Si funksionon një shoqëri për të gjithë?

Dje në Universitetin e Evropës Jug-Lindore u mbajt diskutim lidhur me Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e konceptit të një shoqërie dhe interkulturalizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut e cila është përgatitur nga një grup punues i udhëhequr nga Koordinatori nacional për kulturë pranë qeverisë së RMV.

UEJL është vendi i përkryer për të diskutuar Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e konceptit të një shoqërie dhe interkulturalizmit në RMV. Kjo Strategji sillet për herë të parë në këtë shtet, dhe që është më e rëndësishme, sillet së bashku me një plan aksional për zbatimin e saj. Ishte koha përfundimtare që të ndërmerret një hap i këtillë, veçanërisht nga kjo qeveri, që promovon konceptin e shoqërisë së përbashkët për të gjithë si koncept udhëheqës të saj. Është koha përfundimtare të kuptohet se pikërisht multikulturalizmi është vlera bazike dhe kyçe e një shoqërie diverse si kjo e jona, dhe përparimi i shtetit nuk mund të ndodhë nëse ky realitet nuk shihet si vlerë shoqërore por si hendikep, si që ishte rasti për një kohë të gjatë në të kaluarën.

Është për t’u përshëndetur fakti që Qeveria ndërmerr tani më hapa konkrete duke sjellë këtë strategji dhe duke paraparë aktivitete konkrete për zbatimin e saj. Dua të theksoj që ky koncept inkluziv ku diversiteti shihet si vlerë dhe jo si hendikep është një koncept i cili funksionin tani më institucionalisht edhe në këtë shtet për më shumë se 18 vjet dhe shembull për këtë është pikërisht UEJL. I krijuar me qëllim dhe vizion të qartë, të mundësojë arsimimin në gjuhë amtare të etnitetit shqiptar në këtë vend, UEJL që në fillim ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe sot një mjedis inkluziv ku përdorimi fleksibil i tri gjuhëve të ndryshme të cilat janë zyrtare në këtë universitet është realitet. UEJL ka qenë dhe vazhdon të jetë institucioni ku përfaqësimi etnik dhe gjinor është i shprehur qartazi në të gjitha nivelet, si tek studentët, ashtu edhe tek stafi dhe tek menaxhmenti i universitetit. UEJL është vendi ku gjuhët që përdoren në këtë shtet mësohen nga të gjithë studentët dhe përdorimi i tyre nuk paraqet tabu për askënd. UEJL është vendi ku zhvillohet mendimi kritik që u mundëson studentëve të koncentrohen më mirë në atë se cilat tema ligjërohen e jo në atë se në çfarë gjuhe mbahet ligjërimi. Ky koncept i promovuar që në vitin 2001, në kohën kur më së shumti kishte skepticizëm dhe mosbesim ndaj konceptit inkluziv dhe inteklulturor, ka dëshmuar se është koncepti i cili i përballon të gjitha sfidat e kohës dhe u jep mundësinë më të mirë studentëve por edhe stafit për t’u zhvilluar si qytetarë me vlera perëndimore, ku toleranca, barazia dhe funksionimi efikas i institucioneve janë parametrat kryesor të zhvillimit dhe përparimit.

Kur flitet për konceptin e interkulturalizmit dhe të një shoqërie për të gjithë duhen pasur parasysh disa pika referuese kyçe:

  1. Konceptet i interkulturalizmit dhe inkluzivitetit janë koncepte të shtrenjta dhe kërkojnë shumë investim. UEJL ka pasur fatin të zhvillojë këto koncepte përmes ndihmës së pa-kompromis nga partnerët tanë strategjikë amerikanë dhe evropianë por edhe nga studentët dhe prindërit që kanë qenë të gatshëm të investojnë në ndërtimin e një ardhmërie multukulturore dhe me vlera perëndimore për fëmijët e tyre. Qeveria që kërkon të zbatojë këtë Strategji Kombëtare për një shoqëri për të gjithë, të parën gjë që duhet t’a marrë parasysh është se ky qëllim kërkon investim serioz dhe afatgjatë. Zhvillimi i vlerave të mirëfillta demokratike dhe multikulturore kushton shtrenjtë, dhe shtetet jo gjithmonë janë të gatshme ta paguajnë atë çmim. Ndonjëherë ato janë më të interesuara, për shembull, të ndërtojnë përmendore të pakuptimta se sa të investojnë në ndërtim të vlerave multikulturore. Prandaj, kur aprocohet një strategji, njëherit duhet të aprovohen edhe mjete të nevojshme për ta zbatuar të njëjtën në mënyrë efikase, sepse demokracia dhe multikulturalizmi janë vlera që vlejnë shumë por njëherit janë të kushtueshme. Kështu edhe UEJL-së i kushton shumë përdorimi zyrtar i të tri gjuhëve të universitetit, por kjo është një vlerë në të cilën institucioni beson fuqishëm, aty bën edhe investime serioze.
  2. Koncepti i shoqërisë për të gjithë nënkupton jo vetëm promovimin e qëllimit të barazisë së përgjithshme dhe tolerancës, por edhe ndërmarrjen e hapave konkrete kur këto vlera shkelen. Ky koncept nënkupton që shoqëria duhet të ofrojë siguri për të gjithë pjesëmarrësit duke sanksionuar ata të cilët kërkojnë t’a prishin atë siguri. Prandaj, është shumë e rëndësishme që Strategjia parasheh edhe hapa konkrete që kanë të bëjnë me ndalimin dhe ndëshkimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Dua të theksoj që njëra ndër pikat kyçe ku RMV u përshëndet në Raportin e fundit të KE ishte pikërisht ndryshimi dhe plotësimi i Kodit Penal sa i përket krimeve të urrejtjes. Por ajo që nevojitet tani është që kjo gjë të bëhet edhe realitet dhe të mos mbetemi vetëm me një aktgjykim të vetëm ku krimi i urrejtjes dënohet. Është shumë me rëndësi që ky proces të shkojë paralelisht: në njërën anë gjykatat dhe institucionet tjera kompetente të sanksionojnë pa kompromis çdo krim të urrejtjes, ndërsa në anën tjetër me masa edukative të ndikohet në ndërtimin e vlerave demokratike dhe tolerante te të rinjtë.
  3. Sfidë e veçantë që lidhet me këtë koncept është organizimi dhe zbatimi i arsimimit dhe edukimit të integruar. Shoqëria në RMV është një shoqëri ku ndasitë janë stimuluar dhe theksuar me dekada, dhe është vështirë që të promovohet një koncept integrues në arsimim, veçanërisht duke pasur parasysh gabimet e bëra në të kaluarën dhe frikën e mbjellur ndaj gjithçkaje që është ndryshe. Të mos harrojmë se për shumë qytetarë të këtij vendi edhe sugjerimi më konstruktiv për të mësuar gjuhën shqipe trajtohet si tragjedi e madhe dhe humbje e shtetformësisë. Kjo mendësi është kultivuar për një kohe aq të gjatë sa që tani më ka kaluar në paranojë klasike. Prandaj koncepti i arsimimit të integruar që do të promovojë vlerat e të gjitha grupeve shoqërore në RMV duhet të stimulohet shumë nga qeveria dhe të përbëjë poashtu njërin nga investimet kyçe në politikat arsimore të vendit.

Të gjitha këto sfida janë të vështira por jo edhe të patejkalueshme. Shembull se një koncept i tillë funksionon pa asnjë problem është pikërisht UEJL. Me vullnet të mirë dhe konstruktiv, me vendosmëri në investim dhe me sanksionim të pakompromis të tendencave për shkelje të këtyre vlerave ky koncept mund të funksionojë edhe në gjithë vendin, sepse është i vetmi koncept që i përshtatet një shteti multietnik dhe multikulturor si RMV.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button