Pacolli për kryesinë e re të BE-së: Presim liberalizim të vizave

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka thënë se udhëheqja e re e BE-së duhet të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai ka shtuar se Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian.

“Ne besojmë se nuk varet nga origjina kombëtare roli që dikush do të luajë në Bashkimin Evropian dhe politika e jashtme e Bashkimit Evropian varet nga shtetet anëtare nga të cilat shumica e kanë njohur Kosovën”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli pret forcim të marrëdhënieve me BE-në.

“Presim që ne do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet me BE edhe pse BE po kalon momente të vështira, çelësi i marrëdhënieve tona mbetet liberalizimi i vizave ku presim që BE të marre vendimin, të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe procesi i zgjerimit të mos ndalet”, u shpreh Pacolli.

Tutje ai shton se, “ne presim që Bashkimi Evropian të marrë një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çdo vonesë e mëtejshme nuk ka arsye. Sikurse ka konfirmuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe nuk duhet të ketë arsye politike që pengojnë këtë proces teknik”.

Sipas tij çdo vonesë e dëmton kredibilitetin e BE-së në Kosovë.

“Ne jemi duke punuar me të gjitha shtetet anëtare për t’u shpjeguar atyre nevojën për dhënien e udhëtimit të lirë në Kosovë. Çdo vonesë do të dëmtojë kredibilitetin e BE-së në Kosovë dhe rajon dhe do të tregojë se reformat zbatuese dhe standardet e kërkuara nga BE nuk paguhen. Kjo është e dëmshme për të ardhmen evropiane dhe forcën e BE-së”, ka shkruar ai.

Kosova është një vend që synon të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë këtu edhe Spanjën, thotë Pacolli.

“Ne i kemi kërkuar qeverisë spanjolle të njohë Kosovën dhe të mbështesë rrugën e Kosovës drejt konsolidimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian. Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, pozicioni spanjoll ka qenë një vijë e ashpër ndaj Kosovës. Ne presim dhe po punojmë me të gjithë aktorët dhe vendet për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me ta”, ka shkruar Pacolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button