Fabrikë e re, 9 milion euro investim në zonën industriale në Tetovë, priten 300 punësime (VIDEO)

Në zonën e lirë industriale në Tetovë ka filluar të ndërtohet fabrika “GlassFlex” për prodhimin e llojeve të ndryshme të xhamave, që sipas projekt menaxherit, do të jetë fabrika e vetme e llojit të tillë në Ballkan. Investimi gjithsej është 9 milion euro dhe fabrika pritet të ketë 300 të punësuar, transmeton Portalb.mk.

“Është kënaqësi që sot marr pjesë këtu në zhvillimin e punimeve të kompanisë më të re “Glass Flex” e cila për momentin është në fazën e ndërtimit të fabrikës në zonën e lirë ekonomike të Tetovës. Kjo është një dëshmi tjetër që partneriteti publiko-privat jep rezultatet e duhura, pra është një kompani me kapital holandez e cila do të investojë 9 milion euro dhe do të punësojë rreth 300 persona”, tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ai tha se qeveria në bashkëpunim me drejtuesit e zonës ekonomike të Tetovës bën përpjekjet maksimale që të zhvillojnë këtë zonë ekonomike. Ai tha se kjo do të rrisë punësimin në rajon, eksportin nga kjo zonë, dhe zhvillimin e këtij rajoni.

Kjo fabrikë pritet të fillojë me punë në fillim të muajit tetor të këtij viti. Megjithatë, zona e lirë ekonomike ende nuk ka kyçje në autostradë. Bekteshi nga ana tjetër, thotë se qeveria do i përmbushë detyrimet e veta ndaj kësaj zone.

“Nëse biem dakord me investitorin privat mund të fillohet edhe kyçja e zonës me autostradën. Obligime sipas kontratës ka edhe investitori privat por edhe investitori publik, qeveria. Duke i pasur parasysh këto obligime dhe afatet ne në bashkëpunim me investitorin privat do t’i koordinojmë aktivitetet, dhe me siguri që në interes të kësaj zone do të bëjmë investimet e duhura”, tha Bekteshi.

Projekt menaxheri i kësaj fabrike, Goce Peshok, tha se një fabrikë e tillë në Ballkan do të jetë e vetme, me makineri moderne. Kështu që prodhimet e kësaj fabrike 80% do të jenë për eksport dhe 20% për shitje në vend.

“Në zonën e lirë industriale në Tetovë ndërtohet objekt në një sipërfaqe prej 9000 metra katrorë në të cilin do të prodhohen lloje të ndryshme të xhamave. Objekti ka filluar të ndërtohet në fund të vitit 2018 dhe pritet që deri në fund të këtij muaji të përfundohet ndërtimi i objektit. Pastaj deri në muajin gusht duhet të bëhen instalimet e duhura në objekt dhe të arrin makineritë nga Finlanda, Spanja, Italia, dhe të bëhet montimi i makinerive. Në shtator do të bëhet testimi i makinerive dhe në tetor pritet që të fillohet me prodhim”, tha Goce Peshok.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button