Trump i kërkon Putinit të mos ndërhyjë në zgjedhje

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur “marrëdhënien shumë, shumë të mirë” me presidentin rus, Vladimir Putin, mirëpo ka paralajmëruar atë që të mos “ndërhyjë” në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, teksa të dy liderët kanë zhvilluar bisedime në margjina të Samitit të 20 vendeve më të industrializuara (G20), që po mbahet këtë vit në Japoni, njoton REL.

Trump ka folur me një ton optimist teksa ka nisur takimin e tij të parë më homologun rus pas një viti.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë, shumë të mirë”, u ka thënë Trump gazetarëve, teksa është ulur pranë Putinit në Osaka.

Ky është takimi i tyre i parë prej kur hetimet federale në SHBA, kanë dokumentuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, pavarësisht pse Putin mohon një gjë të tillë.

I nxitur nga një gazetar, Trump i ka thënë Putinit, “ju lutem mos ndërhyni në zgjedhje” me një buzëqeshje në fytyrë.

Ky takim po ashtu është i pari pas Samitit të mbajtur në Helsinki në korrik të vitit të kaluar, në të cilin Trump nuk ka lejuar askënd që të jetë pjesë e diskutimeve dhe ka refuzuar që të ndajë përfundimet e negociatave me Kongresin.

Putin në anën tjetër, ka thënë se ky takim është mundësi e mirë për të vazhduar dialogun bilateral.

“Ne kemi gjëra për të diskutuar”, ka thënë ai.

Takimi është planifikuar të zgjasë 60 deri në 90 minuta.

Ata pritet të diskutojnë rreth traktateve bërthamore, konfliktin në lindje të Ukrainës, sanksionet kundër Iranit dhe përshkallëzimin e situatës në Venezuelë.

Takimi i tyre vjen teksa marrëdhëniet në mes të të dyja kombeve krahasohen me atë të periudhës pas Luftës së Ftohtë.

Trump ka anuluar një takim me Putinin në Samitin G20, që është mbajtur në Argjentinë, në nëntor të vitit të kaluar, pasi Rusia ka kapur dy anije ukrainase dhe ekipet e tyre në Detin Azov. Megjithatë, ata kanë përmendur shumë pak këtë çështje në margjina të atij organizimi.

Në një intervistë për Financial Times, të publikuar më 27 qershor, Putin ka thënë se ai “nuk pret ndonjë pikë kthese” gjatë takimeve të tij në Osaka.

“Ekziston shpresa që gjatë këtyre diskutimeve të përgjithshme dhe takimeve bilaterale, ne do të jemi të gjendje të ulim tensionet dhe të krijojmë një bazë për të ardhme më pozitive”, ka thënë Putin.

Të dy liderët ka shumë mundësi që do të diskutojnë kontrollin e armëve, ka thënë ish zëvendës-ndihmësja e sekretarit të shtetit, Heather Conley, tani drejtore për programin e Evropës dhe Euroazisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe ato Ndërkombëtare në Uashington.

“Ky është vendi ku presidenti Putin do të dëshironte të zhvillonte bisedë bilaterale, sepse aty Rusia ka fuqi të barabartë me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Conley javën e kaluar.

“Ekziston një hapësirë e madhe për të menduar rreth kontrollit të armëve, ndonëse nuk ka ndonjë proces për të cilin ne jemi të dijeni”.

Traktati për Armë Bërthamore me Rreze të Mesme do të skadojë në muajin gusht, pasi SHBA-ja ka akuzuar Rusinë për moszbatim të marrëveshjes, andaj të dyja shtetet kanë hequr dorë nga ajo.

Traktati, Fillimi i Ri, është një tjetër marrëveshje për armët bërthamore, që mund të skadojë më 2021, nëse të dyja shtetet nuk pajtohen për ta vazhduar atë.

Aktualisht administrata e presidentit Trump është duke konsideruar një tjetër traktat që përfshin edhe Kinën.

Putin ka ripërsëritur për Financial Times se Rusia nuk ka parë interesim nga SHBA-ja për ta vazhduar këtë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë politika të kundërta edhe kur është fjala për Iranin dhe Venezuelën, ku situata është tensionuar në muajt e fundit.

Si Teherani, ashtu edhe Karakasi janë aleatë të Kremlinit dhe janë tregje kyçe për armë ruse.

Trump synon të largojë nga pushteti presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro, meqë situata në këtë shtet, ngadalë mund të dalë nga kontrolli. Ai ka kërkuar nga Rusia që të largojë ekipin e saj të specialistëve nga Venezuela.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button