Gostivari shkarkon Jakimovskin, Beqiri trajner i ri?

Klubi i Futbollit Gostivari ka shkarkuar nga posti i trajnerit Toni Jakimovskin, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se ish-trajneri i Dritës, Jeton Beqiri do të jetë zëvendësuesi i tij në stolin e skuadrës nga Gostivari.

Drejtuesit e KF Gostivarit, pas shtatë javëve të zhvilluara kanë mbetur të pakënaqur me ecurinë e skuadrës, e cila ka realizuar 3 fitore, 3 barazime dhe vetëm një disfatë. Mirëpo duke ditur se ambiciet e kësaj skuadre janë pozitat e para dhe kualifikimi në Ligën e Parë, si dhe fakti që në verë ekipi solli përforcime cilësore dhe realizoi përgatitje shumë të mira, atëherë del se kontoja e pikëve do të duhej të ishte më e pasur.

Gjithsesi ‘viktima’ e kësaj ecurie si zakonisht në sportin e futbollit është trajneri, kështu që Toni Jakimovski është shkarkuar. Njëkohësisht drejtuesit e klubit kanë nisur bisedime për zëvendësuesin e Jakimovskit dhe për momentin janë realizuar kontaktet e para me Jeton Beqirin, i cili deri para një jave drejtonte skuadrën e Dritës. Beqiri ka pranuar se ka biseduar me drejtuesit e Gostivarit, por nuk ka mundur të konfirmojë arritjen e marrëveshjes.

Për momentin nuk ka ndonjë konfirmim, por sipas asaj që mund të kuptohet nga informata të afërta me klubin, pritet që pikërisht Beqiri të marrë drejtimin e Gostivarit dhe të tentojë të përsërisë atë që sezonin e kaluar bëri me Dritën, inkuadrimin në Ligën e Parë./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button