Kryetari i Ohrit Georgieski në sesionin e UNESKO-s në Baku shkoi me listë prej 1.076 ndërtimeve të paligjshme

Për herë të parë në historinë e vet, Ohri po shkon në një sesion të UNESKO-s me regjistër të ndërtimeve pa leje. Situata me mbrojtjen e rajonit të Ohrit do të prezantohet në seancën e Komitetit të UNESKO-s që prej mbrëmë po mbahet në Baku, Azerbajxhan, transmeton Portalb.mk.

UNESKO, në raportin e fundit,  rekomandon që trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit të vendoset në listën e trashëgimisë botërore të rrezikuar.

“Komuna e Ohrit për herë të parë në historinë e vet, dhe për të vetmen herë në vend, në përputhje me rekomandimet e UNESKO-s, ka përgatitur një regjistër të ndërtimeve pa leje. Kemi identifikuar 1.076 lëndë për të cilat janë gjetur shkelje të Ligjit për Ndërtim. Nga ato, një numër çuditërisht i madh prej 409 ndërtimesh gjenden në rripin e mbrojtur. Ballafaqimi me këtë problemi kompleks nuk mund dhe nuk do të ndodhë në konferenca për shtyp dhe me njoftime për shtyp, por me punë të palodhshme dhe të përkushtuar. Komuna e Ohrit, si pala më e prekur dhe më e interesuar, e ka marrë rolin udhëheqës dhe koordinues në këtë proces të gjatë dhe të mundimshëm. Në të, të gjithë, pa përjashtim, do të kenë përgjegjësi për veprimin dhe mosveprimin, pavarësisht nëse bëhet fjalë për autorë të kundërvajtjeve ose institucioneve që nuk kanë vepruar në përputhje në mënyrën e duhur. Të gjitha gjetjet dhe rezultatet e masave që do të ndërmerren do të paraqiten në publik në kohën e duhur”. thotë kryetari i komunës Konstantin Georgieski, njofton SDK.

“Situata me urbanizmin dhe ndërtimet e paligjshme është alarmante. Kjo s’është asgjë e re. E re është vetëm qasja që ne, si administratë e re në komunë po e ndërmarrim për t’u përballur këtë problem kompleks urbanistik, politik dhe shoqëror. Qasja për të cilën po flas është sistemore dhe gjithëpërfshirëse me përfshirjen e institucioneve relevante dhe të gjithë aktorëve tjerë të interesuar”, tha Georgieski.

Georgieski, së bashku me ministrin pa portofol Edmond Ademi dhe zëvendësministrin e jashtëm Andrei Zhernovski, është pjesë e delegacionit zyrtar qeveritar që do të marrë pjesë në Sesionin e 43-të të Komitetit për trashëgimi kulturore në Baku, Azerbajxhan.

Në këtë takim pritet që të merret një vendim dhe do të jepet një rekomandim për statusin e ardhshëm të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Ohrit, në bazë të vëzhgimeve të misionit monitorues të UNESKO-s që u realizua në prill 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button