BOTË PA HUMOR

Humori e karnavalizon jetën dhe e paraqet mbretin lakuriq sikurse te përralla e Andersenit. Humori është armik i autoritarizmit dhe i diktaturës. Nën diktaturë, sipas Adam Michnikut, njerëzit i donin barsoletat, sepse u shërbenin si strehë për ikje nga përditshmëria e vështirë.

“Në botën e barsoletave nuk ndjehesh vetëm i lirë dhe i dobishëm, pavarësisht robërisë dhe pushtetit rus, por edhe mund të qeshësh“, shkruan Michnik-u, tek “E përhimta është e bukur”.

Philip Roth thotë se personazhet e Kunderës përjetojnë dhembje për sa kohë janë të ngatërruar në një botë që e ka humbur kuptimin për humorin. Ndërkaq Kundera thoshte se vlerën e humorit e kishte kuptuar në periudhën staliniste.

“Përherë kam mundur ta dalloj një person që nuk ishte stalinist, pra personin që nuk duhej t’ia kisha frikën. Sensi për humor ishte mënyrë njohjeje. Prej atëherë më ka frikësuar bota që e ka humbur kuptimin për humorin“.

Pushtetet autoritare dhe diktatoriale e luftojnë komiken (pritjen e madhe të kthyer në asgjë) dhe e promovojnë madhështoren (të frikshmen e bukur).

Në shtetet e këtilla ndërtohen sheshe madhështore, statuja e përmendore; kemi parada ushtarake, ku mbretëron rendi e disiplina dhe ku shikuesi ndjehet i pafuqishëm. Në paradat ku parakalojnë ushtarë seriozë dhe promovohen armët më vdekjeprurëse, sheh vetëm fytyra serioze, të përqendruara tek armiku imagjinar, i cili nëse nuk ekziston duhet të shpiket. Njerëzit duhet që të ndjejnë frikë e njëkohësisht edhe siguri që ua mundëson prijësi. Frika e homogjenizon popullin rreth një qëllimi, që është qëllimi i prijësit. Sistemet autoritare janë prodhues të frikës dhe ankthit. Frika është armike e lirisë.

Në sisteme të këtilla edhe dyert e zyrave të institucioneve shtetërore janë me përmasa të mëdha, që të krijohet bindja se për hapjen e tyre duhet forcë mbinjerëzore dhe se brenda zyrave merren vendime jetike dhe historike. Edhe shkollat kanë formë katrore dhe jo rrethore. Aty duhet të ndjehet autoriteti i ligjëruesit, i cili imponohet si mendje e gjithëdijshme.

Në sisteme të këtilla humori duhet të jetë i instrumentalizuar, kurse prijësi duhet të kursehet. Shërbimet sekrete të Jugosllavisë së dikurshme kishin njësi speciale për sajimin e barsoletave, ku në shënjestër ishin armiqtë e regjimit.

Sot, si përherë, kemi nevojë për humor, por jo për humorin që na e servon politika. Sot e ndjejmë mungesën e sensit për humorin që e karnavalizon jetën dhe që e paraqet mbretin lakuriq. E kjo kohë ka shumë protagonistë të jetës publike që janë të denjë për humor.

Jetojmë në kohën kur flitet vetëm për vendime historike, ndërkohë që historia tallet me ne. Këtë gjendje e përshkruan bukur Mesha Selimoviqi te romani “Dervishi dhe vdekja”: “Me askënd historia nuk u tall si me ne. Deri dje ishim ata që sot duam ta harrojmë. Por nuk u bëmë as ndryshe nga çfarë jemi. Mbetën të trullosur mes rruge. Nuk mundemi të vemi askund… Fatkeqësia është se e dashurojmë këtë vdekërim dhe nuk bëjmë pa të”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button