Lajmi nuk është hapësirë për idealizimin e figurave politike

Burimi: KriThink

Idealizimi dhe “mitizimi” i një figure politike nuk përbën lajm. Nuk përbën lajm as teksti që nuk përmban karakteristikat kryesore të një lajmi si faktet, argumentet, burimet e informacionit, qëndrimet zyrtare të palëve të involvuara. Në tekstin që e recensojmë, një figurë politike mveshet me petkun e të mistershmit dhe paralajmërohet një hap i rëndësishëm i tij si formë hakmarrje ndaj atyre që e larguan nga një post i caktuar. Në formën që është, informata s’është profesionale. Ja përse!

Foto screenshot nga lajmi që recensohet
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Lajm: Heshtja e thellë e Hazbi Likës që po ua fut lemerinë udhëheqësve të BDI-së?!

Data e publikimit: 03.07.2019

Data e recensionit: 10.07.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Ish zv.kryeministri Hazbi Lika, për autorin e tekstit, është misterioz, person që shkakton kokëdhembje dhe që ua fut lemerinë udhëheqësve të BDI-së, njëri ndër figurat më të njohura të UÇK-së dhe një ndër njerëzit më autoritativ të BDI-së. Paralajmërime, kërcënime, apo ndonjë formë tjetër që nuk është e qartë se si mund të konsiderohen paragrafët të cilët autori i ka bërë pjesë të tekstit të tij.

Mirëpo ata që e njohin mirë thonë për Gazetën Lajm se heshtja e Likës për momentin shkakton kokëdhembjet kryesore në kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Misteri se çfarë hapa do të marë në të ardhmen Hazbi Lika, po ua fut frikën në palcë udhëehqësve të BDI-së, që përfituan në kurriz të tij, kurse taniia kthyen shkpinën”, thonë për Gazetën Lajm burime partiake.” shkruhet në tekst.

Edhe pse u referohet burimeve anonime, teksti nuk është brenda kornizës profesionale. Për hapat e ardhëm të Likës të cilët i paralajmëron autori, lexuesit nuk kanë asnjë dëshmi. Madje, kështu si është, duket totalisht i parëndësishëm si lajm, pa bazë dhe pa interes publik. Heshtja e Likës mund të nënkuptojë thjeshtë heshtje për aq kohë sa autori nuk ka asnjë dëshmi se ai po përgatit diçka me të cilën do të shkaktojë lemeri e kokëdhembje.

Mungesë konfirmimi

Autori ka shkruar për Likën duke e idealizuar e “mitizuar” por nuk e ka kontaktuar për ta pyetur nëse vërtetë po përgatitet të kthehet si bumerang për drejtuesit e partisë së tij. Përveç qëndrimit të Likës lexuesi ka nevojë edhe për qëndrimin e BDI-së, a është e vërtetë se po “tremben” nga ndonjë hap i ardhshëm i tij ose burimet anonime të autorit nuk është dashur të merren aq seriozisht.

Teknikat e manipulimit

Autori thirret në probabilitetin se diçka do të ndodhë vetëm pse burimet anonime i kanë thënë se ka mundësi të ndodhë. Për këtë nuk ka asnjë dëshmi tjetër. E dyta, është shkruar për të selektuar përqëndrimin e vëmendjes, njëra palë lavdërohet pa u informuar për punën e tij të deritanishme në një pozitë të lartë drejtuese kurse pala tjetër mbahet në kureshtje.

Për lexuesit

Edhe pse në shikim të parë mund të tërheqin vëmendjen e lexuesve sepse zgjojnë kuriozitet dhe duken misterioze, këto informacione ose ide nuk mjaftoje vetëm të hidhen sipërfaqësisht e zezë në të bardhë. Është e vështirë të vërtetosh me fakte që raportet mes një funksionari politik dhe partisë së tij amë po përkeqësohen nëse asnjëra nga palët nuk e ka pranuar këtë publikisht. Pastaj, sado për zemër që ta kesh një figurë personalisht, raportimi duhet të jetë objektiv.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button