Taksat rrugore do të duhet të paguhen për kreditë, kamatat dhe komisionet për autostradat (VIDEO-INFOGRAFIK)

Edhe pse kanë ndër pagat më të ulëta në Evropë, megjithatë qytetarët e Maqedonisë paguajnë taksa rrugore shumë të shtrenjta. Kompensimi për një kilometër të kaluar me makinë është 2.5784 denarë, ndërsa miratimi i çmimit të ri të taksës në vitin 2014 ishte justifikuar nga VMRO-DPMNE me  pohimin se kriza ekonomike globale kishte përfunduar dhe se patjetër duhej të rritet shuma që shoferët e kishin paguar më parë për taksë rrugore deri në vitin 2008, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Dëmet më të mëdha nga kostoja e lartë e taksave rrugore e ndjejnë banorët lokalë dhe ata që udhëtojnë çdo ditë për në punë ose studime në Shkup. Ata janë të detyruar të paguajnë taksë rrugore pothuajse dy herë më të shtrenjtë se qytetarët të cilët kalojnë distancën e njëjtë në vendet fqinje, për shkak se Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore s’ka parashikuar të lëshohen kartela mujore dhe vjetore me të cilat mundësohet ulje për shoferët e rregullt.

Shoferët në vendet fqinje paguajnë më pak

Për krahasim, çdo qytetar i Serbisë ka të drejtë të nxjerrë kartë mujore ose vjetore për cilindo destinacion. Çmimi i një kartelës mujore përllogaritet duke e shumëzuar koston e taksës për një destinacion të caktuar me 40. Çmimi për një kilometër të kaluar me makinë në Serbi është 1.9 denarë, duke theksuar se  nga 1 korriku do të rritet në 2.1 denarë. Në Greqi, banorët lokalë të cilët udhëtojnë çdo ditë në autostradën Selanik – Athinë marrin zbritje deri në 80% të tarifës mujore për këtë shërbim.

Në Shqipëri, për qytetarët të cilët jetojnë përgjatë autostradës Ibrahim Rugova është siguruar zbritje për udhëtime të rregullta gjatë muajit. Për 80 cent në një drejtim, një shofer nga Kukësi mund të kalojë gjithë autostradën në drejtim të Tiranës. Në Kosovë, nuk ka fare pika për pagesë të taksave rrugore, ndërsa qytetarët paguajnë vetëm taksë rrugore kur i regjistrojnë automjetet. Në fund, Bullgaria është i vetmi vend fqinjë që s’ka pika për taksa rrugore në autostrada, por atje paguhen vinjeta. Në vend që qytetarët të paguajnë për kilometër të kaluar, shoferët bullgarë paguajnë për vozitje brenda një periudhë të caktuar kohore.

Vinjetat elektronike mund të blihen onlajn dhe mund të përdoren gjatë 1 fundjave, 1 javë, 1 muaj, 3 muaj ose 1 vit. Sa më e gjatë është periudha, në Bullgari, vinjeta është aq më e lirë. Fqinji ynë lindor nuk është i vetmi në Evropë që përdor këtë mënyrë të arkëtimit. Austria, Rumania, Moldavia, Zvicra, Sllovenia, Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria dhe Letonia aktualisht përdorin vinjeta.

Pikëpagesa në Maqedoninë e Veriut
Pikëpagesa në Maqedoninë e Veriut

Taksa rrugore vs vinjeta

Profesoresha Verica Dançevska nga Fakulteti Teknik në Manastir mendon se lartësia e taksave rrugore në Maqedoni nuk është e përshtatur me standardin e qytetarëve. Ajo thotë se për mënyrën e tanishme të taksave rrugore, nuk kanë qëndrim të koordinuar as ekspertët. Sistemi për disa është i favorshëm, sepse të gjithë përdoruesit paguajnë sipas kilometrave të kaluar.

“Disavantazhi i këtij është se nuk ka lehtësime të caktuara për ata përdorues të cilët kalojnë shumë kilometra gjatë vitit”, thekson profesoresha.

Përkundrazi, disa ekspertë mendojnë se ata që i përdorin rrugët më shumë edhe duhet të paguajnë më shumë, sepse ato i amortizojnë më tepër rrugët.

Sipas drejtorit të NP për rrugë shtetërore Zoran Kitanov, shoferët e Maqedonisë nuk i paguajnë taksat më të larta. Ai theksoi se Serbia ka një sistem të mbyllur të mbledhjes së pagesave, i cili nënkupton vendosje të pikave për pagesë të taksës në çdo dalje ulje hyrje në autostradë, duke i përfshirë taksat rrugore para vendkalimeve kufitare.

Për dallim nga kjo, Maqedonia me dekada ka një sistem të hapur të arkëtimit të taksave rugore. Kjo do të thotë se në vende të caktuara në autostrada vendosen pika për pagesë të taksave, në të cilat paguhet për distancën e kaluar.

“Me një sistemin e hapur ndonjëherë fiton, nganjëherë humb”, thekson Kitanov.

Si një shembull, ai përmend qytetarët Kumanovës të cilët udhëtojnë deri në kufirin serb, e të cilët me sistemin e hapur nuk paguajnë për kilometrat e kaluar në atë seksion të autostradës.

Në të njëjtën kohë, kreu i kësaj kompanie publike beson se vinjetat si sistemu  janë prezantuar gabimisht qytetarëve të Maqedonisë.

“Askush nuk tregon se vinjetën duhet ta blesh, posa të dalësh nga qyteti në një rrugë rajonale, e mos të flasim për autostradë. Çfarë do të thotë kjo? Nëse sot udhëtoni nga Qendra në Draçevë vetëm një herë në 15 ditë, ju duhet të paguani shumën e plotë”, thekson Kitanov.

Nga futja e vinjetave humbje do të ketë një pjesë e madhe e popullsisë, sepse edhe me një udhëtim nga rruga e rangut më të ulët në rrethinë të qytetit do të duhet të blejnë vinjetë. Edhe nëse është ndonjë rrugë rajonale prej 2 km, thotë ai, sistemi për pagesë kërkon që ta paguani shumën e plotë të taksës për një javë ose një muaj.

Vinjeta si sistem i pagesës është e diskutueshëm edhe për Bashkimin Evropian, i cili me vendimin e fundit i detyron anëtaret e tij të miratojnë sistem të ri sipas të cilit qytetarët do të paguajnë taksë sipas kilometër të kaluar me automjet. Zëvendësimi i vinjetave me pagesë taksës rrugore në BE duhet të bëhet deri në vitin 2023 për autobusët dhe për kamionët, ndërsa makinat do të duhet të përfshihen në sistemin e ri më së voni deri vitin 2027.

Nga ana tjetër, profesorja Dançevska thekson se mënyra aktuale e arkëtimit të taksave në Maqedoni është i vjetruar.

“Për shkak të rritjes së përdorimit të automjeteve, pikat për pagesë nuk do të kenë fuqi të mjaftueshme për të pranuar të gjitha automjetet nga infrastruktura rrugore”, thotë ajo.

Në shumë vende evropiane tashmë është ka filluar përdorimi i sistemit modern elektronik i pagesës pa ndalje të automjeteve, gjë që duhet të bëhet edhe në vendin tonë.

Nga NP për rrugë shtetërore thonë se tashmë janë duke punuar në instalimin e sistemit për pagesë elektronike, i cili do të mundësojë zbritje prej 2-7 % për shoferët nëse paguajnë me kartelë smart ose tag. Përfitimin më të madh nga ky sistem do ta kenë kompanitë e transportit me automjete dhe ata me kamionë. Ata do të kenë mundësi të marrin zbritje prej 7% të taksës rrugore, për shkak se kusht për zbritje është mbushja e pajisjes elektronike për një shumë prej mbi 300,001 denarë.

Të ardhurat rriten ashtu si rritet mos kënaqësia e qytetarëve

Se taksat rrugore janë pulë e artë për NP për rrugë shtetërore tregojnë edhe të dhënat për të ardhurat e mbledhura dhe numrin e automjeteve që kanë paguar gjatë viteve. Vetëm brenda 5 vitesh, grumbullimi i taksave është rritur për pothuaj 12,7 milionë euro. Nga 27.8 milionë euro në vitin 2014, të ardhurat nga kjo pagesë vitin e kaluar kanë arritur 40.5 milionë euro. Në të njëjtën kohë, numri i makinave që kanë paguar taksë rrugore në vitin 2018 ka shkuar në 41.133.515, ose gati 10 milionë automjete më shumë se në vitin 2014.

German Fillkov nga Qendra për Komunikime Civile beson se taksat perceptohen nga qytetarët si taks me një drejtim, për të cilën ata nuk marrin shumë mbrapa.

“Autostrada kanë vrima, nuk janë të shënuara mirë, sinjalizimi përgjatë rrugës është i zbehur, nuk ka vende funksionale për pushim dhe kushte të ngjashme të nevojshme siç ka në vende të tjera. Rrugët me pagesë janë të shtrenjta në proporcion të cilësisë dhe kushteve të rrugës”, tha Fillkov.

Se kjo deklaratë është e saktë mund të shihet nëse analizohen çmimet e fundit të taksave në vend. Çmimi i kësaj takse në korrik 2014 u rrit për 35%. Qysh në nëntor të vitit 2014, qeveria e atëhershme mori kredi prej 18.7 milionë euro nga BERZH për instalim të sistemit elektronik për arkëtim të taksës në Korridorin 10. Edhe pse ishte premtuar se do të bëhet operacional jo më vonë se në fillim të vitit 2016, qytetarët tashmë disa vjet paguajnë për të dy sistemet e arkëtimit të pagesave.

Sistemi elektronik është vonuar për më shumë se tre vjet, edhe pse kredia për këtë projekt tashmë është ngritur. Në të njëjtën kohë, shoferët e Maqedonisë paguajnë edhe për punonjësit që kryejnë mbledhjen manuale të taksave, të cilat tashmë duhej të zëvendësoheshin me metodën e re të pagesës. Edhe pse sistemi elektronik i Korridorit 10 është vonuar, për momentin aktual është tenderi për 15,3 milionë euro plotësuese që do të shpenzohen për arkëtim elektronik të taksave në Korridorin 8, si dhe ndërtimin e 3 pikave të reja për arkëtim në autostrada Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër. Me kredinë e fundit të BERZH-it, vlera e sistemit të përmirësuar për arkëtim të taksave u rrit në 34 milionë euro.

Taksat rrugore i kthejnë kreditë e pavolitshme nga e kaluara

Drejtori Kitanov tha se me të ardhurat nga taksat, po kthehen kreditë e marra për ndërtimin dhe rindërtimin e infrastrukturës rrugore. Ai përmendi shembullin me këstin e parë prej 22 milionë eurosh nga kredia e Bankës kineze Eksim, që do të arrijë për t’u kthyer në korrik.

“Të gjitha mjetet që kemi kursyer, në korrik, do të shkojnë për të paguar këstin”, thekson Kitanov.

Dhe pikërisht kreditë kineze me vlerë 580 milionë euro u ngritën nga qeveria e Maqedonisë në vitin 2013. Në vitin kur taksa rrugore u shtrenjtua për 35 për qind, kompania kineze “Sinohidro” nisi me ndërtimin e dy autostradave Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër. Një vit më vonë u dëgjuan “bombat” e publikuar nga LSDM-ja për komisionin prej 5% që ishte dhënë për të zgjedhur kompani të përshtatshme që do të ndërtonte autostradën Kërçovë-Ohër.

Pagesa elektronike në pikëpagesë
Pagesa elektronike në pikëpagesë

Në “bombën” e 14-të u dëgjua se si çmimi i vlerësuar i autostradës ishte rritur së bashku me komisionin e propozuar që do të merrej nga përfaqësuesit e partisë në pushtet. Krejt këtë, natyrisht, duhet të paguajnë qytetarët/shoferët përmes taksave rrugore, kompensimin për rrugë gjatë regjistrimit të automjeteve dhe akcizës mbi karburantet e naftës. Prandaj, ulja e tarifave të pagesave duket si një mision i pamundur për garniturën aktuale qeverisëse, sepse, megjithatë, buxheti duhet të mbushet për të shlyer kreditë, interesat dhe komisionet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button