Dëshmitë për Remzi Hoxhën janë zhdukur, drejtësia në test

Teksa të premten pritet të jepet pretenca e Prokurorisë për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptarë nga Maqedonia, Remzi Hoxha, i biri i tij, Ardian Hoxha, tha sot se ky proces është test për drejtësinë në Shqipëri.

Ardian Hoxha, tha sot se tani është momenti për të parë nëse Sali Berisha është për drejtësinë apo jo.

“Familja jonë mbetet me shpresë se Drejtësia do të vihet në vend dhe si rrjedhojë do të gjenden eshtrat e babit tim, dhe të ndalen së rrituri plagët e familjarëve të mi dhe miqve të familjes. Duhet ta kuptojë Sali Berisha dhe klani i tij mafioz se përveç torturimit të babait tim dhe vrasjes së tij, edhe familja jonë është duke u torturuar qe 17 vite. Ne presim që Drejtësia në këto momente ta bëjë punën e saj ashtu siç duhet dhe t’i tregojë opinionit shqiptarë dhe gjithë botës se nuk është e ndikuar dhe e manipuluar nga Sali Berisha dhe klani i tij mafioz. Shpresojmë se nuk do t`na i rrisin plagët dhe t’na i shtojnë dhembjet edhe më shumë”, tha ai sot nga Prishtina.

I biri i biznesmenit të vrarë më 21 tetor të vitit 1995, thotë se janë zhdukur dëshmitë nga ShIK dhe ShISH. “Është zhdukur Bashkim Gazidede. Është zhdukur Ylli Xhaxhika. Është zhdukur Xhevat Hana. Kush do të zhduket tani? Kush e ka radhën? I bëj apel Organeve të Drejtësisë që të ndalin këtë krim të pakrahasueshëm me asnjë krim në botë. Ka njerëz që e shajnë diktaturën e Enver Hoxhës, i cili punonte po në këtë mënyrë, tani vazhdojnë ta bëjnë diktatorët e rinj. Mjaft më”, shtoi ai. Në fund të deklaratës, Ardian Hoxha, thotë se shpreson që drejtësia në Shqipëri t’i thotë ndal krimit dhe torturave./Start/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button