Fox News: Presidenti shqiptar e akuzoi Sorosin për komplot destabilizues

Media amerikane, “Fox News”, ka komentuar deklaratat e presidentit shqiptar, Ilir Meta, me të cilat ai akuzon Xhorxh Sorosin se është përfshirë me një komplot në lidhje me zgjedhjet vendore.

“Presidenti shqiptar akuzoi miliarderin bamirës me prirje të majta, Xhorxh Soros, se ka qenë i pëfshirë me zgjedhjet vendore, të cilat ai i quan ‘një farsë’, pjesë e një komploti për të kapur të gjitha hallkat e shtetit shqiptar”, citon media amerikane presidentin Meta, si dhe qartëson që presidenti nuk ka ofruar asnjë provë për t’i mbështetur këto deklarata akuzuese, transmeton Top Channel.

“Kam dy fjalë edhe për miliarderin e nderuar George Soros. Na ndihmoi në vitin 2000, sepse edhe ai është socialist në pikëpamje. Por më pati thënë Viktor Orban: ‘kini kujdes se nuk është aq demokrat dhe komploton edhe kundër demokracisë’”, citon Fox News presidentin Meta.

Artikulli vë në dukje se presidenti i është kthyer me akuza edhe komunitetit ndërkombëtar, përfshi BE-në dhe SHBA-në, duke u bërë thirrje diplomatëve të mos bëhen qesharakë e të mos luajnë me kushtetutën shqiptare.

Sipas Fox News, Meta ishte përpjekur të anulonte zgjedhjet e së dielës, duke thënë se nuk do të ishin demokratike pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila i ka bojkotuar.

Megjithatë, shton media amerikane, kryeministri Edi Rama urdhëroi të mbahen zgjedhjet, në të cilat partia e tij pritet të dalë fituese me diferencë shumë të madhe. Opozita, nga ana tjetër, e ka quajtur pjesëmarrjen e ulët (21.6%) si antikushtetuese dhe të paligjshme. Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dukje se mungesa e opozitës ka bërë që zgjedhjet të mos kenë interes për votuesit.

“Fox” shpjegon se si Meta ka shpallur një tjetër datë për zgjedhjet, por që është refuzuar nga qeveria, e cila ka ngritur një komision hetimor për të shkarkuar presidentin. Opozita ka vazhduar protestat duke e akuzuar qeverinë për manipulim të votave në zgjedhjet e mëparshme, të cilat qeveria i ka mohuar.

“Soros është shënjestër e rregullt e qarqeve të djathta, për shkak të financimeve që u bën grupimeve të majta nëpër Europë dhe SHBA. Qeveria nacionaliste e Hungarisë miratoi një ligj vitin e shkuar për të ndërprerë veprimtaritë e tij me Fondacionin Shoqëria e Hapur, duke e deklaruar të paligjshme veprimtarinë e OJQ-ve për të organizuar emigrim në vend”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button