Kodra e Diellit: Bekteshi thotë se do të rehabilitohet rruga regjionale, Komuna të rregullojë ato lokale

Ka filluar rehabilitimi i rrugës Tetovë-Kodër Dielli dhe po zhvillohen punimet, këtë e lajmëroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, para disa ditëve. Redaksia e Portalbit sot ishte në terren dhe pa se po zhvillohen punime. Nga ana tjetër, Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” ka reaguar dhe thotë se vetëm po shënohen me ngjyrë të kuqe gropat, transmeton Portalb.mk.

Rehabilitimi i rrugës Tetovë – Kodër Dielli ka filluar në maj të këtij viti dhe duhet të përfundon në shtator. Ministri Bekteshi këtë e lajmëroi kohë më parë në emisionin Click Plus, dhe të njejtën e konfirmoi sërish para dy ditëve. Ai tha edhe se do e vizitojë brenda javës vetë Kodrën e Diellit.

“Punimet kanë nisur, mund të dilni në terren dhe të shihni se po bëhen parapërgatitjet për rehabilitimin e rrugës. Ne gjatë kësaj jave planifikojmë ta vizitojmë Kodrën e Diellit”, tha të martën ministri Bekteshi.

Kodra e Diellit, 4.7.2019
Kodra e Diellit, 4.7.2019

Megjithatë Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thotë se në terren nuk po ndodh ende asgjë, por shënohen disa herë me të kuqe gropat.

“Ne dita ditës po shohim se si po hapen kraterë të ndryshëm, po renditen disa anësore e po shënohen gropat e njëjta nga dy tre herë me ngjyrë të kuqe, por nuk ka gjë që po duket se ndryshon! Thirrja për realizimin e këtij projekti ekziston nga viti 2015 dhe sot viti 2019 ne ende nuk shohim asgjë. Përgjegjësi!!!? “, thuhet në postimin e Iniciativës Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thekson se thirrja për realizimin e këtij projekti ekziston nga viti 2015, por ende nuk është realizuar.

Kohë më parë kur ministri Bekteshi lajmëroi se do të rehabilitohen 15 km të kësaj rruge, kishte reagime nga Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” se përse po rehabilitohej vetëm 15 km rruga dhe jo 20 sa në të vërtetë ishte. Ministri Bekteshi nga ana tjetër thotë se rehabilitohet vetëm rruga regjionale që është nën kompetencat e qeverisë.

“Rehabilitimi i rrugës bëhet në përputhje me standardet dhe rregulloret e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nën kompetencat e pushtetit qendror është vetëm rruga regjionale, megjithatë Komuna e Tetovës ka aplikuar te Banka Botërore për grant për zhvillimin e Kodrës së Diellit, gjegjësisht rregullimin e rrugëve lokale të Kodrës së Diellit”, tha Bekteshi.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës thotë se për grant për rehabilitim të rrugëve brenda në qendrën e skijimit dhe te vikend shtëpizat ka aplikuar në Bankën Botërore Qendra për Zhvillim të Regjionit të Pollogut (QZHRP). Ata parashohin rregullimin e rrugëve te vikend shtëpizat në Kodrën e Diellit, jo vetëm asfaltim por edhe ndriçim me kamera dhe standardizim të hedhurinave.

Kodra e Diellit, 4.7.2019
Kodra e Diellit, 4.7.2019

Nga Komuna thonë se nuk ka afate të caktuara për miratim të këtij granti që kap shumën 1.4 milion euro dhe ende NUK e dinë a do ta fitojnë të njëjtin.

Kodra e Diellit, 4.7.2019
Kodra e Diellit, 4.7.2019
Kodra e Diellit, 4.7.2019
Kodra e Diellit, 4.7.2019

LEXO: Reagon iniciativa“Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”, të rehabilitohen 20 km të rrugës Tetovë-Kodër Dielli dhe jo vetëm 15 km

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button