Ambasadorja e SHBA-së i përmendi vendet atraktive të RMV-së dhe premtoi ndihmë për integrim në NATO (VIDEO)

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Meri Birns e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, nëpërmjet një video përshëndetje ka përmendur vendet më atraktive të Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç u shpreh ajo, të cilat mezi pret t’i vizitojë, dhe më pas premtoi se do ta ndihmojë shtetin për integrim në NATO, transmeton Portalb.mk.

“Nga Çarshia e Vjetër deri në Matkë, Xhamia e Larme në Tetovë, Liqeni i Ohrit dhe më shumë… Jemi të mahnitur që të shijojmë gjithçka çfarë ofron shteti juaj. Presim bashkërisht t’i ecim këto rrugë”, tha Birns.

Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Kejt Meri Birns (Kate Marie Byrnes)
Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Kejt Meri Birns (Kate Marie Byrnes)

Duke kujtuar përvojën e saj në fushën e sigurisë, të drejtave të njeriut, sundimin e së drejtës dhe tregjeve të hapura, dhe duke vlerësuar lartë profesionalitetin e ushtarëve të RMV-së, Birns i shprehu mirëpritje RMV-së në NATO.

“Njëzetegjashtë vjet punoj si diplomate në promovimin sigurisë, prosperitetit, respektimin e të drejtave të njeriut, dallimeve, sundimin e së drejtës dhe tregjeve të hapura. Me pa durim pres që të vazhdoj punën në Maqedoninë e Veriut. SHBA-ja është krenare për miqësinë e fortë me qytetarët e Maqedonisë së Veriut…Vlerësojmë guximin dhe profesionalizmin e ushtarëve tuaj dhe ju presim si anëtare e 30-të e NATO-së”, tha Birns.

“Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt NATO-s dhe BE-së. Ekipi i ambasadës amerikane në Shkup dhe unë do të punojmë që të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë dhe të krijojmë mundësi të reja për prosperitet. Më vjen mirë që do të kemi mundësinë për përforcimin e raporteve mes dy vendeve tona”, tha më tej Birns.

Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Kejt Meri Birns (Kate Marie Byrnes)
Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Kejt Meri Birns (Kate Marie Byrnes)

Përndryshe, betimin si ambasadore e SHBA-së në RMV, Kejt Meri Birns e dha në mesin e muajit qershor, pas emërimit që iu bë nga presidenti i SHBA-së, Donald Tramp.

Paraprakisht, Birns ka bartur funksionin e zëvendës shefit të misionit në ambasadën e SHBA-së në Greqi. Për të thuhet se më parë ka qenë njeriu i dytë në mision dhe zëvendës përfaqësues në misionin e SHBA-vë në OSBE në Vjenë. Në karrierën e saj diplomatike ka punuar në ambasadën amerikane në Madrid, Spanjë dhe ka qenë në detyra diplomatike në Afganistan dhe në selinë e NATO-s në Bruksel. Birns flet spanjisht, hungarisht dhe turqisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button