Bërnabiqi s’e ka ndër mend të shkojë në Srebrenicë, gjenocidin e quan “krim të tmerrshëm”

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë të martën në Jahorini (Bosnjë) se nuk planifikon të shkojë në Srebrenicë më 11 korrik ku do të zhvillohet ceremonia përkujtimore e gjenocidit ndaj burrave dhe djemve myslimanë të Bosnjës i kryer nga serbët e Bosnjës gjatë luftës së vitit 1995.

Ajo ka thënë po ashtu se “kthimi vazhdimisht në të kaluarën” nuk sjell paqe dhe stabilitet në rajon, raporton agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

“Nuk jam ftuar (në komemoracion) dhe nuk do të shkoj”, ka thënë Bërnabiqi para gazetarëve, transmeton Koha.net.

Për gjenocidin në Srebrenicë ajo përdori termin “krim i tmerrshëm” dhe shpjegoi se me këtë rast do t’u shprehë ngushëllime familjeve të “të gjitha viktimave të konfliktit” në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ajo me këtë rast përmendi edhe rastin e para katër vjetësh kur në Srebrenicë u sulmua kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se për këtë incident tha se askush nuk është dënuar.

Bërnabiqi beson se do të ishte e dëshirueshme “të mos kthehemi në keqkuptimet nga e kaluara”, siç e ka kualifikuar nevojën për t’u përballur me krimet e kryera gjatë luftërave të viteve të ’90-ta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button