Opozita në RMV është skeptike që pushteti mund të organizojë “veting” të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Opozita shqiptare dhe maqedonase në Maqedoninë e Veriut është skeptike se me Qeverinë aktuale mund të bëhet “veting” apo verifikim i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, njofton Portalb.mk.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski

VMRO-DPMNE-ja, opozitare, vlerëson se është e nevojshme që të bëhet kontrolli i gjykatësve dhe prokurorëve, se si do të duhet të organizohet ajo ende nuk e kanë diskutuar në parti, por sipas tyre, me këtë Qeveri nuk mund të pastrohet gjyqësori nga ndikimet partiake.

“Në mënyrë të përgjithshme jo vetëm ne, por edhe Bashkimi Evropian ka vërejtje për gjyqësorin e politizuar dhe përndjekjen politike që kryhet ndaj VMRO-DPMNE-së. “Vetingu” mirë duhet të mendohet dhe të mos jetë përsëri në duar të dikujt për qërim hesapesh me ata që nuk mendojnë njësoj politikisht. Në parti nuk kemi biseduar për temën e “vetingut”, megjithatë jemi kundër partizimit të gjyqësorit dhe trysnisë politike ndaj gjyqësorit. Patjetër duhet të ketë pastrim, por jo me këtë pushte dhe këtë Qeveri. Duhet ta shohim se si do të ndodh”, thotë për Portalb.mk, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Ziadin Sela dhe Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk
Ziadin Sela dhe Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk

Opozita shqiptare, gjithashtu është “për” që të vlerësohen gjykatësit e prokurorët. Deputeti Surija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët, thotë se ata përkrahin çdo verifikim të punës së bartësve të pushtetit gjyqësor, pasi sipas tyre, ata janë njolla më e zezë e sistemit.

“Gjyqësia vazhdon të jetë e politizuar dhe selektive, të sjellë vendime në bazë të nevojave të politikave ditore dhe në bazë të asaj se kush është klienti i tyre, ose pala që dënohet. Rastin konkret e kemi dënimin për rastin e Almirit, një tendencë për vrasje të 3 vetëve, u cilësua nga gjyqësia si aksident trafiku, kurse rasti tjetër ku u vra tifozi Sazdovski, u gjykua si vepër më e rëndë e vrasjes – kjo është gjyqësi që vendos në bazë të kërkesës së turmave dhe jo në bazë të së drejtës. Ne pranojmë dhe jemi për çfarëdo “vetingu”, zbardhje të punës së gjykatësve sepse kjo është njolla më e zezë e sistemit në vend. Duhet shumë punë për të bërë  për të pasur një gjyqësi që e meriton një vend që aspiron integrimin në NATO dhe BE. Jemi duke e shqyrtuar nëpërmjet Departamentit për Drejtësi në ASH, kur të kemi diçka konkrete do të deklarohemi”, thotë për Portalb.mk Rashidi.

Fadil Zendeli
Deputeti i BESA-s, Fadil Zendeli

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, thotë se ata janë për “veting”, megjithatë nuk pret që kjo Qeveri në krye me kryeministrin Zoran Zaev, të organizojë diçka të tillë, duke e pasur parasysh që sipas tyre, ka bërë shumë kompromise në kurriz të drejtësisë.

“Veting” duhet të ketë, por jo vetëm prej tani e në të ardhmen, por edhe për periudhën e kaluar. E shoh që e përmend edhe BDI-ja çështjen e “vetingut” për ta larë veten për periudhën e kaluar. Nëse nuk verifikohen edhe të kaluarit, atëherë vetëm se do të lahet një fëlliqësirë e periudhës së kaluar. Procesi duhet të shkojë thellë brenda të pastrohet që të mundet të funksionojë. Nuk diskutohet që jemi për kontrollit, por kjo Qeveri e ky kryeministër ka bërë aq shumë kompromise në dëm të sistemit të drejtësisë saqë nuk pres që diçka mund të bëhet përveç zhurmës mediale dhe muhabeteve”, thotë për Portalb.mk Zendeli.

BDI-ja është duke kërkuar nga partneri i koalicionit LSDM që ta përkrahë “Vetingun” për funksionarët aktual dhe të ardhshëm, në mesin e të cilëve do të përfshihen edhe ata të sektorit të gjyqësorit, gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkaq nga LSDM-ja ende janë duke pritur që të shihet se çfarë do të ndodh me reformat që aktualisht janë duke u zbatuar në sektorin e gjyqësorit. Jozyrtarisht, edhe LSDM-ja është duke punuar për të gjetur modalitete adekuate për një proces të tillë

“VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button