Shumë pak trena ndërkombëtar, qytetarët të detyruar të paguajnë bileta më të shtrenjta për autobus (Infografik)

Maqedonia e Veriut është një nga vendet e rralla evropiane ku komunikacioni ndërkombëtar hekurudhor është para zhdukjes. Krahas mungesës së ekspres trenave në drejtim të qyteteve më të mëdha gjatë gjithë vitit, për qytetarët nuk ka as udhëtime me tren në drejtim të Serbisë, Greqisë dhe Kosovës, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk. Banorët e qyteteve ndërkufitare janë të detyruar të paguajnë bileta më të shtrenjta për autobus, për shkak të faktit që drejtoritë nacionale hekurudhore kanë organizuar trena për udhëtim vetëm deri në vendet kufitare të territoreve të tyre. 

Prej trenave ndërkombëtar në këtë moment qarkullon vetëm ekspres treni për në Selanik dhe Beograd, që do të jetë aktiv deri më 16 shtator. Njëkohësisht, ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës qarkullon vetëm një tren në ditë. Të dhënat nga itineraret e rregullta të vendeve fqinjë tregojnë që ekziston potencial për përfshirë lidhjet lokale. “Sërbija voz” mban dy trena për udhëtim ndërmjet Nishit dhe Preshevës, derisa Hekurudhat e RMV – Transport organizojnë katër trena në nivel ditor ndërmjet Shkupit dhe Tabanocit. Por pavarësisht kësaj, s’ka asnjë tren ndërkufitar që do t’i kishte lidhur dy vendet.

Në kufirin jugor, kompania greke “TrainOSE” mban 3 trena në nivel ditor ndërmjet Selanikut dhe Florinës, derisa hekurudha e Maqedonisë qarkullon me çift identik të trenave ndërmjet Shkupit dhe Manastirit. Së këndejmi, ekziston mundësi për të përfshirë trenin ndërmjet Manastirit dhe Florinës, por s’ka interes për një hap të tillë. Përfundimisht, hekurudha e Kosovës “Trainkos” mban 2 linja shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Hanit të Elezit, por këto trena nuk e kalojnë kufirin e Maqedonisë.

“Meta” ka dërguar pyetje për mundësinë e përfshirjes së trenave ndërkufitar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë në të dyja kompanitë hekurudhore. Edhe “Hekurudhat e RMV – Transport” edhe “Sërbija voz” nuk u përgjigjën në kërkesën tonë për informata. Në rastin e Serbisë, itinerari i hekurudhës së atjeshme tregon se disa trena ndërkufitar çdo ditë qarkullojnë ndërmjet Dimitrovgradit dhe Sofjes me Bullgari, ndërmjet Somborit dhe Erdutit dhe Bogoevës dhe Osiekut me Kroacinë, si dhe ndërmjet Kraljevës dhe Mitrovicës së Kosovës. Së këtejmi, është e paqartë përse nuk ekzistojnë trena ndërkufitar edhe me vendin tonë.

Itineraret aktuale të kompanive të autobusëve tregojnë që ekziston interes për udhëtim në relacione më të shkurta. Ndërmjet Shkupit dhe Nishit qarkullojnë nga 8 autobusë në ditë, me çmim të biletës kthyese nga 1050 deri 1150 denarë. Për relacionin identik me tren paguhet 849 denarë, por treni i vetëm qarkullon vetëm në periudhën e verës.

Si rezultat i ndërprerjes së qarkullimit të trenave, të dhënat nga Enti shtetëror për statistikë tregojnë reduktim të vazhdueshëm të numrit të udhëtarëve në komunikacionin hekurudhor ndërkombëtar. Nëse në vitin 2011 me tren jashtë shtetit kanë udhëtuar 13.643 persona, vitin e kaluar me hekurudhë janë transportuar vetëm 7.385 udhëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button