Haradinaj kërkoi vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që drejton, nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë, për rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, 20 vjet më parë.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi, transmeton REL.

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çështja e vëllezërve Bytyqi, ka dominuar gjithmonë bisedimet ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënimin e vrasësve.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Kongresisti amerikan Eliot Engel, gjatë vizitës në Beograd javën e kaluar, tha se “rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë”.

“Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiq e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd”, tha Engel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button