Kosovë, Ofertë për dorëheqje

Isa Mustafa i ka bërë ofertë Atifete Jahjagës që të largohet nga Presidenca. Ai ka thënë se Shefja e Shtetit duhet të ofrojë dorëheqje dhe të mundësojë tranzicionin deri në zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.

Por kjo ide është hedhur poshtë nga Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se ideja e kreut të LDK-së duhet të ketë bazë juridike dhe politike, shkruan “Express”.

Sipas kreut të LDK-së, presidentja duhet të ofrojë dorëheqjen dhe pastaj në një periudhë gjashtëmujore të mundësojë transicionin prej presidentes aktuale në atë që do të zgjidhej drejtpërdrejt.

Në një intervistë televizive, Mustafa ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me homologët partiakë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar PDK-LDK-AKR.

Megjithëkëtë, pozicionet e Presidentes dhe të PDK-së mbesin të njëjta.

Atifete Jahjaga vazhdimisht ka përsëritur se nuk do të largohet nga posti i Shefes së Shtetit përderisa nuk merren vesh partitë politike. Madje, ajo ka thënë se nuk ia lejon të japë dorëheqje, pasi këtë nuk ia lejon Kushtetuta./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button