Prokuroria nuk konstatoi përgjegjësi te Vangellovski për abuzime të AKMIS-it

Prokuroria Publike dje parashtroi aktakuzë kundër ish kryetarit të Gjykatës penale Shkup, Vlladimir Pançevski për abuzime të sistemit AKMIS. Prokuroria gjatë hetimit ka konstatuar që ai me urdhër me shkrim ua ka ndarë disa dhjetëra lëndë gjykatësve të përshtatshëm edhe atë më së shpeshti lëndët që kanë qenë të parashtruara nga Prokuroria për krim të organizuar, njofton NOVA, transmeton Portalb.mk.

Mirëpo Prokuroria gjithashtu sugjeron që, përveç te Pançevski, nuk është konstatuar përgjegjësi e këtillë te të tjerë.

“Nga të gjitha provat e siguruara materiale dhe verbale gjatë procedurës paraprake, Prokuroria themelore publike Shkup ka identifikuar veprime me të cilat nga aspekti juridiko penal janë plotësuar elementet e rëndësishme të veprës së përmendur penale nga vetëm një person”– tani i akuzuari ish kryetar i Gjykatës themelore Shkup 1 Shkup, thuhet në fund të komunikatës së Prokurorisë.

Me këtë Prokuroria ka vërtetuar që s’ka gjetur prova për të ngritur aktakuzë edhe kundër kryetarit të Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski megjithëse në Raportin e komisionit të veçantë të formuar nga Ministria e drejtësisë para një viti janë konstatuar abuzime serioze të sistemit AKMIS dhe në këtë gjykatë, që ishin bazë që PTHP-ja të nis procedurë para hetimore.

Çka ka zbuluar Raporti nga viti i kaluar

Sipas raportit të Komisionit, gjykata më e lartë, Gjykata Supreme nuk ka formuar trup punues për menaxhim të lëvizjes së lëndëve në Gjykatë. Aty më shumë here është miratuar Orar i ri vjetor për punë, me ri-sistematizime të shpeshta të gjykatësve pa, siç thuhet “arsyetim adekuat me ç’rast gjykatës të cilët kanë vepruar në lëndë të materies civile kanë qenë të risistemuar të gjykojnë lëndë me material penale dhe anasjelltas”.

Me ndryshimet e shpeshta në orarin e punës, Gjykata supreme ka ndikuar në përbërjen e këshillave të gjykatësve të cilët vendosin sipas lëndëve që tërheq edhe rishpërndarje manuale të lëndëve. Për këtë ka ekzistuar vendim me shkrim nga kryetari i Gjykatës, por i njëjti s’ka qenë në pajtim me Rregulloren e gjykatës.

“Në këtë mënyrë, zgjedhja e rastësishme e gjykatësit me shpërndarje automatike të lëndëve është suspenduar dhe, në vend të zgjedhjes së rastësishme. Ka pasur zgjedhje të gjykatësit i cili është pritur. Në vitin 2016 dhe në vitin 2017 në Gjykatën supreme janë kërkuar rreth 200 përjashtime të gjykatësve në baza të ndryshme. Gjatë rishpërndarjes së lëndëve të veçanta në korrik të vitit 2017 nga një gjykatës, i cili ka paralajmëruar pushim më të gjatë mjekësor në fillim të muajit ndërsa ka punuar me lëndë paraburgimi, të cilat janë urgjente për vendimmarrje, vendimi për përjashtimin e tij nga sistemi AKMIS është sjell një muaj pas paralajmërimit për fillim të pushimit mjekësor të gjykatësit”, shkruan në Raport.

Me shqyrtim të sekretariatit gjyqësor, Komisioni ka konstatuar që shpërndarja automatike e një numri të vogël të lëndëve është kryer disa here gjatë ditës, në kundërshtim me rregullat për shpërndarje automatike të lëndëve.

Në lidhje me hetimin Vangellovski në më shumë raste ka qenë i thirrur në Prokurori, por vetëm si dëshmitar.

Vangellovski i cili është kryetar aktual i Gjykatës Supreme, e ka drejtuar gjykatën e njëjtë edhe në kohën për të cilën vlen Raporti i Ministrisë së drejtësisë.

Nga Prokuroria nuk konfirmojnë në mënyrë decide që hetimi për abuzime të AKMIS-it kundër Vangellovskit është ndërprerë, por në komunikatë konstatohet që me Pançevskin ka mbaruar hetimi rreth abuzimeve të sistemit AKMIS, edhe pse lihet hapësirë, “Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së veriut nëse në kuadër të kompetencave të veta detekton lëshime për kryetarë të tjerë të gjykatave apo gjykatës mund të ngrit procedure për ata, në pajtim me dispozitat ligjore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button