Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për sponsorizime në sport dhe kulturë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë votuar për harmonizimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me projektligjin për Tatimin në të ardhurat e Korporatave, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligji i cili i hap dyert e sponsorizimeve në sport dhe kulturë, u votua me 74 vota pro. Ky ligj do t’u jep mundësi federatave, klubeve, sportistëve dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), por edhe institucioneve kulturore, që të kenë mbështetje nga sponsorët.

Bizneset, të cilat sponsorizojnë aktivitetet e sportit, u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim, ndërsa ato që sponsorizojnë aktivitetet e kulturës u njihet zbritja për 20 për qind nga tatimi në fitim.

Deputeti nga radhët e LDK-së, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka shpjeguar dy alternativa mbi këtë ligj.

“Alternativa e parë është ajo që buron nga ligji i tatimit në korporata. Nga kjo alternativë bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë klubet dhe për atë pjesë të sponsorizimit të mos paguajnë tatim. Alternativa e dytë kërkon që jo prej parave të biznesit të bëhet sponsorizimi por prej tatimit. Pra, 30 për qind e tatimit që biznesi ia paguan shtetit, të shkojnë për sport. Alternativa e dytë kërkon që tatimi të mos shkojë në buxhet por të shkojë në sport”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, me votimin e amendamentit për sponsorizimin e sportit, nuk do të rritet investimi në sport pasi që bizneset nuk do të ndajnë më shumë para për sportistët.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu njëherësh propozues i njërit amendament për sponsorizimin e sportit dhe kulturës, u shpreh se do të jetë në dorën e biznesit në bazë të kritereve të caktuara se ku dëshirojnë për t’i investuar.

“Pse atëherë e bëmë 30 për qind për sportin dhe 20 për qind për kulturën? Sepse kultura financohet drejtpërdrejt edhe prej buxhetit të shtetit ndërsa sporti jo”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Ligji për Sponsorizime nuk do të humbë mjete nga shteti, ngase investimi në sport, sipas tij, është fitim për shtetin.

Votimin e ligjit në Kuvend e përgëzoi kryeministri Ramush Haradinaj, për të cilin tha se e fuqizon sportin dhe “u jep krah sukseseve kulmore të sportistëve tanë, të cilët po ecin gjurmëve të Majlinda Kelmendit, duke e ngritur lartë imazhin e vendit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button