Ilievski sërish inspektoi për titujt e Ademit dhe Nuhiut: Do t’i njoftoj edhe Ambasadën e BE-së, Holandës dhe Gjermanisë

Inspektori i Arsimit, Gjorgji Ilievski sërish ka publikuar letër publike, ku kryeministrin Zoran Zaev, dhe siç e quan ai, “kryeministrin e dytë” Ali Ahmetin e njoftoi për skandalin në lidhje me ngritjen në tituj shkencorë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu dhe drejtorin e Entit Shtetëror për Pronësi Industriale, Safet Emruli, transmeton Portalb.mk.

Në letrën e tij, inspektori potencoi faktin se edhe pse Inspektorati deklaroi se pas inspektimit të jashtëzakonshëm që u paralajmërua pas publikimit të skandalit nga ai, u vërtetua se nuk ka aktivitete të paligjshme në ngritjen në tituj të Ademit dhe Nuhiut, ai sërish ka realizuar inspektim në Universitetin e Tetovës, dhe ka vërejtur veprime të paligjshme.

“Konstatimet e tilla të inspektorit dhe drejtorit Tome Spirovski janë mosnjohje elementare e ligjeve. Për këtë, zotëri kryeministra, më 27 qershor 2019 kam realizuar inspektim dhe kam konstatuar se nuk janë respektuar vendimet e mija dhe e kam obliguar Universitetin e Tetovës (pres që Ali Ahmeti, si lider, të qëndrojë në anën e ligjit) të diskutojnë organet e Universitetit dhe t’ua marrin ngritjen profesionale të paligjshme në titujt shkencor-arsimor në këto funksione publike”, thotë mes tjerash Ilievski.

Duke aluduar në vendimin jo të drejtë të Inspektoratit për ti cilësuar vlerësimet e tija si “personale”, Ilievski nxori edhe parregullsi në funksionimin e vetë krerëve të Inspektoratit.

“Në konstatime e mija dhe paligjshmëritë e verifikuara, nga shkaqe të njohura, janë shpërblyer drejtori i Inspektoratit Shtetëror, Tome Spirovski (i cili siç ka thënë “prapa meje qëndrojnë Oliver Spasovski dhe ministri Arbër Ademi”) dhe udhëheqësi i sektorit, Afrim Saliu (“avokat” i lartë të apostrofuarve) – se konstatimet kanë qenë “qëndrime të mija personale”, tha në letrën e tij Ilievski dhe shtoi se Afrim Saliu ka konflikt interesi, sepse bija e tij punon si asistente në Fakultetin Juridik.

Inspektori Ilievski ka njoftuar se dokumentacioni i inspektimit të 27 qershorit tashmë është dërguar edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit,kabinetin e kryeministri Zoran Zaev dhe do të njoftohet edhe zyra e Bashkimit Evropian, Ambasada e Holandës dhe e Gjermanisë.

“Për skandalin e tillë është dorëzuar edhe dokumentacioni i tërësishëm në Komisionin Shtetëror për Korrupsion, tashmë ju dhe kabineti jeni të njoftuar, por pres të presë edhe “kryeministri i dytë”, Ali Ahmeti. Për gjendje të tilla skandaloze janë të njoftuara edhe institucionet ndërkombëtare, kurse me këtë letër do të njoftohet edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadat e Holandës dhe e Gjermanisë, si dhe të tjera. Do të përfundoj, respektivisht do ta parafrazoj ambasadorin e Francës në shtetin tonë, Kristian Timonie: Të përkushtohemi në ligj dhe të funksionojë shteti i së drejtës për të gjithë njëjtë, të ketë luftë kundër korrupsionit, dhe me këtë të vijmë deri te ajo çfarë është qëllim i shtetit tuaj… Ajo çfarë është qëllim i shtetit tim, sa më shpejtë të integrohet në familjen evropiane”, tha mes tjerash në letrën e tij Ilievski.

Përndryshe, inspektori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Gjorgji Ilievski ka deklaruar se gjatë inspektimit të realizuar në Universitetin e Tetovës, janë vërejtur ngritje në tituj të funksionarëve, Ademi, Nuhiu dhe Emruli derisa të njëjtit kanë qenë bartës së funksioneve shtetërore, e postet e tyre në UT sipas Ligjit do të duhej të ishin të ngrira.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button