Regjimi i Asadit vazhdoi sulmet në Idlib, disa civilë të vdekur

Të paktën 6 civilë kanë humbur jetën, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore të avionëve luftarake të regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri, ndaj vendbanimeve në zonën e deeskalimit të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e regjimit të përbërë nga ushtria e regjimit të Asadit dhe grupet terroriste të huaja të mbështetura nga Irani, duke filluar nga orët e mëngjesit kanë realizuar sulme tokësore dhe ajrore në disa vendbanime dhe fshatra të cilat gjenden në kuadër të zonës së deeskalimit të Idlibit.

Sipas informacioneve të marrë nga Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardhë), në sulmin e kryer ndaj fshatit Kastun në veriperëndim të Hama-s, kanë humbur jetën të paktën 6 civilë, ndërsa janë plagosur 12 të tjerë.

Në tre ditët e fundit në sulmet ajrore dhe tokësore të regjimit të Asadit dhe mbështetësit të tij, Rusisë, kanë humbur jetën 25 civilë.

Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se në periudhën 26 prill-23 qershor në sulmet e kryera në zonën e deeskalimit të Idlibit, kanë humbur jetën 487 civilë, ndërsa janë plagosur 1.495.

Ndërkaq, mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button