RMV, cilat institucione kanë dështuar me investimet kapitale

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski thotë se realizimi i investimeve kapitale në resorin e tij është i shkëlqyeshëm, por në pesë muajt e parë të vitit janë realizuar vetëm 13.7 për qind të investimeve të planifikuara për tërë vitin. Cilat institucione nuk e kanë kryer punën, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Realizimi i investimeve kapitale këtë vit është edhe më i dobët se vitin e kaluar, ndërsa viti i kaluar ishte viti më i dobët në dekadën e fundit. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, resori i të cilit është përgjegjës për rrugët, hekurudhat dhe gazifikimit, thotë se realizimi në ministrinë e tij është i shkëlqyeshëm, ndërsa pushteti po hesht për institucionet që po dështojnë.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski

Në pesë muajt e parë të këtij viti janë shpenzuar vetëm 58 milionë, për investime kapitale, nga 422 milionë euro që janë parashikuar, ose vetëm 13.7 për qind e mjeteve të parashikuara. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 54 milionë euro kanë qenë të shpenzuar për investime kapitale, ose 13.8 për qind nga mjetet e planifikuara për tërë vitin.

Kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri Goran Sugareski vazhdimisht po përsërisin se situata do të përmirësohet në gjysmën e dytë të vitit, por të njëjtën e thoshin edhe vitin e kaluar, ndërsa më në fund u shpenzuan vetëm 66 për qind të mjeteve të planifikuara për investime.

Sugareski thotë gjithashtu se realizimi në portofolin e tij ishte “i shkëlqyer”, por askush nuk tregon se ku ka dështuar keq realizimi për të pasur atë rezultat prej 13.7 për qind.

Pyetëm në Ministrinë e Financave për institucionet të cilat e kanë realizimin më të lartë dhe më të ulët të investimeve kapitale, por nuk morëm përgjigje.

“Realizimi i investimeve kapitale matet në nivel të vitit dhe pritshmëritë e qeverisë janë se këtë vit ato do të realizohen shumë më mirë se një vit më parë. Dinamika e realizimit është e ndryshme në resorë të ndryshëm, prandaj edhe nuk mund të bëhet krahasimi duke bërë kryqëzime dhe prerje të tilla. Janë ndërmarrë masa, ndërsa dinamika tashmë është përmirësuar dhe pritet të kemi rezultate të mira deri në fund të vitit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Para me pak se një muaj, ish-ministri i financave Dragan Tevdovski refuzoi të theksojë institucionet që kanë dështuar në shpenzimin e investimeve publike.

“Ne jemi transparent, i keni raportet tona në faqen e internetit, prandaj urdhëroni, shihni”, tha Tevdovski.

Xhevdet Hajredini, foto: Vançko Xhambaski
Xhevdet Hajredini, foto: Vançko Xhambaski

Megjithatë të dhënat më të fundit, në faqen e internetit të Ministrisë, mbi të hyrat dhe shpenzimet nga përdoruesit e buxhetit janë për gjysmën e parë të vitit të kaluar dhe jo për këtë.
Ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini thotë se nuk tregojnë, sepse po përpiqen t’i fshehin rezultatet e këqija.

“Është në natyrën e njeriut, ta fshehë atë që nuk i përshtatet atij. Arsyeja është që ministrat e pasuksesshëm të fshehën nga publiku. Po përpiqen që dështimet t’i fshehin nga publiku me propagandë jo bindëse. Për fat të keq, unë kam qenë ai i cili më herët ka folur për VMRO-DPMNE, ndërsa tani jemi dëshmitarë që po përsëritet edhe nga qeveria e LSDM-së. Është për t’u çuditur që po përjetoj propagandë shtetërore dhe partiake më të vrazhdët se ajo që dikur e bënte regjimi i Gruevskit”, thotë Hajredini.

Në paraqitjen e mbrëmshëm në TV24, ministri Sugareski tha se në gjysmën e parë të këtij viti ministria e tij paska realizuar 26 për qind të investimeve të planifikuara për tërë vitin.

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, Ministria e Ekonomisë ka realizuar vetëm 0.4 për qind të investimeve kapitale, Ministria e Bujqësisë 1.5 për qind, Ministria e Mbrojtjes – 2.2 për qind, Ministria e arsimit 7.9 për qind, Ministria e transportit dhe lidhjeve 12.3 për qind, Ministria e shëndetësisë 14.9 për qind dhe Ministria e Mjedisit Jetësor 17.4 për qind e investimeve të planifikuara për tërë vitin.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme – 56.6 për qind, Ministria e Kulturës – 41.2 për qind, ndërsa financimi i aktiviteteve në fushën e kulturës ka qenë 30.7 për qind, ndërkohë që Ministria e Vetëqeverisjes Lokale i ka shpenzuar pothuajse të gjitha paratë për investime kapitale në gjysmën e parë të vitit, përkatësisht realizimi ka qenë 98.8 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button