KEQË LURKA

Kishte një emër të çuditshëm: Keqë. Keqë Lurka!

Asnjëherë nuk e kam pyetur pse ka kësi emri dhe si i ka mbetur sojit të tij ky mbiemër. E nisa me emrin e tij, jo për rrallësinë ose për ta poshtëshënuar. Jo. Sot ka emra nga më të çuditshmit, madje edhe më të çakërdisur se Keqë Lurka. Si ju duket juve emri Tunxher, bie fjala? Mua për vete Tunxheri më duket më i largët se Keqë. Pra edhe njëherë po them nuk e kisha te emri.E nisa me emrin ngase ma merr mendja se e njihni Keqën e duke e njohur do t’ju shkojë mendja se nuk dua ta lavdëroj. Prandaj po ia jap lirinë vetes t’ju  them që në fillim se ky njeri nuk më pëlqente. Madje, nuk mund ta bluaja se jo vetëm që  fryhej si biban, por gjithmonë kacagjelohej, jo me fjalë, po me pedantëri, veshje e gjera të tjera. Gjithmonë i veshur, me përgjigje të shkurtra e të prera me po ose jo. Pastaj, mënyra si ulet, si rri, ia mban shumë lartë kur u drejtohet njerëzve me: siurdhëroni, patjetër, si të thoni ju, jam në shërbimin tuaj. A mos doni të shkoj të blej kafe? Mos deshët cigare? Krejt filozofia e tij kufizohej me teshat e hekurosura, me kollaret dhe me pyetjet që ju tregova. Ky burrë asnjëherë nuk hyri në debat për ndonjë çështje të rëndësishme politike a për ndonjë libër. E shikoja,  më dukej se me tru është i varfër. E ka të shkretin tru si të pulës. Kam thënë shpesh.

E ja ky Keqa me këtë tru si e mendoja unë dhe nuk ia varja fare kur na afrohej e rrinte vazhdimisht me ne në ato kohë kur e themeluam Partinë tonë kooperativiste, kishte diçka që nuk e kisha unë. Ai e kishte strategjinë për të arritur qëllimet e tij që synonin pushtetin dhe pasurinë për veten, për dallim nga unë që isha tërësisht i preokupuar me idealet.

Unë vazhdimisht e injoroja Keqën, duke shpresuar se qëndrimi im do të bënte që ai të hiqte dorë nga ndenjat tona partiake e do të shkonte aty ku duhej ta gjente veten, po ai vazhdonte vendosmërisht të rrinte me ne. Mendova e çmendova si t’ia vari teneqenë për bishti e ta hiqja qafe, kot. Çkado që bëja, atij s’i bëhej vonë. Ditën tjetër i hekurosur dhe i pudrosur e kishe si kollomoç midis nesh.

Një ditë u vonua e unë e shfrytëzova rastin t’u them shokëve se ky Keqa po më pengon. Vjen këtu dhe e zë vendin e dikujt kot së koti. A mos e dëgjuat ta japë ndonjë ide, ndonjë propozim e të bëjë diçka të hairit? Jo, thashë. Çka na duhen këta njerëz inertë? shtova. A vetëm pse na vjen i veshur me katllëk e me kollare duhet ta mbajmë këtu? A vetëm për dukë? Açp na duhet si hu gardhi që është?

Pas një heshtjeje të shkurtër, njëri, më shkurt Nikë Guri, ma priti:

Sa për teshat, më tha, gabim e ke. Në politikë teshat janë praktikisht vegla pune, madje të rëndësishme. A mos deshe që politikani të dalë me benevrekë të zeza e me lurkë të bardhë para turmës. Mos u nis prej teshave kur flet për të se mund të sjellësh përfundime të gabuara. Pastaj mos e quaj njeriun inert, pa e njohur mirë.

Të tjerët heshtën. Një fjalë s’e nxorën goje. Pashë s’pashë nuk fola më. Mua më la shije të keqe fjala turmë, po edhe kjo mbrojtje e një njeriu që s’ka bërë asgjë përveç se na është sjellë nëpër këmbë. Po kur shumica mendon ndryshe, kjo duhet të respektohet. A jemi në demokraci?

Ne i dhamë zor, i vumë themelet e partisë në kohën kur ende ishte i gjallë e i fortë regjimi. Keqa rrinte duarkryq, ndonëse nuk mungoi nga asnjë mbledhje. Rrinte si rekuizitë. Vetëm sytë e tij të imtë i rrotullonte me shpejtësi e përcillte çdo lëvizje. Kur e nxirrnim në vota ndonjë propozim, Keqa shikonte rrufeshëm andej e këndej dhe votonte si shumica. Dalëngadalë gishtat e tij u bënë të rëndësishëm, sepse nisi t’i shfrytëzojë rryma që po e merrte shumicën në drejtimin e partisë. Pastaj u zgjodh kryesia e degës, kryetari, nënkryetari, sekretari, u zgjodhën edhe anëtarët e kryesisë, ku isha edhe unë. Keqa mbeti jashtë këtyre strukturave. Po Keqa nuk u turbullua. Vazhdoi të rrinte me ne. Ndonjëherë kur e thërrisnim kamerierin të paguajmë pijet, kamerieri na e kthente:

E paguar. Nga zotëri Keqa.

Një ditë dikush tha:

„Sa e bëjmë ndonjë tjetër, propozoj që Keqën ta bëjmë sekretar teknik“. Vazhdimisht është këtu. Është pedant, i rregullt. Do të rrijë te telefoni dhe do të mbajë evidencë se kush na kërkon e kush hyn e kush del. Këtë punë s’e bën më mirë askush“.

Të gjithë u pajtuan. Unë s’fola. Çka të flas? Punë e madhe që Keqa po bëhet sekretar teknik.

Dhe, u bë Keqa. Sekretar teknik. Më erdhi të qesh sa lehtë e pranoi këtë punë. Nejse de, do ta kemi sekretarin teknik më të pispillosur se ministri, mendova jo pa hile. Të nesërmen e gjeta te telefoni në zyrë, që në fakt ishte paradhomë para zyrës së kryetarit.

Me kalimin e kohës në parti idealet u harruan.  Filloi të bjerë në plan të dytë dashuria për popullin, brenga për padrejtësitë që na i bënte pushteti dhe në plan të parë dolën fërkimet joparimore midis nesh, depërtimi me bërryla drejt instancave pushtetare.

Keqa, të cilin unë e mendoja trupulë e hupafill diti të notojë në këtë llucë. Lepe – peqe njanit, lepe-peqe tjetrit (siç thoshte një shok imi), një ditë Keqa hop – u bë shef i kabinetit të kryetarit të partisë. „Është më besnik”, thanë, “dhe i ruan sekretet e partisë“. Në lëvizjet tjera organizative, që vazhdonin të bëhen, Keqa arriti në qeveri. Aty,  – u bë sekretar i qeverisë. Dalëngadalë erdhi koha e Keqa u bë ministër.

E pashë një ditë me një aktor dhe e përshëndeta.

Tungjatjeta Keqë.

Keqa e ktheu kryet në anën tjetër. U bë se nuk më njeh. Madje e pyeti aktorin me zë, që ta dëgjoj:

“Kush qenka ky, bre”?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button