HOIQI PËR SHQIPTARËT

Prej veprave të moçme mësojmë se si na kanë parë “të tjerët” gjatë një periudhë të caktuar kohore. E tillë është vepra “Vështrim mbi gjeografinë e përgjithshme” nga gjeografi kroat, Dr. Ivan Hoiqi (Origjinal: Dr. Ivan Hoić, Slike općega zemljopisa, Libri IV, Karl Albrecht, Zagreb, 1894).

Dr. Ivan Hoiqi (1850 – 1921), nga Samobori i Kroacisë, kishte doktoruar për gjeografi në Heidelber. Ndërmjet viteve 1888 dhe 1900 e botoi veprën voluminoze “Vështrim për gjeografinë e përgjithshme”, në pesë vëllime. Në vëllimin e katërt të librit (ku ka 97 ilustrime dhe 3 harta), jepen të dhëna për etnopsikologjinë shqiptare, kodet fisnore apo për viset e tyre.

“Shqiptarët, pa dyshim, përkrah grekëve e mbase para tyre, janë banorët më të vjetër në Ballkan… Arbanasët ose Skipetarët janë pasardhës të ilirëve të vjetër”, shkruan Hoiqi, sipas të cilit emri “Albania” rrjedh nga italishtja, pra “i bardhë, për shkak të maleve të zhveshura”.

Shqipëria përshkruhet si vendi më pak pjellor i Turqisë Europiane, me një natyrë të egër dhe me mungesë uji. Katër kombet më të rëndësishëm të Turqisë europiane, sipas tij, ishin: osmanlinjtë (turqit), bullgarët, grekët dhe shqiptarët. Për shkak të rrethanave historike numri i shqiptarëve ishte zvogëluar dukshëm, kurse gjuha shqipe ishte harruar. Në gjithë Turqinë Europiane jetonin rreth një milion e gjysmë shqiptarë, 200 mijë të tjerë jetonin në Greqi dhe 80 mijë në Itali.

Në mesin e shqiptarëve, të ndarë në fise dhe shpesh të armiqësuar, ndjehej edhe hakmarrja kanunore.

Shqiptarët përshkruhen si racë e fortë, me muskuj të fuqishëm, sy të gjallë dhe flokëzinj.

“Ata janë pasardhës së banorëve të vjetër, ilirëve, të cilët, që në periudhën parahistorike, ishin vendosur në Ballkan. Si pjesëtarë të grupit të gjuhëve indoevropiane, ata duket se janë më të afërt me grekët. Gjuha shqipe është shumë pak e studiuar, sepse ata nuk kanë një gjuhë letrare, as alfabetin e tyre”.

Shqiptarët, sipas Hoiqit, ishin të ndarë edhe për sa i përket përdorimit të alfabetit. Në Shqipërinë veriore, falë priftërinjve katolikë, kishte mbishkrime të shenjta të shkruar me alfabetin latin, kurse shqiptarët në jug e përdornin alfabetin grek.

Shqiptarët, për shkak të luftërave të vazhdueshme në tokën e tyre, ishin bërë të rreptë, kundërshtarë të së resë, guximtarë, heronj armësh, adhurues të fushëbetejës dhe të etur për hakmarrje. Ata jetonin sipas zakoneve patriarkale dhe në bashkësi të mëdha, ku burrat martoheshin herët. Hoiq shkruan se mirditasit preferonin edhe grabitjen e vajzave. Tradhtia e grave ishte shumë e rrallë dhe dënohej me vdekje. Brenda lozhave shqiptare, sipas autorit, kishte qeverisje demokratike. Mirdita ishte oligarki katolike, me seli në Orosh, kurse në krye të fisit ishte bajraktari. Te gegët kishte aleanca ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve, që vepronin kundër autoritetit osman, i cili edhe ashtu ishte shumë i dobët në pjesën veriore.

Shqiptarët, sipas Hoiqit, ishin të përçarë në aspektin politik dhe fetar. Derisa shqiptarët e jugut jetonin sipas traditave greke, ata në veri e kishin pranuar fenë islame. Ashtu sikurse në Bosnjë, shkruan ai, një pjesë e madhe e shqiptarëve ishin konvertuar në fenë islame, kurse konvertimi në masë kishte ndodhur në shekullin XVIII. Në Shqipëri dy të tretat e shqiptarëve ishin myslimanë dhe një e treta katolikë dhe ortodoksë.

Hoiqi flet edhe për procesin e helenizimit të shqiptarëve në Greqi, të cilët ishin vendosur rreth Peloponezit në shekullin XII dhe, gjatë gjithë kohës, ishin shquar si luftëtarë për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë.

Varësisht prej besimit orientoheshin edhe simpatitë e shqiptarëve ndaj shteteve të jashtme: katolikët kishin simpati për Italinë dhe Austro – Hungarinë, ortodoksët për Greqinë, kurse myslimanët për Turqinë.

Për shkak se atdheu ishte shumë i varfër, shqiptarët shpesh luftonin me pagesë. Të krishterët ishin mercenarë të Napolit, kurse myslimanët ishin mercenarë të turqve. Kështu ata “ishin një forcë e humbur për atdheun e tyre”.

Në shekullin XV ata ishin bashkuar rreth një pushteti popullor, nën udhëheqjen e Skënderbeut, të cilit, sipas autorit, i këndonin edhe kroatët. Kujtimi për Skënderbeun vazhdonte të ruhej, veçanërisht në Shqipërinë e Mesme. Pas vdekjes së tij kishte filluar shpërngulja e shqiptarëve në Greqi dhe Itali.

Hoiqi shkruan edhe për veshjen e shqiptarëve, që e krahason me atë të grekëve, por thotë se ishin grekët që kishin huazuar prej shqiptarëve. Te grekët e veçon fustanellën, “e cila me gjasë është veshje shqiptare”. Shqiptarët, ashtu sikurse grekët, ishin adhurues të muzikës dhe vallëzimit.

Shqiptarët, sipas tij, merreshin më shumë me blegtori, kurse bujqësia nuk ishte shumë e preferuar, përveçse te toskët e krishterë, që ishin fermerë, mjeshtër dhe tregtarë. Ata jetonin në vendbanime të mëdha “dhe nga pak edhe helenizoheshin“.

Në këtë libër jepen të dhëna edhe për shumë vise të tjera shqiptare. Rajoni i Tetovës dhe pjesa e malit Sharr përshkruhen si vende pjellore dhe të pasura me ujë.

“Mali Sharr është rrënja kryesore malore në gadishull. Sharri është mal i gjatë 70 kilometra dhe i gjerë 35 kilometra, ku lartësohen maje shumë të larta, si Lubotini me 3050 m (kjo lartësi është e ekzagjeruar). Sharri është mal që i ngjan një prizmi gjigant, i cili shtrihet ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës (Kalkandeles)”.

Maqedonia përshkruhet si vend pjellor, me xehe të dobishme, kurse Fusha e Pollogut përshkruhet si ndër më frytdhënëset.

Në këtë libër ka të dhëna sipërfaqësore edhe për disa vende shqiptare, gjegjësisht për Vlorën, Durrësin, Lezhën, Mirditën, Shkodrën, Tiranën, Elbasanin, Gjirokastrën, Janinën ose për disa qytete të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që përfshihen në nënkapitullin ku flitet për “Serbinë e Vjetër”. Për Prizrenin thuhet se ishte qytet me 60 mijë banorë dhe me një panoramë të bukur, ku banorët më së shumti merreshin me armëtari dhe me përpunimin e sermit. Prishtina përshkruhet si qytet i bukur dhe si vendi kryesor në Fushë Kosovë. Mitrovica përmendet si qytet ku fillonte hekurudha, e cila çonte deri në Selanik. Gjithashtu jepen të dhëna demografike për disa qytete: Peja kishte 15 mijë banorë, Gjakova 25 mijë, Novi Pazari, që i takonte vilajetit të Kosovës nga viti 1877, kishte 14 mijë banorë etj.

Përveç Hoiqit ka edhe autorë të tjerë kroatë që kanë shkruar për shqiptarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button