RMV, asnjë hetim për zyrtarët e dyshuar për korrupsion

Kanë vazhduar përplasjet mes pushtetit dhe opozitës lidhur akuzat e kësaj të fundit për përfshirjen e sekretarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski në kurdisjen e një tenderi për pajisje të kontrollit të fluturimeve civile, në favor të një kompanie italiane, në vlerë prej 7 milionë euro. Rashkovski i ka mohuar akuzat duke theksuar se e gjithë procedura ka qenë ligjore, ndërsa ka pranuar bisedën me drejtuesit e kompanisë, e cila është publikuar në opinion, por ka thënë se ajo është montuar dhe se nuk bëhet aspak fjalë për shkelje procedurash, shkruan Portalb.mk.

VMRO-DPMNE-ja në opozitë ndërkohë për rastin ka dorëzuar padi në Prokurorinë Publike kundër sekretarit të Qeverisë, duke e akuzuar për shpërdorim të detyrës, vepër e dënueshme me së paku 5 vjet burg.

Nga Qeveria kanë thënë se për këtë rast është diskutuar edhe në seancën e fundit, por pa dhënë detaje tjera lidhur me rastin në fjalë.

“Janë sjell konkluzione adekuate në bazë të të cilëve duhet vepruar dhe e gjithë kjo duhet të zbardhet dhe opinioni të njihet me të vërtetën”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por pa dhënë detaje tjera.

Rasti me sekretarin e Qeverisë nuk është i pari, pasi biseda të përgjuara të zyrtarëve me dyshime për përfshirje në afera korruptive janë publikuar në vazhdimësi. Madje në një tjetër, një kryetar komune i partive në pushtet është regjistruar duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj një personi, që ka ngritur shqetësime në opinion. Pavarësisht kësaj dhe paralajmërimeve të Qeverisë për hetime, ende nuk ka asnjë epilog konkret.

Ekspertët që merren me çështje të aferave korruptive thonë se hetime dhe përgjegjësi vështirë se do të ketë, meqë sipas tyre të gjitha institucionet janë nën kontrollin e politikës.

“Institucionet shtetërore, por edhe organet tjera që janë të angazhuara për luftimin e fenomeneve negative dhe dëmtuese për shoqërinë, nuk veprojnë. Veprimet e tyre janë inerte dhe deri tani nuk jemi asnjë veprim nga ana e tyre, nuk kanë zbuluar apo hetuar asnjë aferë që ka të bëjë me korrupsionin. Asnjë nga institucionet nuk vepron për shkak se politika e Qeveria i kontrollon të gjitha këto organe që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thotë Arfi Musa, ish-anëtari i Komisioni antikorrupsion duke përmendur me këtë rast një aksion që së fundi është zhvilluar në një fshat të banuar me shqiptarë, kundër siç ishte thënë, kultivimin apo kontrabandës me duhan.

Kjo sipas Arif Musës më tepër ishte farsë gjoja për të treguar se institucionet veprojnë, jo në afera të mëdha korruptive, por godasin njerëzit e varfër që mezi sigurojnë mbijetesën.

Ai thotë se pa një ndërhyrje nga jashtë, institucionet do të vazhdojnë të mbeten të shurdhra ndaj fenomeneve negative, ndërsa kujton ndërhyrjen e fundit të prokurorisë italiane për kapjen e një zyrtari të lartë të dyshuar për marrje ryshfeti. Musa thotë se nuk do të ketë, qoftë edhe një hetim ndaj zyrtarëve, sikur në raste të caktuara të mos ndërhyjnë ndërkombëtarët.

“Vetëm kur të paraqiten nga ambasada amerikane, ambasadori i Bashkimit Evropian, apo në rastin e fundit me prokurorinë italiane. Do të thotë, vetëm kur këta të paraqiten mund të ndërhyjnë, përndryshe veprime tjera nuk kanë bërë. Pra, keqpërdorin detyrën zyrtare, harxhojnë mjete buxhetore dhe veprime konkrete nuk ka”, thotë Arif Musa, ish-anëtari i Komisioni antikorrupsion.

Ekspertët vlerësojnë se mungesa e rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të ketë pasoja në raportin e vjeshtës të Bashkimit Evropian, në mosdhënien e datës së nisjes së bisedimeve për anëtarësim në union.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button