Në Maqedoninë e Veriut janë zbuluar mbi 130.000 dokumente në gjuhën osmane (VIDEO)

Kryetari i Arkivave Shtetërore të Turqisë, Prof. Dr. Uğur Ünal duke vënë në dukje se brenda kufijve të Maqedonisë Veriore janë zbuluar 133.000 dokumente në gjuhën osmane, tha se tashmë Turqia ka arritur në një fuqi që mbron arkivat e saj në Ballkan.

Ünal qëndroi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, në kuadër të protokollit të bashkëpunimit mes arkivave shtetërore të të dyja vendeve. Në një bisedë për Anadolu Agency (AA) Ünal vlerësoi bashkëpunimin bilateral mes arkivave, dokumentet osmane në rajon si dhe digjitalizimin e këtyre dokumenteve.

Ai rikujtoi se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në sferën e arkivave është duke vazhduar që nga vitet e 1990-ta, duke treguar se tashmë është nënshkruar marrëveshja më gjithëpërfshirëse mes arkivave të të dyja vendeve.

Ünal tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme brenda procesit historik. Sepse ky rajon përmban dokumente të rëndësishme mbi historinë dhe të kaluarën e të dy vendeve dhe dy popujve”, u shpreh ai.

Në Maqedoninë e Veriut janë digjitalizuar 133.000 dokumente osmane

“TIKA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave Shtetërore në këtë rajon zhvilluan një punim i cili zgjati 3 vite. Ishte një projekt i digjitalizimit të të gjitha dokumenteve osmane”, tha Ünal duke treguar se projektin në fjalë e kanë filluar para 4 vitesh.

“Deri më tani brenda të gjithë kufijve të Maqedonisë së Veriut 133.000 dokumente osmane të cilat i kemi zbuluar janë digjitalizuar. Këto dokumente gjithashtu janë klasifikuar nga ekspertët në gjuhën osmane. Për arsye të klasifikimit tashmë edhe janë hapur për hulumtime”, shtoi ai më tej.

Ünal vuri në dukje se një libër mbi dokumentet osmane në Maqedoninë e Veriut ishte përgatitur tashmë, i cili gjithashtu është transferuar në një platformë digjitale.

“Historianët, profesorët, hulumtuesit nga Stambolli tashmë kanë qasje në regjistrat që lidhen me këto hapësira. Me to mund të kryejnë kërkime, të cilat mund të jenë tema të punimeve të shumë profesorëve”, tha Ünal, duke shtuar se reciprokisht do t’i ndajnë regjistrat që datojnë nga periudha osmane dhe se kjo është një shërbim i madh për punën e historianëve të të dy vendeve.

Gjithashtu, Ünal theksoi se kanë botuar një libër mbi Maqedoninë e Veriut bazuar në arkivat osmane.

“Mbase tani mund të përgatisim një punim më gjithëpërfshirës. Ndër qëllimet tona në vitin 2020 do të jetë botimi i një libri të përbashkët bazuar në dokumentet që gjenden këtu dhe në Turqi. Mendoj se një gjë e tillë do të jetë shumë e dobishme”, shtoi Ünal.

Suksesi i parë në Ballkan është arritur në Maqedoninë e Veriut

Ünal vlerësoi edhe aktivitetet që Turqia ka kryer në këtë rajon dhe theksoi se institucionet turke si TIKA, Instituti Yunus Emre dhe Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), organizojnë aktivitete të rëndësishme.

Sipas tij, të rinjtë në këtë rajon që e njohin gjuhën turke mund të fitojnë trajnim në gjuhën osmane.

“Për të mësuar gjuhën osmane, është e nevojshme fillimisht të njihet gjuha turke. Njerëz të shumtë në shumë vende në botë, si në Lindjen e Largët, vendet arabe dhe evropiane, mësojnë gjuhën osmane. Mbi të gjitha, kjo bëhet nën kujdesin e Institutit Yunus Emre, i cili kryen punë të rëndësishme”, tha Ünal.

Sipas tij, aktivitetet lidhur me arkivat në Ballkan nuk janë një gjë e lehtë dhe për këtë duhet të kryhen përgatitje të mira paraprake.

“Mund të them lirisht se Arkivat Shtetërore (të Turqisë) dhe TIKA suksesin e parë në Ballkan e kanë arritur në Maqedoni, në Shkup dhe qytete të tjera. Është përfunduar transferimi dhe klasifikimi i dokumenteve në gjuhën osmane në platformën digjitale. Kjo ishte një nga detyrat kryesore për ne. Kjo gjë ka bërë që edhe vende të tjera të hedhin hapa në këtë drejtim”, tha Ünal.

“Turqia ka arritur fuqinë për të mbrojtur dokumentet e saj në Ballkan”

Përveç Maqedonisë së Veriut, Ünal theksoi se kanë bërë punë të suksesshme edhe në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

“Deri më tani, mbi 500.000 dokumente në gjuhën osmane janë transferuar në një platformë digjitale dhe janë dërguar në Turqi. Punët janë në zhvillim e sipër atje. Ne kemi një projekt që do të zgjasë deri në fund të vitit 2019”, tha Ünal, duke shtuar se Turqia realizon aktivitete me orientim drejt të ardhmes.

“Me sistemin e ri të qeverisjes, presidenti (Recep Tayyip Erdoğan) inkuadroi Arkivat Shtetërore nën kujdesin e Presidencës, prandaj edhe aktivitetet janë përshpejtuar. Ai gjithmonë jep udhëzime për mbështetjen e temave të tilla historike dhe kulturore në Ballkan. Ne si institucione në Turqi zhvillojmë takime dhe bisedojmë për atë që mund të bëjmë në Ballkan”, u shpreh Ünal.

“Turqia tashmë ka arritur fuqinë për të mbrojtur dokumentet e saj në Ballkan, për t’i transferuar ato në një platformë digjitale, për t’i klasifikuar dhe ndarë me opinionin botëror. Falë Zotit, po bëjmë aktivitete të mëdha. Kjo do të na japë një shtysë për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta në Ballkan, botime të përbashkëta dhe ekspozita të përbashkëta”, tha për AA Ünal, kryetar i Arkivave Shtetërore të Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button