“Veting” për gjyqtarët dhe prokurorët, pushteti është duke shqyrtuar modalitetet si të realizohet

BDI-ja është duke kërkuar nga partneri i koalicionit LSDM që ta përkrahë “Vetingun” për funksionarët aktual dhe të ardhshëm, në mesin e të cilëve do të përfshihen edhe ata të sektorit të gjyqësorit, gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkaq nga LSDM-ja ende janë duke pritur që të shihet se çfarë do të ndodh me reformat që aktualisht janë duke u zbatuar në sektorin e gjyqësorit. Jozyrtarisht, edhe LSDM-ja është duke punuar për të gjetur modalitete adekuate për një proces të tillë, njofton Portalb.mk.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, e konfirmoi se deri te partneri i koalicionit LSDM e kanë dërguar në formë të ligjit, propozimin e tyre për verifikim të funksionarëve.

“Vetingu” është iniciativë dhe politike autonome e BDI-së të cilën në formë të ligjit tashmë ia kemi dorëzuar dhe LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për mbështetje. “Vetingu” parasheh kontroll dhe verifikim të të gjitha funksionarëve aktual dhe të ardhshëm, prokurorëve dhe gjykatësve. Pas pranimit të sugjerimeve ose komenteve nga partitë, ne do ta lëshojmë ligjin në procedurë parlamentare”, thotë Grubi për Portalb.mk.

Deputeti Konstantin Kostadinov. Foto: Portalb.mk
Deputeti Konstantin Kostadinov. Foto: Portalb.mk

Nga ana tjetër, LSDM-ja, thotë se për momentin janë duke u zbatuar reformat, që nuk parashohin “veting” të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe i presin rezultatet nga të njëjtat. Sipas tyre tani për tani, gjyqtarët mund të kontrollohen edhe nga Antikorrupsioni, i cili mund ta njoftojë Këshillin Gjyqësor, nëse eventualisht ka ndonjë gjetje.

“Për momentin, reformat në gjyqësor, të cilat po rrjedhin po zbatohen me ekspertë nga Bashkimi Evropian. Ne si parti mbetemi në angazhimet tona që të bëjmë reforma në gjyqësor, për drejtësi dhe shtet ligjor. Nëse shohim se këto reforma, në afat prej 6 muaj ose 1 vit, nuk i japin rezultatit e pritshme, ne mundemi ta aktualizojmë çështjen edhe me zgjidhje ligjore konkrete. Për momentin, në pajtim me reformat që zbatohen, ekziston mundësi ligjore se si një gjykatës të jetë lëndë hetimi nëpërmjet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Pra, nëse ka indikacione, Antikorrupsioni është e obliguar të hapë procedurë, dhe nëse konstaton diçka, ajo është bazë e mirë që Këshilli Gjyqësor, madje të shkarkojë ndonjë gjykatës përkatës – ashtu duam t’i zbatojmë reformat”, thotë Portalb.mk, deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Jozyrtarisht, edhe LSDM-ja është duke punuar për të gjetur modalitete adekuate për një proces të tillë por nga partia nuk bëjnë të ditur detajet.

Partia ALTERNATIVA dhe PDSH-ja edhe pse të kontaktuara, nuk janë përgjigjur pyetjes sonë.

Ndryshe, ekspertët juridik vlerësojnë se pas miratimit të ligjeve reformuese, Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë vlerësim apo “veting” për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim që gjykatat të pastrohen prej atyre që punojnë me ndikime politike dhe të kthehet besimi i qytetarëve në gjyqësor.

“VETINGU” është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i “vetingut”, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i “vetingut” mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e “vetingut”. Proces i tillë është duke u zhvilluar në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button