fbpx

ZULLULAND

Ndër prozat më të rralla narrative të kolosëve të Rilindjes, pa dyshim bën pjesë dhe Katër përralla nga Zullulandi e Faik Konicës.

Në të gjeniu flet për popullin e mbuluar mjerimesh të Zullulandit, të prirë nga një kastë budallenjsh dhe të nunurisur nga pallavrat e mbështetësve të tyre – rapsodëve dhe palaçove të oborrësisë.

Të parit (prijësit, pra), ngado që përfaqësonin zullutë, ishin gazi botës, por, brenda Zullulandit, në sajë të elozheve të thuprave të gardhit të pathyeshëm mediokër, pandeheshin si personalitete të shquara në të gjitha fushat e jetës, veçmas në politikë. Përfaqësuesi më i denjë i kësaj kabile është Denizullu Serpe, kurse të tjerët janë thjesht heronj të vockël turmash pa tru, që e jetojnë të lumtur gjumin e gjatë të stadit majmunor të Franc Kafkës.

Këtu qëndron shkaku i paradave madhështore të turmave të idiotëzuara, festave gjithëpopullore me daulle e britma të paartikuluara, me këngë për vrasje ndërfisnore nëpër pusi dhe me marifete të tjera të kësaj natyre, të organizuara për nder të arritjeve të Denizullu Serpes – çmimeve e dekoratave me të cilat diplomacitë e huaja ia shpërblenin aftësinë për t’i dëfryer e për t’i shkrirë së qeshuri sa herë që e hapte gojën e dërdëlliste zullulandshëm.

Por, ashtu si nuk ekziston e mira pa të keqen – gruri pa egjër, mali pa ujk a pallati pa një kllozet, Zoti nuk e la as hithnajën pa një lule, si për të dashtë me e ndreq pak imazhin gri të etnipsikologjisë së gurosur zullulandeze. Dhe kjo çudi në mes të shëmtisë është Plugu, një pesëdhjetëvjeçar i stërvitur e i rritur me faqe librash të thellë, një autodidakt i palodhur e me kulturë të rrallë, për të cilin: Vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet…

Ky mendjendritur fatkeq, ishte i vetmi që e shihte sa bie sahati i zulluve, që e ndjente me të gjitha poret e shpirtit katandisjen e gjithanshme të fisit të madh, paaftësinë kronike për të ngitur, mëkëmbur e ndërtuar Zullulandin shtet. Natyrisht, ishte dhe i vetmi që e kuptonte përbuzjen e të tjerëve, talljet që bëheshin në kurriz të zulluve të mbetur peng kohërash xhahile. Atij nuk i interesonte fare fama personale, sepse e ngarkoi veten me një mision gati të pamundur. Ai: kishte vendosur që në djalëri ta bëjë Zullulandin një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder…

Në rrugën e tij të fisme për të lëruar shkëmbin, Plugun s’e ndalte asgjë përveç dëshpërrimit që ia shkaktonin avazet “patriotike”, si një simbol i shkallës kulturale të zulluve… Ndaj, përkundër rreziqeve reale nga turmat pa tru, që e akuzonin prej kohësh për tradhëti kombëtare, e pranonte zëshëm se është i pakënaqur me budallallëqet e tyre të vazhdueshme, u thoshte se, po t’i merrnin vesh talljet që ua bënin të tjerët, në vend të festave me këngë e valle, do të derdhnin lot dëshpërimi. Prandaj, klithte ai: Hiqni dorë se u bëtë lodra e botës. Ta dini se ne, në sytë e Evropës së qytetëruar, jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zëni besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne – dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i dërsitur, i lodhur…

Ne vëllezër, jemi negër të varfër, pa ndonjë rëndësi fare; mos dehuni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz aq të paditur sa ju, më të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes talljesh të përgjithshme…

Kështu fliste Plugu para masave të rebeluara, edhe pse e dinte se po i bie kot murrit me kokë. Ai e ndjente si po i ik shpirti shkaku i zgjebove të fisit, të cilët, para arratisjes së domosdoshme, i qërasi edhe me këtë dush të akullt: Më vjen shumë keq ta them: po në çdo punë që bëni, në çdo masë që merrni, në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja, shoh shenjën e një barbarie të thellë. Më tepër plakem dhe më tepër më hyjnë dyshime në do të qytetërohemi dot nonjë ditë. Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i sili s’dilni dot, dhe ai është ky: Doni indipendencën që të mundni të mbeteni zullunj; po duhet të mos mbeteni zullunj në daçi të fitoni indipoendëncën.

Masalla n’shkallë, shëndeti n’ballë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button