Çështjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë

Disa ditë pas porosive të ashpra, të cilat shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ia kishte dërguar kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borisov, për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kosovën, Serbia dhe Bullgaria i kanë ulur “shtizat” dhe i kanë vënë pikë tensioneve ndërmjet dy vendeve, njofton REL.

Kryeministri i Bullgarisë, Borisov dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nga samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Jahorinë të Bosnjë e Hercegovinës, kanë dërguar porosi se të gjitha mosmarrveshjet janë sqaruar. Menjëherë pas kësaj, nga kabineti i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, është komunikuar se deklarata e Borisovit për Kosovën është “interpretuar gabimisht”.

“I kemi vënë pikën rrëfimit”

Rrëfimi, për të cilin flasin ata, është fronti diplomatik, të cilin Serbia e ka hapur në marrëdhëniet me vendet fqinje, për shkak të Kosovës. Gjithçka kishte filluar kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, me fjalor jodiplomatik i është përgjigjur ndaj deklaratës së kryeministrit bullgar Borisov, i cili kishte thënë që shefi i ri i diplomacisë evropiane, spanjolli Josep Borrell duhet t’i përfaqësojë interesat e Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe jo të vendit të tij, i cili nuk e ka njohur këtë shtet.

Daçiq, duke iu drejtuar Borisovit me “ti”, e ka porositur që “duhet të respektojë qëndrimin e Bashkimit Evropian”.

“Boyko, më duhet të të them një gjë. Qëndrimi i BE-së nuk është që Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boyko, ke për ta respektuar qëndrimin e BE-së dhe jo që t’i mbash leksione Borrellit”, ka thënë Daçiq në intervistën për radiotelevizionin publik të Serbisë, duke shtuar edhe pyetjen “çfarë do të thotë kjo pafytyrësi dhe në çfarë përngjan kjo?”.

Kornizat diplomatike të Daçiqit

Menjëherë pas kësaj, pasoi thirrja e ambasadorit të Serbisë në Sofje, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, prej nga është komunikuar që komenti i shefit të diplomacisë së Serbisë është i papranueshëm dhe që nuk u përgjigjet pritjeve të Bullgarisë në kuptimin e mbajtjes së marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore ndërmjet dy vendeve. Serbia bëri të njëjtën gjë, duke e thirrur të ngarkuarin me punë të Bullgarisë në Beograd. Disa ditë më pas, Daçiq ka thënë se është krijuar mosmarrëveshje dhe është bërë interpretim i gabuar i deklaratave të Borisovit.

“Nga ajo që është publikuar në mediat tona, ka mundur të arrihet në përfundim që Bullgaria po i tërheqë vërejtjen Borrellit që duhet ta respektojë qëndrimin e BE-së për atë që Kosova është e pavarur. Kjo për anën tonë është deklaratë mjaft kontestuese”, tha Daçiq pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të OSBE-së në Sllovaki.

Siç ka theksuar ai, esenca e deklaratës së Borisovit është që ai i është përgjigjur pyetjes lidhur me njëanshmërinë eventuale të tij, marrë parasysh që Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe se ai ka thënë që diplomati spanjoll do t’i respektojë edhe qëndrimet e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Daçiqi ka shtuar që kjo “në mënyrë esenciale e ndryshon atë e cila është transmetuar” dhe se mendon që situata është “pastruar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button