Sociologjia e diplomacisë dhe etika ndërkombëtare

“Nëse jetësohen si duhet, etika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin XXI do të frymëzojnë; nuk do të prodhojnë e as do të zbatojnë ligje… do ta ruajnë lirinë dhe diversitetin”
J.H. Rosenthal

Ndër disiplinat e shumta sociologjike (e kulturës, e politikës, e së drejtës, e arsimit, e fesë, e dijes, e historisë, e ekonomisë e të tjera) është edhe ajo e diplomacisë (sociology of diplomacy), që nënkupton përpjekje për të teorizuar dhe kuptuar diplomacinë brenda një konteksti sociologjik dhe me një qasje kërkimore sociologjike. Sfondi i këtij shqyrtimi mund të gjendet në arsyetimin se një formë ose shfaqje e diplomacisë varet nga një situatë shoqërore dhe historike. Sociologji speciale që trajton kontekstin, zhvillimin dhe operimin social të diplomacisë.

Nëndisiplinë sociologjike që merret me studimin e kushtëzueshmërisë sociale të diplomacisë si dhe me studimin sociologjik të kontekstit shoqëror dhe të operimit të diplomacisë, marrëdhëniet dhe proceset e përfshira në trajtësimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, me të kuptuarit dhe shpjegimin e diplomacisë dhe të raporteve mes strukturave të përgjithshme dhe të tjerave  që shfaqen përmes këtij procesi ose që marrin pjesë në të, si dhe me ndërveprimet që prodhohen që andej.

Diplomacinë si art i përfitimit në favor të shtetit vetjak gjatë zhvillimit të marrëdhënieve dhe takimeve ndërkombëtare, disa autorë e ndërlidhin edhe me moralin dhe kështu lind togfjalëshi diplomaci morale. Kjo lloj diplomacie merret me një politikë të jashtme që nxit afirmimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e “lirisë kushtetuese” në botë. Sistem i propozuar nga Woodrow Wilson-i pas zgjedhjes si president (1912), që u ofronte ndihmë vendeve me bindje morale të ngjashme me ato të Amerikës, shteteve demokratike, duke nxitur përhapjen e demokracisë anekënd botës dhe duke kundërshtuar dhe ndëshkuar ekonomikisht diktaturat apo jodemokracitë, në veçanti në Amerikën Latine. Wilson-i qe ndikuar nga exceptionalism-i – “veçanësia”: bindja se Shtetet e Bashkuara ndryshojnë nga vendet e tjera dhe se misioni i tyre është të përhapin lirinë dhe demokracinë.

Njëherë, më 1913, Wilson-i pat pohuar se “do t’i mësonte republikat amerikanojugore që të zgjedhin njerëz të mirë”. Disa mendojnë se ky term nënkupton presionin e SHBA-së ndaj shteteve më të vogla për të zgjedhur prijës apo një lidership të përshtatshëm për politikën amerikane. Është një diplomaci që ka zëvendësuar atë të dollarit të Willaim Howard Taft-it. Të tjerë pohojnë se kjo lloj diplomacie ka dështuar, ngaqë Amerika po varet gjithnjë e më tepër nga aleatët, që shkelin mbi parimet e demokracisë (raste si ai Tailandës, Filipineve, Egjiptit, Arabisë Saudite, Hungarisë etj.). Mandela e ka përdorur diplomacinë morale strategjike në negociatat mes Libisë, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar lidhur me rastin Lockerbie.

Një segment tjetër që ndërlidhet me dinamikën dhe komunikimet e vazhdueshme mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për realizimin e interesave të politikës së jashtme është etika ndërkombëtare (international ethics). Ajo është një sferë e marrëdhënieve ndërkombëtare, e aktualizuar veçanërisht në vitet 1980, që merret me detyrimet etike mes shteteve në epokën e globalizimit, me forcimin e drejtësisë mes shteteve, që promovon të drejtat e njeriut si qëllim themelor i politikës së jashtme, që diplomatit i jep një orientim dhe busullë morale, që afirmon vlerat e përbashkëta të njerëzimit, si mirëbesimi, sinqeriteti, përgjegjësia, solidariteti etj.

Ekzekutim i politikës së jashtme përmes mjeteve paqësore. Ndër temat e kësaj fushe janë lufta e drejtë, të drejtat e njeriut, ndërhyrjet humanitare etj. Vaclav Haveli ka thënë se një vlerë që qëndron më lartë se shteti, se humaniteti dhe se pikëpamjet mbi vlerat ka vlerë më të madhe sesa interesat; të parat i bashkojnë njerëzit mes vete, kurse kategoria e interesit i ndan ata. Etika në marrëdhëniet ndërkombëtare është zë kritik i teoricienëve politikë liberalë, i feministëve, teoricienëve kritikë, i pasmodernistëve dhe paskolonialistëve kundër realizmit dhe shkencës sociale të pastruar nga vlerat (value-free social science), kundër tezës se marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë inherente janë imorale, se etika dhe diplomacia janë terma kontradiktorë ose oksimoronë, se “politika e jashtme është çështje e kostos dhe benefiteve dhe jo e teologjisë (F. Zakaria). Sinonim i etikës ndërkombëatare është morali ndërkombëtar (international morals) që ka të bëjë me rregulla të pashkruara të formuara përgjatë historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, që bazohen në parimet etike e njerëzore, të cilat çdo shtet është i detyruar t’i respektojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button