Ivan Georgiev: Në Bullgari pothuajse s’ka luftë kundër dezinformatave

Ivan Georgiev është një udhëheqës dhe gazetar në një nga stacionet televizive më të mëdha në Bullgari, bTV. Viteve të fundit ai ka raportuar dhe ka pasur emisione për disa nga ngjarjet kryesore në rajon, nga të cilat në masë të konsiderueshme nga Maqedonia, si dhe bota, raporton META.mk.

Është gazetar i diplomuar në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit” dhe ka fituar çmime të shumta të gazetarisë – në mesin e tyre Çmimin e madh kombëtar për gazetari hulumtuese, që i  ka dhënë Fondacioni “Radostina Konstantinov”, ndërsa ka qenë edhe në një vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të organizuar nga Instituti Botëror për Media (World Press Institute).

Me Georgievin biseduam për dezinformimet dhe manipulimet e mediave në Bullgari e më gjerë, me theks të veçantë për atë se sa Maqedonia është cak i këtij lloj përmbajtjeje qëllimkëqija.

Cilat janë manipulimet më të shumta mediatike dhe dezinformimet  në Bullgari?

– Ndoshta duhet së pari të flasim për llojet kryesore të lajmeve të rreme që po publikohen në Bullgari. Një vështrim më i detajuar i problemit do të tregojë qartë dy narrative kryesore – njëra i drejtuar kundër Perëndimit (kundër BE-së, NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vlerave perëndimore në përgjithësi). Ndërsa lloj i dytë është një lajm i rremë i drejtuar kundër mediave lokale bullgare dhe gazetarëve të pavarur, politikanëve të opozitës, biznesmenëve të “pabindur”, intelektualëve dhe të tjerëve që kanë marrë guximin për të kritikuar gjendjen e tanishme politike në vend. Ata shpesh i quajnë “agjentë të Soros-it”, “homoseksualë”, “tradhtarë”, “përkrahës të komploteve anti-bullgare dhe anti-krishtere” etj. Me fjalë të tjera, ky narrativ tregim është vetëm për përdorim në shtëpi.

Pa pretenduar të bëj ndonjë analizë shkencore të lajmeve të rreme në Bullgari, si gazetar aktiv dhe konsumues lajmeve lokale, do të thosha se këtu më i pranishëm është lloji i parë i informacionit të gabuar me qëllim keqdashës. Dhe ka një arsye të qartë për këtë. Kur flas me gazetarë të rinj apo studentë të gazetarisë, shpesh bëj një pyetje: “A e dini se çfarë është buxheti i akumuluar i NATO-s për mbrojtjen e Aleancës? Kini parasysh se Bullgaria është anëtare e NATO-s”. Në vitin 2017, ai buxhet ka qenë 946 miliardë dollarë (burimi: Majkël Kofman, Qendra për analiza të marinës, 2017). “Ndërsa a keni ndonjë njohuri për buxhetin e Federatës Ruse në të njëjtën periudhë?” Ai buxhet arrin 47.7 miliardë dollarë.

Nëse nuk mund të fitoni një konflikt konvencional – me pushkë, avionë, tanke etj. – atëherë është mjaft e logjikshme të ridrejtosh veprimin në fushën e të ashtuquajturës “luftë hibride”, siç i quajmë – në fakt, lajmet e rreme dhe kontrollin e rrjedhës së informatave janë arma më efektive në këtë luftë. Gjithashtu edhe kontrolli i medias. Njëkohësisht edhe kontrolli i besimit të qytetarëve ndaj mediave.

Bullgaria është shtet në kufi midis Perëndimit dhe Lindjes. Edhe ndonëse shumica e qytetarëve deklarojnë se janë “për BE” dhe “për NATO” dhe “për vlerat perëndimore”, vendi ynë ka lidhje të thella historike dhe kulturore me Rusinë. Pikërisht për këtë arsye propaganda ruse e sheh atë si një pikë të dobët në hartën evropiane. Prandaj edhe shfaqen tituj si “pedofilët norvegjezë duan fëmijë bullgarë” ose “Evropa e ndalon ortodoksinë”.

A ka Bullgaria një plan për të luftuar dezinformimin dhe sa është ai plan aktiv?

– Në BE ka disa iniciativa të përbashkëta, si dhe disa platforma evropiane, të cilat përpiqen të arrijnë tek konsumatorët e lajmeve lokale, por unë do të thosha se rezultatet e tyre janë minimale ose nuk ekzistojnë. Edhe nëse ka ndonjë plan të vërtetë, specifik për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformimin në Bullgari, unë s’kam dëgjuar për të. Përveç kësaj, mendoj se s’ka vullnet të mjaftueshëm politik për t’u marrë me këtë problem, sepse, së pari, politikanët në pushtet dhe bizneset e lidhura me to kanë përfitime të mëdha nga të gjitha fushatat negative kundër zërave të pavarur në vend.

A ka aktgjykime me të cilat ndëshkohet përhapja e lajmeve të rremë apo e  gjuhës së urrejtjes?

– Ka pasur disa raste të hetimeve dhe madje edhe një ose dy aktakuza, por jo aktgjykime të prera. Për lexuesit tuaj mund të jetë interesant të lexojnë që në maj të vitit 2018, një deputet nga partia kryesore e opozitës në atë kohë, Tasko Ermenkov, u gjend në qendër të vëmendjes së publikut sepse nëpërmjet profilin e tij në Fejsbuk përhapte thashetheme se uji në kryeqytet, Sofje, është helmuar dhe se qytetarët nuk duhet ta pinë atë. Prokuroria refuzoi të fillonte hetim dhe të ngrinte padi kundër tij.

A janë shoqatat e mediave aktive në luftën kundër dezinformimit?

– Mendoj se më tepër është me fjalë se e shndërruar në veprim të vërtetë.

Si është e përfaqësuar Maqedonia në mediat në gjuhën bullgare?

– Si gazetar në programin informative në mediumin më të madh dhe më të shikuar në Bullgari, unë e mbuloj Maqedoninë në 10 vitet e fundit dhe mendoj se proceset aktuale politike dhe shoqërore në Maqedoni janë shumë interesante për publikun bullgar. Bullgarët me të vërtetë janë kureshtarë për Maqedoninë dhe maqedonasit. Lidhja historike krijon edhe lidhje të qartë emocionale. Edhe mediat lokale e kuptuan këtë fakt. Për këtë arsye Maqedonia është shpesh e pranishme në hapësirën informative në Bullgari – me video kontribute dhe lajmërime të drejtpërdrejta, si dhe me TV dokumentarë seriozë televiziv, artikuj në mediat onlajn, në gazeta dhe në forma tjera të mediave moderne. Çdo të dytën ditë ka lajme dhe raporte të dedikuara për Maqedoninë. Kjo, sipas përvojës sime, nuk është rasti me mbulimin e Bullgarisë nga mediat e Maqedonisë – ato rrallë e bëjnë këtë.

Megjithatë, sipas mendimit tim, cilësia e raporteve nga Maqedonia, gjatë 10 viteve të fundit, është përmirësuar dukshëm dhe është bërë më gjithëpërfshirës dhe më i thellë. Së pari, gazetarët të cilët mbulojnë temat në Maqedoni janë më të aftësuar dhe rrjedhimisht, i kuptojnë më mirë proceset politike dhe sociale në vend. Autoritetet lokale në Maqedoni gjithashtu u hapën për mediat e huaja më shumë se në kohën kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski, për shembull. Gjithashtu, maqedonasit me sa duket u mësuan me ekipet e huaja të mediave që incizojnë rrugëve të Shkupit. 10 vjet më parë kjo ishte një pamje ekzotike. Ajo gjithashtu lehtëson punën e mediave bullgare në territorin e Maqedonisë.

A publikohen dezinformata për Maqedoninë dhe cilat janë më të zakonshmet?

– Nuk do të thosha që ndodh shpesh. Në të vërtetë, më kujtohen vetëm disa lajme të rreme që kishin të bëjnë me Maqedoninë, e që kohëve të fundit janë gjendur në mediat bullgare. Lajmi kryesor dhe më shpifuri ishte një lajm që së pari u publikua nga media në Maqedoni e pastaj u transmetuar edhe nga mediat në Bullgari, të cilat nuk bënë fare përpjekje për të verifikuar faktet – e kjo ishte në  pranverë të vitit 2016, kur mediat në Maqedoni publikuan informatën se një turiste bullgare kinse e kishte vrarë një mjellmë duke e kapur atë për krahu për të bërë një selfi. Kjo u transmetua jo vetëm në Bullgari, po edhe në Britaninë e Madhe, për çka u raportua edhe në disa media në Bullgari. Më vonë mësuam se turistja s’kishte qenë bullgare, por nga Shqipëria dhe se mjellma nuk ishte vra. Kafsha ishte lënduar dhe fatmirësisht, shpejt ishte shëruar.

Për ata prej nesh, të cilët bëjnë analiza të kujdesshme të përmbajtjeve në media e Maqedonisë, ky ishte vetëm një shembull i trendit afatgjatë të raportimit negativ në Maqedoni për Bullgarinë. Ishte, por edhe tani, në një farë mase, është vështirë të gjesh lajme pozitive nga Bullgaria (ose lidhur me Bullgarinë) në mediat e Maqedonisë. Ky imazh kryesisht negativ i fqinjëve ishte pjesë e doktrinës politike maqedonase për shumë vite. Kulminacioni erdhi në një kohë kur u bë e qartë se do jemi dëshmitarë të ndryshime të rëndësishme politike në Maqedoni rreth tre vjet më parë. Disa media bullgare gjerësisht e mbulonin të ashtuquajturin “gazetar” Milenko Nedellkovski disa veprime të tij në lidhje me monumentin në Maqedoni që është pjesë e trashëgimisë bullgare, pa pasur nevojë të marrin në konsideratë (ose thjeshte e injoruan) lidhjen e tij me Qeverinë e Maqedonisë dhe kreun e saj. Ne të tjerët që dinim më shumë rreth Nedellkovskit, reputacionin e tij profesional dhe veprimet e tij ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe intelektualëve në Maqedoni, ishte e qartë se do të ishte gabim për të vënë shenjë e barazisë midis tij dhe gazetarisë maqedonase.

Përveç kësaj, unë e di se ka një brez të ri gazetarësh hulumtues të cilët po shfaqen në Maqedoni, puna dhe përpjekjet e të cilëve në këtë fushë duhet të respektohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button