Kina thotë se do të rinisë bisedimet tregtare me SHBA-në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe ai i Kinës, Xi Jinping janë pajtuar që të rinisin bisedimet tregtare, raporton media shtetërore kineze, njofton REL.

Agjencia shtetërore e lajmeve kineze, Xinhua, tha se Uashingtoni nuk do të vendosë tarifa të reja mbi mallrat kineze, siç kishte kërcënuar presidenti Trump.

Trump nuk ka konfirmuar menjëherë tërheqjen nga vendosja e tarifave të reja. Por, ai tha se “kemi pasur një takim shumë të mirë me presidentin Xi të Kinës… do të thosha, një takim të shkëlqyer”.

“Jemi kthyer në rrugën e duhur”, tha Trump.

Trump dhe Xi zhvilluan bisedime në margjina të samitit të G20, që zhvilloi punimet në Osaka të Japonisë.

Teksa filloi takimi, Trump tha se ishte i hapur për një marrëveshje tregtare “historike” me Kinën, ndërkaq Xi i tha presidentit amerikan se “dialogu” është më i mirë se “konfrontimi”.

Përpara takimit, Trump tha se shpreson për një bisedë “produktive”, por ai insistoi se do të vazhdojë me planin e tij për të zgjeruar tarifat mbi produktet kineze, nëse nuk bëhet përparim në mosmarrëveshjet tregtare ndërmjet dy vendeve.

Tarifat tashmë që janë në fuqi u kanë shkaktuar humbje miliarda dollarësh kompanive të të dyja shteteve dhe kanë rritur frikën për uljen ekonomike botërore si dhe kanë bërë që tregjet ndërkombëtare të mos jenë stabile.

Presidenti Trump për një kohë të gjatë është ankuar lidhur me praktikat tregtare të Kinës dhe administrata amerikane po kërkon ndryshime nga Kina, sa i përket vjedhjes së pronës intelektuale amerikane dhe eliminimin e barrierave, që firmat amerikane dhe kompanitë e tjera të huaja, përballen në tregun e Kinës.

Pekini thotë se Uashingtoni po bën kërkesa të paarsyeshme dhe se duhet të bëjë konsensione.

“Ne ndjejmë se SHBA-ja po bën presion ekstrem”, tha për Reuters një diplomat kinez më 28 qershor. “Po bën shumë kërkesa, por nuk do që të bëjë konsensione”, tha ai.

Bisedimet ndërmjet Trumpit dhe Xi vijnë vetëm një ditë pasi presidenti amerikan u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button