Peruja bëri çmos, por Brazili përsëri kampion (VIDEO)

Copa America 2019 filloi dhe mbaroi me ndeshjet e ekipit të Perusë, njofton Portalb.mk.

Ekipi i Perusë rrugëtimin deri në finalen e Copa America “Brazil 2019” e filloi me 14 qershor me ndeshjen kundër Venezuelës (0-0), në kuadër të Grupit A.  Në këtë grup ishte edhe finalisti tjetër, Brazili i cili ndeshjen e parë e zhvilloi po atë ditë kundër Bolivisë, duke fituar me rezultat bindës 3-0.

Këta dy ekipe, para finales ishin takuar edhe në kuadër të grupit, ku ekipi i Brazilit e mundi ekipin e Perusë me rezultat të thellë, 5-0.

Peru është ekipi që vetëm me dy fitore (kundër Bolivisë në grup dhe Kilit në gjysmëfinale), ka arritur në finale. Ndërsa te ekipi i Brazilit, vlen të theksohet se është ekipi i vetëm që deri në finale ka shënuar 10 gola, ndërsa nuk ka pranuar asnjë gol.

Në finalen që filloi në ora 22:00, Brazili u paraqit me këtë formacion: Becker; Dani Alves, Marquinhos, Thiago Silva, Alex Sandro; Arthur, Casemiro; Gabriel Jesus, Voutinho, Everton; Firmino. Ndërsa, ekipi i Perusë u paraqit me këtë formacion: Gallese; Advincula, Zambrano, Abram, Trauco; Tapia, Yotun; Flores, Cueva, Carillo; Guerrero.

Edhe pse para disa ditëve ekipi i Brazili e fitoi Perunë me rezultat 5-0, kështu lehtë nuk kaloi sonte në finalen që u zhvillua në “Marakana”. Fillimisht rezultati u hap në minutën e 15’, kur Evertoni shfrytëzoi një krosim të Jesusit nga ana e djathtë.

Por, Peru nuk lejoi që pjesa e parë të mbyllet me këtë rezultat. Thiago Silva u tregua i pakujdesshëm në 16-metërsh, duke prekur topin me dorë, gabim i cili i mundësoi një penallti Perusë. Këtë penallti u kujdes ta shfrytëzon saktë Guerrrero në minutën 44’.

Derisa u mendua se pjesa e parë po përmbyllet me barazim, Jesus në minutën 45+3 shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Perusë, për të përmbyllë rezultatin e pjesës së parë, 2-1.

Në pjesën e dytë, Brazili vazhdon të ndjen presion nga Peru, duke u rrezikuar në disa momente. Situata për Brazilin u komplikua në momentin kur Jesusi në minutën 70’, mori kartonin e dytë të verdhë. Brazili ngeli me një lojtar më pak. Menjëherë, Peru rrezikoi portën e Brazilit me një goditje të Flores, goditje e cila heshti gjithë publikun, derisa kaloi skaj shtyllës.

Por, rezultati përfundimtar u formësua në momentin kur një gabim i mbrojtjes së Perusë, i dhuroi një penallti Brazilit. Këtë penallti e shndërroi në gol rezervisti Richarlison, në minutën 90’, për të ndryshuar rezultatin në 3-1.

Me këtë rezultat, 3-1, Brazili bëhet kampion në Copa America 2019, kampionat që u mbajt në Brazil nga 14 qershori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button