UE nën tryezë?!

Ballkani Perëndimor përsëri është i mbuluar me re të zeza të rrezikshme, dhe atë jo vetëm për shkak të stuhive të motit, sa për shkak të erërave të forta që fryjnë nga të gjitha anët, duke i ndryshuar tabelat udhërrëfyese politike. Rajoni është lodhur nga tranzicioni me thera, i cili nga represionin e zëvendësoi me depresion (ekonomik dhe politik), dhe në masë të madhe i është lëshuar vetvetiut. Rritja ekonomike është e ngadaltë, varfëria dëbon masivisht, krimi po lulëzon, standardi bie. Opinioni është i frustruar edhe për shkak të eksodit të madh dhe ndjenjës së pasigurisë. Mendohet se në 25 vitet e fundit, rreth një e treta e njerëzve të lindur në BeH, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut i kanë braktisur shtëpitë e tyre në kërkim për normalet. Prandaj për këtë arsye, aq shumë protesta masive në rajon që e rrezikojnë seriozisht paqen dhe tolerancën e brishtë multietnike.

Rajoni vlon nga tensionet: Serbia – Kosova, nismat në Sanxhak dhe Vojvodinë, tensione midis Serbisë dhe Malit të Zi, kriza në Shqipëri, probleme në BeH, tensione në Maqedoninë e Veriut. Kurse Brukseli bëhet sikur nuk është i këtuit! Pas kafes me akull Shkupit, perspektiva e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës gjithnjë e më shumë dobësohet. Pritet në tetor që RMV të marrë datë për negociata, por jo për shkak të ndryshimeve traumatike që u bënë në vend dhe gjendjes së përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, por sa për të ruajtur imazhin personal të liderëve evropianë.

Serbia, me qendrën ruse në Nish, me pritjen ekstravagante të Putinit, dhe me “Sputnik”-un, sikurpo i dërgon porosi UE-së: “Nëse nuk doni ju, ka kush dëshiron”. Nga ana tjetër, kosovarët u mashtruan brutalisht nga Brukseli për vizat përpos ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Situatë të rrezikshme kemi edhe midis Serbisë dhe Malit të Zi, gjoja për shkak të qëllimit të Podgoricës që t’i përvetësojë kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe. Benzinë në zjarr hodhi deklarata e ministrit serb Nenad Popoviç, i cili Gjukanoviçin e quajti “krimineli më i madh në Evropë”. Shumë ashpër ia ktheu Podgorica, duke e quajtur KOS-in “organizatë politike dhe infrastrukturë të një Serbie të madhe”.

Kurse Brukseli duket sikur ka humbur në kohë e hapësirë! UE me qëndrimin e tij të ngurtë ndaj Ballkanit i hapi dyert Rusisë, Turqisë dhe Kinës, të cilat me sukses e mbushin zbrazëtirën e krijuar nga zbrazëtia evropiane. Putini tashmë nga dyer të mëdha dhe me një strategji të re hyn në rolin e ndërmjetësuesit në rajon. Tani nuk paraqitet si mbrojtës i serbëve, dhe kundërshtar i faktorit shqiptar, por si pajtimtar serbo-shqiptar. Ai gjithashtu u takua me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kurse ky i dyti (sipas “Ria Novosti”), e paska ftuar Putinin ta vizitojë Prishtinën.

Rusia këtu mund ta përfshijë edhe Turqinë për një ridefinim më të lehtë të BeH. Kurse në Shqipëri, disa subjekte tashmë publikisht thonë se nuk kanë asgjë kundër përfshirjes së Rusisë në Ballkan. Njohësit e mirë thonë se ajo nuk mund të jetë pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, tani Ballkani shndërrohet në një tabelë shahu për një lojë të madhe mes SHBA-ve dhe Rusisë, kurse UE vetë vendosi që të fshihej nën tryezë. Ose për të mbajtur ujë.

Konfrontimi evropiano-rus në Ballkan tani po ndryshon si në karakter ashtu edhe në intensitet. Këtu evropianët janë në konfuzion,  egoizëm dhe defаnsivë totale. Shumë ballkanas ndjehen të tradhtuar dhe të lënë pas dore nga UE. Në shikim të parë, ambiciet ruse duken jorealiste, pasi që rajoni mbetet i lidhur fort me Perëndimin – Greqia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s, kurse dhe Maqedonia e Veriut për disa muaj bëhet e tillë. Vendet e rajonit ose janë anëtare të UE-së ose janë në proces, por UE-ja me inertitetin e saj burokratik dhe qasje të ngushtë politike, sikur jo vetëm që ngre dorë nga zgjerimi, por edhe nga siguria gjeopolitike elementare në rajon dhe më gjerë. Në UE më nuk turpërohen që të ofrojnë edhe alternative në vend të anëtarësimit të plotë!

Si duket evropianëve më u është mërzitur jeta e qetë, andaj dhe kërkojnë një stuhi të fortë! Sipas deklaratës së kreut të Qendrës për strategji liberale në Sofje, Ivan Krastev, shprehur për “New York Times” – “Evropa nuk duhet të befasohet nëse Rusia së shpejti krijon një “hartë” të vetën për normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe ndikim në rajon”. Është e qartë se vizita e Putinit në Beograd nuk ishte vetëm për shkak të medaljes “Aleksandër Nevski” dhe qenit “Pasha”.

UE po humbet betejën e tij

Në kundërshtim me më pare kur interesave të përbashkëta u është dhënë prioritet brenda UE-së, tani rritet egoizmi i qeverive rajonale, kurse një e gjë e tillë të ardhmen e UE-së e bën të pasigurt. Presidenti francez Makron e ka bërë të qartë se nuk do ta shpenzojnë kapitalin politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Burokratët evropianë vështirë e kanë të kuptojnë se Ballkani ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe balancë, ndër të tjera dhe për shkak të UE-së.

Përndryshe, Ballkanit do t’i ndodhë një destabilizim i rrezikshëm dhe dominim oriental. Evropianët janë bërë alergjikë ndaj deklaratave të këtilla. Infantile duken dhe deklaratat e liderëve evropianë të tipit – “Stabilizohuni ju vet, pasi që është marrëzi që të kërkoni nga ne që tu integrojmë që mos të destabilizoheni”! Varka politike egoiste evropiane është shtrembëruar aq shumë saqë shumë shpejt mund të përmbyset. “New York Times” kohët e fundit doli me titull: “Nëse UE nuk zgjohet, rajoni do të bëhet një arenë e re e lojërave putiniste”. Prestigjiozja “German Marshall Fund – Strengthening Transatlantic Coperation” (qershor, 2019), thotë se përderisa UE-ja, veçanërisht Gjermania kundërshton shkëmbim territoresh në Ballkan, Rusia në mënyrë pragmatike tashmë negocion në fshehtësi.

Për ambasador rus në Beograd tani më është vënë njeriu i cili ka kryer detyrat diplomatike më të vështira, Aleksander Harçenko. Këtu është e fuqishmja “Sputnik” të cilën e transmetojnë një numër i madh i mediave në rajon (Informer, Blic, B92, Kurir, televizionet të shumta, etj) të cilat e përgatisin vëmendjen publike.

Ku është Maqedonia e Veriut?

Maqedonia e Veriut shumë shpejt bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Ai është një hap historik për stabilitetin e jashtëm (dhe të brendshëm) të vendit. Marrëveshja Prespës dhe marrëveshja me Bullgarinë në mënyrë të drejtpërdrejtë do të thonë ngritje të barrierës drejt të ardhmes, por atо ende problematizohen nga opozita dhe shoqatat të ndryshme, punë e cila mund t’i jep një armë të fuqishme vjeshtës së ardhshme qeverisë greke në krye me Micotakisin që të na granatojë. Atëherë mund të problematizohet dhe vendimi ynë për negociata, e me atë edhe stabiliteti ynë i brendshëm.

NATO nuk mund të ndihmojë shumë këtu. Vetëm mbështetja e gjerë e atyre akteve dhe zhvillimi ekonomik i gjithërajonal mund të na shpëtojnë. Kurse ajo kërkon shumë mobilizim, njerëz kompetentë dhe mbështetje të fortë mediatike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të forcohet, kurse pas saj duhet të qëndrojnë njerëz të besueshëm dhe me kredibilitet. Me fjalë të tjera, lehtë mund të ndodhë që vetëm për disa hapa para se të arrihet deri te caku të rrëzohemi në mënyrë tragjike. E gjithë ajo energji e harxhuar të bjerë në ujë. Atëherë “Sputnik” do të bëhet media më e besueshme, më kredibile dhe më tërheqëse. Nëse nuk fshijmë mirë, të tjerët mund të na fshijnë. Kurse pa atë, përsëri këtu do të krijojmë një ambient për ata që urrejtjen nacionaliste e konsiderojnë si vlerën më të madhe. Është e vërtetë se nuk është aq lehtë të jesh zot i idealit dhe shërbëtor i ndërgjegjes.

Shkruan: Mersel Bilalli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button