Shkup, qeveria e organizoi Ditën e Hapur për nismat e OJQ-ve

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot organizoi Ditën e Hapur për nismat e organizatave qytetare me temën “Politikat rinore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Ditën e Hapur u adresuan ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaeski dhe drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, duke theksuar se në dikasterin e tij me të vërtetë kanë investuar në kuadër, veçanërisht lidhur me mjekët e rinj, tha se Qeveria u tregon të rinjve se i kanë të gjitha mundësitë dhe instrumentet në dorë për të qenë pjesë e krijimit të politikave.

“Vendosëm dy masa në pajtim me ndryshimin e fundit të ligjit për mbrojtje shëndetësore, ajo është vendi i garantuar i punës për çdo mjek të ri i cili do të përfundojë fakultetin dhe do ta bëj stazhin në Odën e Mjekëve dhe do të marrë liçencë për punë si mjek”, tha Filipçe, duke shtuar se janë siguruar dhe garantuar vende pune për të gjitha infermieret e papuna.

Duke theksuar se debatet lidhur me implementimin e politikave për të rinjtë janë shumë të rëndësishme, ministrja Carovska tha se si ministria që drejton ajo vazhdimisht punon për të mundësuar që të gjithë të rinjtë të arrijnë punësimin.

“Doemos duhet të theksoj se ministria me të vërtetë me përkushtim punon në atë që të sigurojë mundësi që të gjithë njerëzit të arrijnë deri te punësimi, që është një nga gjërat themelore që të mund të arrihet ekzistenca në shtetin tonë”, tha Carovska, duke rikujtuar se Qeveria ka ndarë 1 miliardë e 100 mijë denarë për masat operative për punësim.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se sot ka pasur nderin të bisedojë me organizatat joqeveritare për avancimin e statusit të të rinjve në vend dhe përfshirjen e tyre më të madhe në politikat arsimore.

“Kishim nderin dhe kënaqësinë sot të diskutojmë me sektorin civil, me organizatat joqeveritare, me aktivistët civilë, me të rinjtë dhe për përpjekjet tona në politikat për përmirësimin e statusit të tyre, me kyçjen e tyre më të madhe në krijimin e politikave arsimore nacionale por edhe për politika të caktuara konkrete dhe zgjidhje ligjore me të cilat përmirësohet statusi i të rinjve”, tha Ademi.

Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Kaeski, tha sot se të rinjtë janë në maje të prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Despotovski, tha se nismave të sotme të organizatave joqeveritare, ata si Fond për Inovacione do t’u përgjigjen me disa nisma të tyre dhe do t’i sfidojnë organizatat joqeveritare që të kyçen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button