FISHTJANE

Politikanëve shqiptarë  e shqipfolës (respekt përjashtimeve!), që hanë pa dhimtë kokën e Shqiptarisë.

Kombit me titanë lirie ecja prapthi s’i ka hije
t’u pas djem vasha si zana që më t’zot nuk i bën nana
ai lejon m’i pri hajduti matrapazi liliputi
e kur do t’dryshojë sistemin heq hasanin vë hysenin
hiq s’e sheh sa bie ora trupin ia ka lidhur bolla
shkon hasani vin hyseni bje njësoj karadyzeni
dhe vin sërish dit’ e zezë na degdisi pik-e-pesë
kryeposhtë të gjunjëzuar të fyer të poshtërruar
me imazhin zi më zi kemi marë veten mëri

Shqiptarí lodhur trimnie pa dhimtë trupin ta kanë shkye
do hijena do bajlozë gati shpirtin ta kan sos
të kanë tkurrë në grusht shkëmbinjsh si të ishe strofkë kërmijsh
të shndërruan në peng bishe viktimë rengjesh majmunërishte
n’folé patash rosash pulash n’tokë të namun pa log burrash
janë do qenie janë do hije hajna horra e hafije
ujqër t’sertë me pamje qengjash sokratë t’vuejtun me huj derrash
padronë shtypës fukarashë hajdutë xhepash në brekë grashë
tregtar flamujsh të atdheut kundërshtar të Skënderbeut
shitës trojesh stërgjyshore mohsa t’lig’ njëqelizore
tezgaxhinj toke e deti vaj vatani e mjer mileti
shkelës ligjesh kanunore me gjithçka q’u vin për dore
diktatorë të zinj mesjete lidhur kokat me shervete
se u derdhet i madh truri mbetet pezull mbi qafë guri
guri zi për rasa vorri po vdes kombi po jo horri

Turp o turp na mbuloj marrja ashiqare buson halja
nuk është një është mizëria i gatuan nënë partia
hajdutë mohsa lapërdharë butakë kandra e zuzarë
koqe qelbi gjarpinj bolla gjithçka që derdhet nga shtona
gjithçka që mund të lind terri ferri Dantes Luciferri

Shqiptarí e mjera ime shpresa jote mlu me qime
mbytë me dokra alkimiste e vajtuar me lot Fishte
Mëmëdhe ku të rri shpirti n’interesin e një flirti
në një gotë me verë Parisi n’tagër herdhesh t’një narcisi
në fundbarqe kurtizanesh në mollaqe zuzarhanesh

Toka ime zonjë e madhe katandisur bërë xhenaze
vend’i shkret’ me zogj t’shtegtuar shpellë hijenash t’pasuruar
shpresë e thyer stërgjyshore dergjur n’ëndrrën e një molle
moll’ e re si Moll’ e kuqe fatin tënd ti vet’ e huqe
tokë mera mbjellur me miell vend i shkret’ me racë t’përzier
ku m’i vogli është shqiptari ble e shit si plaçkë pazari

Vendi im mallkim hijnuer krimbi zi lirinë ta muer
si lejon m’t’u shym oxhaku për qejfin e një ahmaku
për hordhi mbushur me sorra krimba riqna pleshta morra
deputetë ministra huri n’qafë litarin kush ta vuri
jo i huaji po i imi renegati me shpirt mini
jeniçeri Ballaban polifemi katallan
një bajloz i zi katran m’coptoi shtatin n’jatagan
një bilmez me shpatë Azie m’katrësh shpirtin ma ka gërrye
copa-copa më përbiu muti vogël me dhëmb’ thiu

Po do fryjë një ditë furtuna të heqë maska të grisë guna
t’shplojë surrate maskarenj’sh e të ndal’ vërshima përrenjsh
për t’lindë dielli i Shqiptarís’ të zbardh’ dita e lirisë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. E lexoja dhe prisja ne fund te shoh emrin e autorit
    mendova Fatmiri qenka inspiruar nga ndonje rapsod popullor dhe e jep intergrale ketu, pse jo, momenti eshte bash per rapsod
    kendej votim ministrash per te te radhur turp ose me sinqerisht per te mos u besuar syve kur i lexon emrat
    andej matane kufirit rremuja e frikshme e zgjedhjeve
    Kosova, ah perhere e kam thene… por nejse nuk po perseris ketu se cka kam thene e dikund edhe shkruar per ate cope shqiptarie

    Fatmir cfare kenge kjo!
    cfare mllefi, cfare diagnoze.
    hallall!
    pije nje kafe per mu’.
    ate te perbashkten posa te vij ne Tunguzine e Teutes
    shume rralle vij miku im, te thash ate dite
    as malli me merr as nevoje kam per ate kaos qe i han njerezit e vet
    por ja nuk i han te gjithe
    dhe ja kane mbetur disa per te cilet prap marr udhen per atje e lumtur qe do i shoh dhe degjoj
    me Salen heren e fundit tre ore rresht
    na u bene si tre minuta

    1. Përshëndetje e nderuar. Më mirë të isha rapsod e të këndoja këngë trimërie e këngë kreshnikësh… Por, mjerisht, nuk jam rapsod, as ajo qe shkrova nuk është rapdodi, po një satirë me teh sarkastik, që sfidon prapësitë e një kategorie politikanësh shqiptarë e shqipfolës.
      Të fala e shëndet dhe dije se më bëhet qejfi që kam një lexuese si Ti!

  2. Sa me lakmi do doja te isha femije dhe shkrimin tuaj ta vlersoja vetem per Gegnishten dhe bukurine e reshtave.
    jo, jam i ritur dhe mesazhin e kuptoj ndryshe. me falni, se nuk eshte vetem mesazh por nje ofshame.

    Por une nuk kam as shum shkolle, e as dijeni per ti komentu shkrimet e dijetareve. Une kam nje hall tjeter, shpresoj se dikush nga ju meund te me gjeje ilaçin.

    Kam kisa kohe qe po kerkoj nje ilaç apo Terapi per dy semundje:
    – Per njerzit e keqinj, te lartpermendur nga Fatmir Sulejmani
    si dhe nje ilaç per mua:
    – Qe te mund ti dalloj dyftyrshat, rrenavecat dhe hajnat. Ndryshe thene njerzit e kqinj.

    Me ndihmoni ta largoj kete barre te rende te cilen nuk dua ta mar me vehte ne boten tjeter.

    i merzituri kurbetçar

Leave a Reply to Kurbetçari Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button