Tashmë shtatë vite naftësjellësi Selanik – Shkup i thatë

Vendi ynë është një nga vendet e pakta që në territorin e vet ka naftësjellës e që nuk e përdor. Po kalon viti i shtatë kur në vitin 2013 u ndërpre transporti i naftës së papërpunuar nëpërmjet naftësjellësit Selanik – Shkup, kurse ende s’ka kurrfarë njoftimesh konkrete rreth rifillimit të tij, njofton META, transmeton Portalb.mk.

Ndërprerja e transportit asokohe u arsyetuar me teknologjinë e vjetruar në rafinerinë “Okta”, dhe se kostoja e përpunimit nuk shpaguhej, por me sa duket arsyeja kryesore për mos-shfrytëzimin e kësaj infrastrukture energjetike është se qeveria e Maqedonisë dhe kompania greke “Helenik Petroleum”, e cila nëpërmjet filialeve të saj e ka shumicën e pronës së naftësjellësit më shpesh komunikojnë me padi dhe kalkulime se me gjuhën e mirëkuptimit.

Naftësjellësi Selanik – Shkup filloi me punë në vitin 2002, ka një gjatësi prej 213.5 kilometra dhe kapacitet të transportit prej 2.5 milionë ton në vit. Transporti i naftës së papërpunuar realizohej nga terminali i “Helenik Petroleum”, që gjendet në kompleksin industrial në Selanik, në terminalin në “Okta-s”.
Në vitin 2012, përmes naftësjellësit u importuan 259.355 tonë nafte e papërpunuar, pra 62.18 për qind më pak sasi e naftës së papërpunuar, krahasuar me sasitë e importuara në vitin 2011. Kur filloi me punë naftësjellësi, sasitë e transportuara ishin disa herë më të mëdha.

“Helenik Petroleum”, përmes kompanisë së saj “ELPE Balkaniki” është pronar shumicë i rafinerisë, “Okta”, dhe pronar i 80 për qind të kapitalit të kompanisë greko-maqedonase “Vardaks”, e cila menaxhon me naftësjellësin. Pjesa e mbetur prej 20 përqind të naftësjellësi është në pronësi të vendit tonë. Grekët gjatë vitit 2016 në kohën e strukturës qeverisëse të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja njoftuan se naftësjellësi është pastruar nga mbetjet e naftës së papërpunuar dhe që është përshtatur për të transportuar dizel. Ata e akuzuan më pas qeverinë se nuk e jep pëlqimin për të lëshuar në funksion naftësjellësin, ndonëse ajo gjë do të ishte e dobishme për qytetarët e dhe për ekonominë e vendit sepse do të sigurohej transport i besueshëm dhe cilësor i dizelit, karburanti që përdoret më së shumti në vendin tonë.

Përfaqësuesit e “Helenik Petroleum”, nuk gjetën gjuhë të përbashkët me qeverinë e Nikolla Gruevskit rreth kësaj çështjeje, por me sa duket kanë probleme për të rënë dakord edhe me qeverinë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev. Ndërkohë në vend të marrëveshjes në mes të dy palëve, kompania greke aktivizoi një padi kundër shtetit me të cilën kërkon kompensim prej 32 milionë euro për shkak se shteti nuk i ka blerë sasitë e mazutit të parapara me marrëveshjen e shitblerjes së “Okta-s”.

Për këtë çështje, “Meta” kërkoi përgjigje nga selia e “Vardaks-it” në Selanik. Ata thanë se nuk mund t’u përgjigjen pyetjeve tona, sepse për momentin po zhvillohen negociata ndërmjet dy palëve që janë me rëndësi vendimtare.

“Megjithatë, operacioni për transport të derivateve të naftës nëpërmjet naftësjellësit nga Selaniku në Shkup është faktor i rëndësishëm për të garantuar siguri në furnizimin me karburante në vendin tonë fqinj,” the nga “Vardaks.”

Nga ana tjetër Qeveria, qysh në fillim të vitit,  doli me të njëjtin qëndrim se po zhvilloheshin negociata, por pa afate konkrete dhe pikëpamje për zgjidhjen e  mundshme.

Përndryshe, gjetja e zgjidhjes për këtë problem mes rreshtave përmendet në Marrëveshjen e Prespës, e cila u nënshkrua një vit më parë.

“Palët do të zhvillojnë dhe nxisin bashkëpunimin e tyre në sektorin e energjisë, përkatësisht ndërtimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e gazsjellësve dhe naftësjellësve (ekzistues, ato që janë në ndërtim e sipër dhe ato të projektuar), ndërsa do të bashkëpunojnë edhe lidhur me energjinë e rinovueshme, duke përfshirë kapacitetet diellore, të erës dhe hidroelektrike “, thuhet në një nga nenet në kapitullin e marrëveshjes që i referohet bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Aty është shtuar se çështjet e mundshme të pazgjidhura të shqyrtohen sa më shpejtë për të arritur një zgjidhje bashkërisht të pranueshme, me ç’rast në veçanti do të merret parasysh politika evropiane të energjisë dhe legjislacionit evropian në këtë fushë.

Tani mbetet të shihet se sa kohë do t’u duhet Maqedonisë dhe Greqisë për të përmbushur këtë detyrim në bazë të marrëveshjes dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët që do të çonte në rifillimin e naftësjellësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button