fbpx

SHOQËRIA PERMISIVE: KU NA ÇON?

Bota moderne nga shumë autorë lexohet si apogje i lirive individuale dhe kolektive të njeriut, si shoqëri më e hapur sesa ajo tradicionale, më e emancipuar sesa ajo e matricës konservatore, se sa ancien regime, shoqëri në të cilën mbizotëron maksima shekullare “liri për të gjithë” (Freedom for all). Një shprehje që ka të bëjë me këtë kontekst të ri social është edhe shoqëria permisive apo lejuese, që nënkupton një lloj të shoqërisë që ekziston në pjesën më të madhe të Europës, Australisë dhe Amerikës Veriore nga vitet 1950 apo 1960, ku shënohet një shembull i kthjellët i “risimtarisë” sociale, kulturore dhe morale, i detabuizimit, i çmitizimit të vlerave të mirënjohura, një masë më e madhe e lirisë së sjelljeve, në veçanti e lirive seksuale. Periudha pas vitit 1945 është ajo kur demokracitë perëndimore kaluan nga restriktiviteti kah permisiviteti, madje edhe drejt atij permisivitetit radikal.

Shoqëria lejuese nënkupton një kontekst ku normat sociale bëhen gjithnjë e më liberale, ku veprime që dikur janë cilësuar si të patolerueshme bëhen të pranuara, me një fjalë, ndodh refuzimi i ‘vlerave absolute dhe morale’, i vlerave religjioze. Në këtë lloj të shoqërisë vlerat tradicionale ua lirojnë vendin shekullarizmit, progresivizmit dhe individualizmit moral. Kjo shoqëri dallohet për dobësim të vlerave familjare, abuzim të drogave dhe alkoolit, “seksualitet jotradicional” apo “të panatyrshëm”, martesa të të njëtës gjini, unione civile (i pari në Danimarkë më 1987), martesa shoqëruese (companionate marriages), amënitë pa martesë (unmarried motherhood), etj. (Chukwudi, 2017) Si rezultat i këtyre temave dhe krizës së vlerave janë shkrimet që flasin për “mbijetesën në një shoqëri lejuese: strategji shpirtërore biblike”. Në këtë drejtim, më 1985, John Costello publikoi librin Virtue Under Fire (Virtyti në rrezik), 1987 Frank Mort, Dangeroues sexualities (Seksualitete të rrezikshme), ndërsa më 2009 Alan Petigny publikoi Permissive society: America, 1941-1965, studime këto që merren me dilemat e shekullit postkonvencional.

Të dhënat nga përditshmëria flasin se shoqëritë anekënd botës gjithnjë e më tepër po qarkohen  nga premisat e kësaj “shoqërie tolerante” apo libertiniste. Këtë e vërejmë nga debatet që zhvillohen, nga kultura rinore ekscentrike, deri te “paradat shumëngjyrëshe” që promovojnë kulturë seksuale të ndryshme prej asaj që është e mirënjohur, që kërkojnë më tepër liri për veten e tyre dhe pjesëtarët e “bashkësisë së ndaluar”. Politikat e shteteve moderne, në veçanti të disave perëndimore promovojnë subkulturat që duken joshëse ngase promovojnë mjedisin pa paragjykime, ndërsa pasojat i kanë të shumta për të ardhmen e kombeve dhe të njerëzimit. A duhet të jemi më lejues apo më restriktivë në kohën kur flitet për “dobësimin dhe rënien e mëkatit bazik” (the decline and fall of original sin), kur shtyhen përpara agjenda të relativizmit vleror, kur ka ndryshuar kursi dhe nuk mundet lirshëm të flitet për shkarje, devijime sepse nëse i konsideron si të tilla ca veprime a sjellje vetë konsiderohesh si i humbur në kohë a i devijuar i shoqërisë demokratike? Secili ka bindjen e vet, besimin e vet dhe kjo është legjitime, por ama imponimi i fuqishëm i një perspektive dhe i një narracioni është gjithashtu dhunë. Relativizmi moral na mëson se “secili ka të vërtetën e vet”, se të vërtetat janë plurale”, duke në çuar kështu te gjendja kur “tjetri merr statusin e të kundërtit antipodik.” (Feraj, 2017) Politikat permisiviste nuk kundërshtohen vetëm nga një kulturë, por edhe nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve dhe qarqeve të vendeve perëndimore, zakonisht të lidhura me Kishën  dhe që kanë pikëpamje fort të lidhur me vlerat (strongly value-based views), si Italia, Greqia, SHBA-të (Studlar, 2015). Një gjë është e qartë: të drejtat njerëzore individuale janë të pakontestueshme por edhe e drejta e besimit dhe zbatimit të fesë gjithashtu.

Si rrjedhim i proceseve liberalizuese hapa galopantë, degradimi moral është evident gjithandej. Ndërkohë palët po shtyhen se kush është në të drejtë. Disa flasin për emancipim, të tjerët për degjenerim, afrimin e fundit të botës. Bastionet e permisivitetit fuqishëm po shtypin. Shoqëritë e avancuara vetë ankohen për krizë, vetë po agjitojnë për permisivitet, ndonëse e dinë se disa gjëra kanë rrjedhën e tyre nga zanafilla deri më sot dhe duhet të mbetem siç janë, sepse prekja në to është prishje e natyrshmërisë që ka pasoja të rënda për shëndetin individual dhe social. Sidoqoftë debatet rreth politikave morale (morality policies) vazhdojnë. Ndërsa pyetja që çdo njeri me mend në kokë e shtron është se kah po na shpie ky ndryshim paradigmatik dhe kjo shoqëri që dalëngadalë po instalohet edhe në mjediset tona. Ylberi dhe krenaria janë dy fjalë të bukura, por dalëngadalë hyjnë në kategorinë e eksploatimit mental-psikologjik që sjellin ndryshime thelbësore në të kuptuarit e vlerave dhe moralit. A janë pjesëtarët e një grupimi apo orientimi të sëmurë apo jo s’është me rëndësi, me rëndësi është që të jetojnë vetë me atë modus vivendi, pa ndërhyrë në vetëperceptimin dhe hapësirën jetike të tjerëve, pa tentuar t’i bindin të tjerët se praktikat e tyre janë “gjë e mirë” dhe mburrje. Intimiteti është gjë private që s’duhet të propagandohet. Në kushte normale s’çon peshë jeta diskrete as e VIP-it, as e starit, as plebsit e as e katundarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close