Tradita vazhdoi, sërish para mesnate u votuan ministrat e rinj të RMV-së (FOTO)

Gjysmë ore para se akrepat e orës të shënonin orën 12:00, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u votuan ministrat e rinj, transmeton Portalb.mk.

Emërimi i Sadulla Durakut si ministër i Sistemit Politik, i Trajan Dimovskit si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, i Hisni Ismailit si Ministër i Kulturë, i Naser Nuredinit si ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i Goran Milevskit si ministër i Vetëqeverisjes Lokale u mundësua me 65 vota “për” dhe 25 “kundër.

Kuvendi i RMV-së
Deputetë gjatë votimit

Posti i ministrit të Financave ka mbetur i zbrazët, pasi që edhe pse kryeministri Zoran Zaev e propozoi veten, kjo gjë as nuk u debatua, për shkak se u pengua nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

Pas votimit, ministrat e rinj i dhanë edhe deklaratat e tyre, të cilat mund t’i shihni veçmas në fotografitë më poshtë. Në fjalimin e tij, kryeministri Zoran Zaev është përpjekur që t’i bind deputetët se emrat e propozuar duhet të votohen, sepse kanë biografi të mirë.

Kritika si dje edhe sot, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase, ka dhënë për atë se i ashtuquajturi proces “fshesa” nuk i ka realizuar pritshmëritë që i pati publiku. Për VMRO-DPMNE-në është dashur të ndërrohet zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, dhe jo të shkarkohej ministri i Financave, Dragan Tevdovski, e kurse për Aleancën për Shqiptarët, Sadulla Duraku nuk do të duhej të ishte sërish ministër, sepse sipas tyre ai nuk ka treguar kapacitet në ministritë paraprake.

Ministri i Sistemit Politik, Sadullah Durak
Ministri i Sistemit Politik, Sadullah Durak
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimovski
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimovski
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Kulturës, Hisni Ismaili
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Kulturës, Hisni Ismaili

Deri te emërimi i ministrave të rinj erdhi pasi dje u miratuan shkarkimet dhe dorëheqjet e 6 ministrave paraprak. Dje janë shkarkuar Suhejl Fazliu nga posti i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Dragan Tevdovski nga Ministria e Financave dhe Hazbi Lika nga Sekretariati i Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Posti i ministrit u ka pushuar edhe Lupço Nikollovskit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Sadulla Durakut në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Zoran Shapuriqit nga Ministria pa Resor, pasi që të njëjtin paraprakisht kanë dorëzuar dorëheqje.

Për shkak të shkarkimit të ministri Fazliu, lideri i partisë nga ku vjen ai, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) njëherit edhe deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të RMV-së, Vesel Memedi ka deponuar dorëheqjen nga të gjitha postet në Kuvend. Siç ka paralajmëruar ai, “nëse LSDM–ja dhe BDI-ja ia shkarkojnë ministrin, do të dalë nga koalicioni qeveritar”.

Ndryshe, ndryshimet në Qeveri vijnë në kuadër të procesit të ashtuquajtur nga kryeministri Zoran Zaev – “Fshesa”, i paralajmëruar në kuadër të fushatës zgjedhore presidenciale. Paralelisht me këtë proces, ndryshime kanë filluar edhe në kuadër të partisë së udhëhequr nga vetë Zaevi, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e ndërkaq në kuadër të partisë bashkë-qeverisëse, Bashkimi Demokratik për Integrim janë duke u zhvilluar zgjedhje për emërim të të gjithë kryetarëve të degëve, pasi që atyre paraprak u ka skaduar mandati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button