METAFORAT, MOTORI, TRAKTORI

Dritarja e hapur pak. E dëgjoj qetësinë e natës të stolisur me fëshfërima gjethesh që vallëzojnë në errësirë. Kjo pamje është një lidhje e thellë e do të kisha thënë edhe e ndërlikuar imja me natyrën e krijuar që në kohët e viset e fëmijërisë.  Të cilën e evokoj. Dhe, kjo situatë më bën të qetë e të relaksuar. Pastaj diçka e prish idilën. Me shpejtësi marramendëse dhe me zhurmë të paparë  kalon një motor i madh rrugës dhe tretet në errësirë. Pastaj heshtje. Pastaj bulkthi ia jep cicërimës dhe e prish qetësinë. Përsëri heshtje. Dikur prapë  kthehet motori. Edhe njëherë vijnë shqetësimi dhe befasia e pakëndshme. Zhurma e padurueshme e motorit.

E hap pak më shumë dritaren. Në terr duket vetëm drita e kuqe e stopit të motorit që humb në krahët e natës. Prapë qetësi. Lart në qiell hëna rrëshqet e del nga pushteti i reve. Hëna e shfrytëzon largimin e saj nga reja të çojë pak dritë edhe në dritaren time. Shpejt del një re tjetër, e rrethuar me një vijë të zezë, thuajse është ndonjë tegel që e rrethon pëlhurën vigane të përhimët. Pastaj reja duket si një hartë e madhe që noton në qiell, si një hapësirë e vogël që ngutet të tretet në harresë. Një copë e saj shkëputet dhe shkon kah hëna, ta pushtojë. Po s’ia del ta rrokë. Hëna vazhdon të qëndrojë e buzëqeshur përballë shtëpisë sime.

Loja e hënës dhe qetësia na e mundësojnë kënaqësinë e përjetimit me intensitet  të fëmijërisë. Vazhdon disponimi i mirë.

Por… përsëri… motori e zhurma e tmerrshme… E presin si me shpatë këtë gjendje të këndshme shpirtërore, e përmbysin disponimin. Kjo zhurmë, ky motor, është presion, është dhunë. Në të vërtetë kështu ngrihet një mur midis meje dhe fëmijërisë. E, japin urdhër të prerë për ta braktisur bredhjen nëpër ato vise magjike fëmijërore, nëpër këndet e fshehta të shpirtit, e të kthjellem, të vetëdijesohem se jam në të tashmen, jam në një kohë e në një hapësirë krejt tjetër, ku nuk lejohet më bredhja me gëzimin që  jemi dhe që jemi të bindur se koha nuk ecën, se notojmë në amshim.

Por… këtu ku jam, në këtë çast e në këtë vend, në të tashmen, ikin me shpejtësi drite ditët, javët e vitet. Në këtë kohë s’ka kohë të na kujtohet se ekzistojmë për të qenë të lumtur, në këtë kohë kërkohet punë sizifjane, ngutje marramendëse për ta siguruar copën e bukës, duhet menduar për të mos përfundosh në skëterrën e mëshirës së huaj. Nuk ka më t’i dorëzohesh gurgullimës së gurrës në rrënjë të ahut, hijes së manit, shullërit me lule të verdha, nuk ka vrapim pa brenga pas xixëllonjave e pas fluturave.  Në këtë kohë nuk njihet lista e gjatë e emrave që e bëjnë skenën madhështore të së kaluarës ku është vendosur hamulla mbi të cilën pluskojnë flutura vape dhe flutura të vërteta, ku këndojnë zogjtë magjikë nëpër lisat si ata nga kënga “Ajkuna kjan Omerin, ku je midis thirrjes së largësive që të joshin për lojë dhe thirrjes së butë të nënës me lutjen mos u vono, bir.

Leje kalimi tash ka vetëm pikëllimi, lejohet të kalojë e të qëndrojë prania e tij për ta zbutur egërsinë e momentit të ilustruar me një motor dhe me zhurmën e egër të tij. Bashkë me pikëllimin rrjedh edhe procesi i harresës që nuk pushon dhe dëshmon për ballafaqimin e kokëfortësisë së harresës dhe rezistencës së pashoqe që e bëjnë kujtimet. Edhe në këtë pikëllim është një mundësi e vogël që të mban në hapësirat bleroshe të fëmijërisë, sepse pikëllimi vjen si shkak si kujtimit. E nuk ka shteg nga i cili mund të dilet nga fushat e dikurshme të rritës e të lojës.

Në atë çast cingëron alarmi i telefonit celular.

E hedh tutje. O lërmë të qetë”!

Sa lëmsh i madh i mrekullive, sa çudi në harkun kohor nga ditët e fëmijërisë deri më tash. Përsëri bie telefoni.  Unë vazhdoj  të eci këndeve të fshehta të shpirtit ku ruhen edhe zëri i gjyshes, edhe qortimet e babait… Pastaj…

Bie ora katër duke bërë me dije me indiferencë se iku edhe një ditë.

Atëherë  në dritare futet një dritë e artë.

E ngre kokën dhe e shoh se si shfaqet madhështore aurora mbi kodër.

Nëna natyrë i shpalon mundësitë e veta. E ngre perden e saj dhe “në skenë” del jeta: era e lehtë si bën muzikë nëpër degë, pastaj kënga e harabelave si e zëvendëson këngën e bulkthit dhe era e mirë e barit të kositur në park. Lulet…  gurgullima e përroit…

Pastaj nga fqinjët dëgjohet muzikë popullore.

Hapet bota e metaforave!

Gëlojnë në vargjet e këngës sonë të bukur popullore lulja, bilbili, petriti,  yjet, dielli, hëna, ylberi, lisi… mollëkuqja, flutura… përroi malor, liqeni… aurora, trëndafili…

Në botën përrallore të këngës popullore

nuk depërton dot

motori, traktori, kamioni…

Këto fjalë s’bëhen dot metafora!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button