Rirreshtim në Prishtinë për dialogun me Serbinë

Spektri politik në Kosovë, pushtet e opozitë, ka nevojë të ridefinojë qartë pozicionin dhe platformën e vet në kuadër të procesit të ardhshëm të bisedimeve me Serbinë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Nevoja që spektri politik në Kosovë të rifillojë me procesin, nisur nga konsensusi i brendshëm deri te definimi i përfaqësimit dhe mbikëqyrjes së dialogut, sipas tyre, del edhe si rezultat i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jokushtetues Ligjin për delegacionin e Kosovës për bisedimet me Serbinë, duke e hedhur poshtë njëkohësisht edhe platformën që atë kohë ishte miratuar në Kuvend.

Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se procesi i dialogut me Serbinë dhe përmbyllja e tij, duhet të jetë kompetencë e Qeverisë së Kosovës.

Ai thotë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë një vetëdijesim më i fortë i Qeverisë për agjendën e bisedimeve me Serbinë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese] tash ka sjellë një situatë të re dhe sa më shumë humb besimi tash në proces, e bën edhe shumë më të vështirë kërkimin e konsensusit të Qeverisë dhe opozitës në ketë proces”, tha Rashiti.

Ai thotë se ekipi negociator, tani i shpërbërë, nuk kishte një mbështetje të dy të tretave të Kuvendit të Kosovës dhe se problemi i dytë me ekipin ishte bashkëkryesimi ndërmjet një zëvendëskryeministri dhe një përfaqësuesi të opozitës dhe kompetencave që kishin ata.

Njëri nga ish-bashkëkryesuesit e ekipit tashmë të shpërndarë negociator ishte Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kryetar i Prishtinës. Ai thotë se nuk ka kuptim që një çështje kaq të rëndësishme si dialogu me Serbinë, ta udhëheqë vetëm një person, qoftë ai presidenti apo kryeministri.

“Ne kemi insistuar që vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, fatkeqësisht që disa subjektet të tjera kanë vendosur apo kanë menduar që nuk është kështu dhe tash prapë jemi në një vakum në aspektin se si do të përfaqësohet Kosova, pra që ta ketë përfaqësimin ku përfshihen të gjitha subjektet politike”, ka deklaruar Ahmeti.

Nga ana tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se për bisedimet me Serbinë, nuk është dashur që ketë një ekip negociator dhe nuk do të duhej, sipas tij, as tash e tutje të ketë grupe të tilla. Ai konsideron se dialogun politik me Serbinë, duhet ta udhëheqë Qeveria dhe kryeministri i Kosovës.

“Kosova i ka institucionet e veta dhe institucionet përkatëse ashtu siç e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese dhe ato duhet ta marrin përgjegjësinë. Çdo përpjekje tjetër për ta bartur dialogun në një trup, qoftë ekip negociator me të gjerë ose të ngjashëm, është veç edhe një shmangie nga dialogu dhe nuk duhet të ndodhë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button