Kush vjedh bukë përfundon në burg, kush vjedh hekurudhë bëhet senator

Titulli i këtij shkrimi, është thënie amerikane, që thuhet të jetë thënë në kohën krizës së drejtësisë amerikane. Por. tani kjo thënie në Amerikë është përjashtim i papërfillshëm dhe jo parim. Ligjet janë si rrjeta e merimangës, ku mizat e mëdha kalojnë ndërsa të voglat mbesin – Honore de Balzac. Edhe kjo thënie, thuhet të jetë thënë në kohën e krizës së drejtësisë evropiane(franceze), e cila mu si Amerika, të njëjtën e ka tejkaluar me dekada, në mos me shekuj.

Por, këto thënie janë aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti në Maqedoninë e Veriut.

Këtu, drejtësia si koncept ka kolabuar. Nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, e këtej, pothuajse asnjë nga abuzuesit e mëdhenj të parasë publike, s’ka përfunduar në burg. Përkundrazi, disa prej tyre madje moralizojnë në debate televizive, botojnë libra të drejtësisë dhe çfarë jo tjetër, kështu duke na buzëqeshur me ironi dhe përbuzje në fytyrë. Duke na treguar se sa të-pafuqishëm dhe të pabarabartë jemi në raport me ta.

Nga ana tjetër, burgjet e Maqedonisë së Veriut, janë të mbushur kryesisht me kriminelë ordinerë,vjedhës të zakonshëm të dyqaneve, pjesëve të veturave. Pra të mbushur me peshq të vegjël, por që dëmi i të gjithë atyre së bashku nuk e kalon vlerën e një tenderimilionësh, të keqpërdorur nga një pushtetar, apo peshk i madh. Kush vjedh 50 euro përfundon në burg, e kush vjedh 1 milion,bëhet mik me gjykatësit. Kjo është thënie e një shkrimtari nga Maqedonia e Veriut, që shpjegon gjendjen e mjerueshme të drejtësisë këtu, ose të paktën percepcionin ndaj saj.

Janë avulluar miliarda euro, e askush nga abuzuesit e tyre, të dyshuar ose akuzuar për korrupsion, nuk është përgjigjur penalisht e lëre më të dënohet me burg, edhe pse krimi dhe pasuria e tyre flasin me zë. Na zënë frymën e na verbojnë sytë si dielli.

Sepse, disa peshq të mëdhenj që janë denoncuar para organeve të drejtësisë, nuk janë ndjekur, hetuar, gjykuar e dënuar, për shkak të mos reagimit të qëllimshëm ose të zvarritjes së qëllimshme të lëndëve të tyre me qëllim parashkrimin-vjetërsimin.

Disa të tjerë, janë falur-aboluar nga presidentët e shtetit, e disa të tjerë janë amnistuar nga parlamenti nëpërmjet ndryshimit të ligjeve, duke i bërë ato të favorshme dhe falëse për ta. Pra, vërtetë, nuk më kujtohet ndonjë emër politikani apo pushtetari, që është dënuar me burg për korrupsion, ose të cilit i është konfiskuar pasuria e pajustifikuar. Nuk po flas këtu për përjashtime se të tillë-tilla mbase mund të gjesh edhe pse edhe ata janë ,,viktima,, të peshqve edhe më të mëdhenj se ta, pra të peshkaqenëve.

Por a mund të jetë ndryshe. Pa dyshim se po. Kemi shembuj të ndryshëm dhe meritor për librat e drejtësisë, se si luftohet korrupsioni, me drejtësi jo-selektive, e cila nuk i dënon vetëm kriminelët ordinerë, por edhe politikanët e pushtetarët.

P.sh, para ca vitesh ish kryeministri Izraelit, Ehud Olmert u dënua për korrupsion. Gjykatësi i çështjes pasi e shqiptoi dënimin ndaj tij, mes tjerash tha: ai që bën korrupsion është tradhtar i kombit. Po pra, sepse, ai që vjedh paranë publike, vjedh me të edhe arsimin, shëndetësinë, gjyqësinë, të tashmen e të ardhmen. E këto a s`përbëjnë tradhti?

Me para të korrupsionit nga politikanet e pushtetarët në Maqedoninë e Veriut, janë krijuar oligarkë e biznesmenë, të cilët pastaj i financojnë partitë politike, politikanët dhe pushtetarët qe i kanë bërë të tillë. Kur kësaj pastaj ia shton, mungesën e perspektivës, pagat e ulëta e të padinjitetshme, shteti bëhet i pajetueshëm për rininë dhe për ata që mendojnë lirshëm, jashtë kornizave partiake.

Varfëria, edhe mund të përballohet, por kur asaj i shtohet edhe ndjesia e pabarazisë dhe drejtësisë selektive, nuk përballohet dhe nuk të le tjetër zgjedhje e zgjidhje, pos ikjes pa kthim, rrugë të cilën e kanë marrë shumë të rinj. Dëshpërim!

Shkruan: M-r Agim Ibrahimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button