U ngrit aktakuzë kundër ish-ministrit Teodosijeviq

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit I.T., pasi që në cilësinë e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike, që jetojnë në Republikën e Kosovës, transmeton REL.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili, gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në muajin mars, ka thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

“Me këto veprime I.T., ka kryer veprën penale: nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, thuhet në njoftimin e Prokororisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar nga detyra Teodosijeviqin më 9 prill.

Haradinaj, më 25 mars, e ka liruar nga detyra edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi kjo e fundit ka deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë “ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button