, me qëllim të dhënies mundësi që shkollat të mbajnë sa më gjatë drejtorët cilësor.
  • Ndërkaq, paralelet e kombinuara nuk do të mund të formohen me më tepër se 10 nxënës në klasë. Përjashtim bëjnë paralelet e lëndëve zgjedhor ku numri i nxënësve nuk mund të jetë më i vogël se 15 nxënës.
  • Për nxënësit me aftësi të kufizuara parashihen angazhimi i asistentëve arsimor dhe personal, pajisjeve të teknologjive ndihmëse dhe përshtatjeve tjera. Parashihet shuarja e të ashtuquajturave paralele të posaçme. Nga viti shkollor 2022/2023 nuk do të regjistrohen nxënës të ri me aftësi të kufizuara në këto paralelet, pasi MASH angazhohet që procesi i përfshirjes së plotë të nxënësve me aftësi të kufizuara të zhvillohet në mësimin e rregullt. Mund të organizohet dhe realizohet arsimi fillor edhe në institucionet shëndetësore si dhe në kushte shtëpiake për nxënësit që trajtohen më gjatë se tre javë në shtëpi apo në spital.
  • Ligji parashikon që nxënësit të organizohen në bashkësi të paraleles dhe parlamentit të nxënësve me kompetenca të zgjeruara: pjesëmarrje në përgatitjen e Programit vjetor për punë si dhe në procesin e Evaluimit të shkollës, propozim të aktivitete për programet vjetore për ekskursione, aktivitetet jashtëmësimore apo për përmirësimin e standardit të nxënësve.

Siç parashikon ministri Ademi, Ligji parashihet të hyjë në fuqi dhe zbatimi i të njëjti të fillojë nga shtatori. Për të bindur të gjithë partitë se Ligji nuk ka interes për përfitime personale dhe partiake, Ademi deklaroi se është i gatshëm të realizojë takime ndaras.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button