U sulmua Fatos Lubonja, reagoi Meta dhe Basha

Makina e publicistit të njohur Fatos Lubonja është vandalizuar pak ditë më parë. Një person ka goditur me gurë xhamin e parë të makinës por fatmirësisht nuk ka të lënduar pasi në momentin e sulmit, nuk ka patur njeri në automjet, njofton TCH.

Por reagimet nuk kanë munguar. Presidenti Ilir Meta, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale nuk ka kursyer as ironinë drejtuar kryeministrit në lidhje me këtë ngjarje.

“Thonë që sot çunat problematikë kanë dalë nga furgoni për të “përshëndetur” makinën e një analisti kritik ndaj Bablokut. Qoftë fake news për të diel, për të mirën e Kryeproblematikut”, shkruan kreu i shtetit.

Edhe kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar duke e dënuar dhunën ndaj analistit Lubonja dhe shton se kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes të Edi Ramës kundër zërave kritik dhe medias jashtë kontrollit të tij.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbështesim zërat e lirë si Fatos Lubonja ndaj ju ftoj të gjithë të solidarizohemi me të dhe çdo media dhe zë kritik”, shkruan Basha.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila ka dënuar aktin, i cili sipas saj është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.

“Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve”, thotë Kryemadhi, duke shtuar se dhuna ndaj mendimit të lirë, nuk ka vend në demokraci.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Shtetit
Në pergjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron:

Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50 vjeçarin, nga Tirana.

Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor.

Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ”Dhunë në familje“, “Kanosje”, “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta”.

Me këtë rast, Policia e Shtetit hedh poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe të gjitha insinuatat e bëra në drejtim të punës së saj, e cila, edhe në këtë rast, ka qenë plotësisht profesionale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button